Kryeministri Rama e cilësoi sërish si “turp” protestën disaditore për çmimet, duke e parë atë nga këndvështrimi i një lufte përballë një armiku.
“Unë dal dhe them brenda javës do të kemi paketë mbështetëse, këta dalin dhe thonë ‘këtë herë nuk duhet ta lëmë’. Kuturisje të turpshme që fyen kombin shqiptar. Shqiptarët nuk janë njerëz kaq të lidhur me zorrët, ndërkohë që atje të tjerët po lënë jetën, ndërkohë që ne jemi vend i NATO-s, nuk e ndalojmë dot këtë luftë”, arsyetoi Rama.
Sipas tij, kjo është ajo që i duhet Rusisë.
“Këtu bëhet një protestë që mund t’i pëlqejë Rusisë. Po mund t’i pëlqejë, sepse kjo është një nga pjesët e strategjisë së asaj në lufte: që vendet që mbështesin Ukrainën të ngrihen në protesta ekonomike, që të harrojnë çfarë luhet atje. Atje nuk luhet fati i Ukrainës po i të gjithë e Evropës, luhet fati i Evropës. Si mund të jemi ne kaq pa karakter”, tha Rama në një takim me moshat e treta, për të sqaruar Paketën e Rezistencës. /tesheshi.com/