Luiza Gega, atletja nga Bulqiza e cila u bë kampione Europe në 3 mijë metra në Europianin e Mynihut, është nderuar nga kryeministri Rama me një pritje në selinë qeveritare, madje duke shkuar aty me një kabrio që eci mespërmes bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në mënyrë triumfatore.
Aty fillimisht pati dhe një puthje duarsh, që përulësisht, u ndërmorr nga i pari i qeverisjes.
Më pas, Gegës së artë të atletikës shqiptare, iu dorëzua “Ylli për Mirënjohje Publike”.
“E meriton më shumë se kushdo tjetër”, tha Rama.
“Normalisht, Luiza, kjo medalje është bërë për figura të larta shtetërore, kryesisht, pra normalisht këtë do e merrte Churchill e jo ti, por në fakt, ty të takon, ndoshta, më shumë se kujtdo tjetër sepse në mbajtjet e shenjave të kësaj medaljeje, shqiponjës dykrenare me yllin gjashtë cepësh, është hija e atletit të parë të kombit tonë, atleti i lirisë, Gjergj Kastriot Skëndërbeu.
Edhe vetë Napoleoni që është themeluesi i Kordonit të Madh të Legjionit të Nderit, nëse i besojmë arkivave, ishte vetëm 2 centimetra më i gjatë se ti, por ishte 20 minuta më i ngadaltë sesa ti”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër, atletja Gega tha se i ka rezistuar tundimit për të përfaqësuar tjetër flamur, por që i ka qëndruar besnik atij shqiptar. “Kam pasur dhe oferta për të vazhduar me shtete të tjera, por e kam dashur këtë vend dhe kam besuar se do të vijojë një ditë që vendi jonë do të ndryshojë.
Nuk është kurrë vonë nëse do të punosh dhe do t’ja dalësh. Kam ndjerë shumë emocione në pistën e Mynihut”, u shpreh kampionia e Europës Luiza Gega. /tesheshi.com/