Valbona Reçi, mësuesja nga Rrësheni e sëmurë me kancer gjiri, e cila bëri bujë me ankesën e saj adresuar shefit të qeverisë në një “takim me popullin” për mungesën e një ilaçi të domosdoshëm për kurim, ka mundur së fundi ta sigurojë atë.
Kryeministri e ka shoqëruar vetë te Onkologjiku i QSUT-së, për t’i bërë surprizën.
“MIRËMËNGJES! Dhe me këto dy pjesë të historisë së mësueses mirditore që vuan nga kanceri, ku mund të shihni se si funksionon bashkëqeverisja me qytetarët, kur nuk përtojnë të ankohen për hallet e tyre konkrete në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al apo në takimet publike të platformës, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruajti Rama në statusin e vet të përditshëm mëngjesor.
Ndërsa në ambientet e spitalit, me pacienten në krah, Rama tha: “800 flakonë vinin në vit para 4 vitesh. Tani vijnë 4 mijë. Mirëpo nevoja është për më shumë. Ne duhet të dyfishojmë vetveten sot, edhe pse kemi më shumë se 4-fishuar në raport me atë që gjetëm”. /tesheshi.com/