Qeveria “Rama” ka plotësuar vitin e parë të mandatit të dytë në qeverisje, ku risia në start ka qenë mungesa e “tepsisë”. Kjo e fundit ka simbolizuar shmangien e LSI-së nga koalicioni me të cilën erdhi në pushtet dhe qeverisi në katër vitet e para, e njohur si një parti tipike klienteliste, që të bën gjëmën me emërimet në administratë, apo grykësinë.
E provuar si varrmihëse e pushtetit të Berishës, mu prej këtyre dy tipareve, ajo u përjetua e tillë dhe nga masa socialiste. Por me anë të disa lëvizjeve brilante, shoqëruar me pas me tezën frymëzuese të “tepsisë”, një gjetje mjeshtërore në ligjërimin e Ramës, shndërruar po aq mjeshtërisht në kauzë politike, bëri që mandati i dytë të shihej si Rilindja e vërtetë. Kjo u promovua nga vetë lidershipi socialist, me frazën e njohur që tani “nuk ka më justifikim para elektoratit”. Por a ja arriti të përligjë të paturin e të gjithë “tepsisë” për vete? Vështirë të thuhet se po, se në terren kjo dha efektin e pritshëm.
Pak javë nga nisja e qeverisja pa LSI-në, qeveria “Rama” do të merrte një goditje të fortë në aspektin më të errët të saj, kanabisin. Një goditje do vinte për të prej emrit të Saimir Tahirit, ku do aludohej nga se ai ishte pjesë e një përgjimi ne dosjen “Habilaj”. Edhe sot e kësaj dite nuk është vërtetuar nëse vërtet, Saimiri në përgjime ishte ai, Tahiri, porse në rrafshin politik dëmi në imazh do ishte me pasoja. Dhe kanë qenë përgjithësisht çështjet e rendit ato të cilat kanë ndikuar në një perceptim jo të përmisuar mbi cilësinë e qeverisjes “Rama”. Pas Tahirit vijnë skandalet me krimin në Elbasan, e deri sot ku Shkodra është katandisur në njollë të zezë për efiçencën anti-krim të Ramës. Edhe pse në rend u promovua “Forca e Ligjit”, një fushatë e ndërmarrë nga ministri Xhafaj për betejën anti-krim, në terren, aty ku ngjizen dhe perceptimet, e jo te shifrat zyrtare, asgjë nuk ndryshoi. Te ky perceptim, edhe elementi “kanabis” nuk ndryshoi. Kapja e sasive të mëdha të kokainës, siç qe rasti i Maminasit, falë dhe ligjërimit të ashpër opozitar, janë perceptuar jo si suksese qeveritare, por si një vijim akoma më i sofistikuar i aferave të drogës.
Në rrafshin e shërbimeve të administratës, qeveria aplikoi një skemë të re, atë të bashkëqeverisjes, me risinë teknologjike të ankesave në portalin shqiperiaqeduam.al. Por paçka efektit në zgjidhjen e shumë problemeve të rrafshit personal, për çdokënd që kishte një ngërç me shtetin, kjo nuk e çmontoi dot perceptimin e një shtetit burokratik, të mefshtë, me rrogëtarë më shumë së shërbëtorë, që e shohin qyetatarin nga xhepat. Dhe së këndejmi vijnë tek më e rëndësishmja prej çështjeve: ekonomia.
Edhe këtu pati një risi: ministria e sipërmarrjes. Por dhe këtu, në terrenin e gjërave treguesit qenë ndryshe. Biznesi ankohet se qeveria ka diktuar një plan të ardhurash nga gjobat. Ndaj, tatimorët u panë e po shihen si çakej, për shtetin por dhe për vete. Nga ana tjetër, paçka shifrave, ndjeshmëria në terren se ekonomia ka nisur të japë fryte është pothuajse zero. Këto e të tjetra, kanë patur të gjitha si indikator rritjen e prirjes masive për ikje. Rama është përpjekur që këtë valë të paprecedent ikjeje ta intepretojë si diçka normale në një botë me interesa tregu, duke dhënë dhe shembuj të vendeve të tjera të Lindjes, por rasti shqiptar ndryshon. Ikjet shqiptare nuk janë në kontekst tregu. Ato kanë karakter social më së shumti, edhe pse diktohen gjithashtu nga një ekonomi e dobët. Nuk besohet që në Kroaci a Poloni, dy vendet që përmendin Rama, ikjet të shoqërohen me përbetime “për të mos u kthyer më”, në kuptimin social të fjalës.
Dhe e fundit: pas një viti pa “tepsi”, por përfshirë dhe katër të tjerët me tepsi, a ka tregues sado të vegjël që është përmisuar gjendja morale e popullit? Sigurisht, kjo është diçka që i mungon gjithë ligjërimit politik shqiptar. I ka munguar dhe Ramës, ndonëse me ligjërimin më të pasur, më të avancuar dhe më me nota bindëse. Por nuk ka mundësi që të pretendosh një rilindje shoqërore, pa përfshirë aty dhe pjesën e moralit shoqëror. Dhe ajo nuk buron domosdoshmërisht nga ekonomia. Shqipëria ka përjetuar kohë shumë të mira ekonomike, siç ka qenë periudha 2001 – 2009, pra dy vite nga Nano e katër nga Berisha, por kjo nuk mund të thuhet në rrafshin e moralit shoqëror. Ama prej këtu nis një rilindje e pretenduar. Dhe shenjat e para jepen nga ata që ushtrojnë pushtet e përgjegjësi. As kjo nuk ka ndryshuar deri më tani, perceptimi negativ mbi kastën drejtuese. Është pikërisht kjo kastë, me Ramën në krye, që nuk kanë mundur dot të ofrojnë një moral të prekshëm të përmisuar, duke e thelluar akoma më tej bindjen se “ky vend nuk bëhet”. Megjithatë janë dhe tre vjet të tjera dhe avantazhi “kohë”në këtë rast është shumë i madh. /tesheshi.com/