Kryeministri Edi Rama, menjëherë pas kthimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ndodhej për një vizitë zyrtare, u takua për rreth 60 minuta në selinë e Kryeministrisë me një grup të ngushtë ministrash dhe deputetësh.
Në takim kanë marrë pjesë ministrat Lindita Nikolla, Saimir Tahiri dhe Ditmir Bushati, deputetët Balla dhe Shalsi si dhe kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi.
Ne takim ishte edhe Erjon Veliaj, njëri prej emrave më të përfolur si kandidat i mundshëm i së majtës për Bashkinë e Tiranës. Edhe ky takim nuk ka prodhuar një emër konkret për kandidat në kryeqytet. Qëllimi i takimit ishte ndërtimi i një plani masash organizative elektorale.
Pas këtij takimi mbetet ende në fuqi deklarata e kryeministri Rama lëshuar fundjavën e kaluar kur tha se brenda mesit të kësaj jave do të dilej me një emër për kandidat, ndaj për këtë emër duhet pritur e mërkura ose e enjtja.