Kryeministri Edi Rama morri pjesë pasditen e sotme në Global Positive Forum, organizuar në Paris nën kujdesin e Presidentit francez Emanuel Macron.
“Nxitja e ekonomive pozitive në vendet në zhvillim” ishte tema e diskutimit, ndërsa gjatë fjalës përshëndetëse, Rama tha se këto aktivitete promovuese janë një dëshmi e rëndësishme e miqësisë mes vendeve.
“Ky vit ishte një vit zgjedhjesh, si në vendin tim ashtu dhe në tuajin. Tek ne, partia ime dhe unë fituam, në tuajin ishte Bota që fitoi. Sa ndryshe do të ishin ndjerë miliona njerëz nëse kjo tokë e madhe e lirisë, vëllazërisë dhe barazisë do t’ia dorëzonte politikën të djathtës ekstreme? Por, kështu populli francez na dha shpresë, ndërsa Presidentit tuaj i dha përgjegjësinë e madhe që të drejtojë vendin në këto kohë të vështira, ashtu sikurse shqiptarët më dhanë të njëjtën përgjegjësi mua”, tha Rama në nisje të fjalimit të tij.
Në vijim ai zbuloi se çdo ditë i bën vetes dy pyetje në raport me atë që qeveria e drejtuar prej tij duhet të bëjë për qytetarët.
“Jetojmë në një botë që përballet me probleme dhe sfida, por e drejta për të udhëhequr është ndër privilegjet më të mëdha që populli mund t’i japë dikujt. Ndaj dhe unë e nis çdo ditë duke i bërë vetes këto dy pyetje thelbësore:
– A jam duke e ndihmuar popullin tim dhe vendin tim që t’u bëjë ballë këtyre sfidave?
– A jam duke e ndihmuar popullin tim që të bëjë një jetë më të mirë?
Nuk është e lehtë, pa dyshim, por këto dy pyetje janë si dy yjet e mi orientuese”, tha Rama.
Fjala e kryeministrit Edi Rama
Ky vit ishte një vit zgjedhjesh, si në vendin tim ashtu dhe në tuajin. Tek ne, partia ime dhe unë fituam, në tuajin ishte Bota që fitoi. Sa ndryshe do të ishin ndjerë miliona njerëz nëse kjo tokë e madhe e lirisë, vëllazërisë dhe barazisë do t’ia dorëzonte politikën të djathtës ekstreme? Por, kështu populli francez na dha shpresë, ndërsa Presidentit tuaj i dha përgjegjësinë e madhe që të drejtojë vendin në këto kohë të vështira, ashtu sikurse shqiptarët më dhanë të njëjtën përgjegjësi mua.
Jetojmë në një botë që përballet me probleme dhe sfida, por e drejta për të udhëhequr është ndër privilegjet më të mëdha që populli mund t’i japë dikujt.
Ndaj dhe unë e nis çdo ditë duke i bërë vetes këto dy pyetje thelbësore:
– A jam duke e ndihmuar popullin tim dhe vendin tim që t’u bëjë ballë këtyre sfidave?
– A jam duke e ndihmuar popullin tim që të bëjë një jetë më të mirë?
Nuk është e lehtë, pa dyshim, por këto dy pyetje janë si dy yjet e mi orientuese.
Në zemër të gjithë kësaj është gjithmonë ekonomia dhe u ndjeva shumë i nderuar kur dhe Jacques Attali më kërkoi që të ndaja me ju sot vizionin tim mbi ekonominë pozitive.
Në fund të fundit, çfarë nënkuptojmë me “ekonomi”?
Nënkuptojmë njerëz. Nënkuptojmë njerëz që veprojnë, blejnë dhe shesin mallra e shërbime.
Nënkuptojmë sipërmarrës që kanë ide dhe i realizojnë ato, që krijojnë vende pune dhe plotësojnë nevojat e të tjerëve.
Nënkuptojmë qeveritë që hedhin themelet për zhvillim dhe krijojnë vende pune dhe pasuri me sisteme tatimore, të cilat më pas bëjnë të mundur investimin e duhur në të mirën publike, në shkolla, në spitale, në rrugë, në financimin e policisë dhe të ushtrisë që luftojnë kundër krimit dhe terrorizmit dhe na bëjnë të ndihemi të sigurt.
Pra, e shikoni çfarë dua të them me të qenit “në zemër të gjithçkaje”? Gjithçka prekim. Gjithçka që na prek. Gjithçka që dëshirojmë për të ardhmen. Është e komplikuar, sigurisht. Vërini bashkë në një dhomë dy ekonomistë dhe pa kaluar shumë kohë ata do jenë në kundërshtim me njëri-tjetrin.
Por, në pozicionin tim, në majën e qeverisë, me kaq shumë ambicie për vendin tim, me aq shumë dëshirë që ambiciet dhe talentet e popullit tonë të përmbushen, çfarë konsideroj unë si elementin më të rëndësishëm të ekonomisë moderne? – Është dija.
Në fund, nëse bëjmë sot e kurdoherë diferencat midis vendeve, vendet nuk ndahen midis atyre që kanë, por sa dinë të bëjnë dhe ekonomitë që dinë të bëjnë, ekonomitë e dijes janë ato më të arrirat, janë ato ekonomitë e së ardhmes. /tesheshi.com/