Me një lloj sentimentalizmi politik, kryeministri Rama ka bërë një reagim të gjatë mbi atë që e quan pseudoinvestigim të RAI 3 mbi qeverisjen e tij.
Ai nuk ka pranuar se po sulmohet qeverisja e tij, por se po sulmohet Shqipëria.
“Ishte fyese sepse përtej personales, keqardhjes, dhimbjes nga padrejtësia e imponuar e vendosjes në shënjestër, për shkak të fushatës elektorale në Itali e të luftës mediatike atje, ndaj homologes sime në krye të qeverise italiane, kjo eksperiencë kishte ne përmbajtje shume baltë për Shqipërinë; baltë e prodhuar këtu, në Tiranë, për luftën politike ndaj meje e qeverise sonë dhe këtë ju e dini të gjithë.
Dhe e gjithë ajo baltë e eksportuar nga këtu në Itali dhe e ekspozuar në ekranin e Shërbimit Publik italian, me lloj-lloj emra shqiptarësh e me dyshime të pambështetura në fakte, pa asnjë interes për publikun italian, që as nuk di e as nuk i intereson kush është X-i e Y-ni në Shqipëri, ishte padyshim një baltë krejt e pamerituar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, e nis ai reagimin.
Duke vijuar ta ketë Shqipërinë kryefjalë, Rama përdor sërish shprehjen e tij sfiduese “s’keni parë gjë akoma”.
“Dëgjoni, Shqipëria s’është më ajo që ishte, kjo shihet kudo, flitet ngado, mirëpo disa që janë mësuar ta na shohin e ta trajtojnë Shqipërinë si vend të botës së tretë, nuk na e falin dot suksesin, çlirimin nga hijet e të shkuarës, kokën e ngritur lart. Prandaj dhe pesë kulla në Tiranë ju duken si 500 ngaqë as e kanë imagjinuar që Tirana do të bëhej kjo që vetëm sapo ka filluar të duket, se s’kanë parë gjë akoma. Dhe e vetmja mënyrë që gjejnë, me ndihmën e gojëve mos e themi të politikanëve pa atdhe e të papagajve të tyre pa skrupuj, është të hedhin baltë për të na pikturuar pacipërisht si mafiozë, trafikantë, kriminelë…
Po për mua, cenimi me gjysmë të vërteta i Shqipërisë në gjuhë të huaj, nga cilidoqoftë e sidomos nga vendet fqinje, ku jeton edhe pjesa më e madhe e shqiptarëve të Europës, është një sulm mbi emrin, mbi nderin, mbi flamurin tonë kombëtar, mbi çdo shqiptar dhe pikë. Kush e bën, duhet ta mësojë se koha kur shteti shqiptar, qeveria, kryeministri i Shqipërisë, rrinin si skutha që bënin të fortin me të dobëtit këtu brenda dhe te menderosurin para të huajve, ka vdekur”.
Rama vijon më të njëjtin refren në reagimin e tij, duke shkruar:
“Ne e dimë më mirë se kushdo plagët, problemet, të metat e dobësitë që kemi dhe që i luftojmë përditë me to. Po kush hedh baltë mbi Shqipërinë e mbi shtetin shqiptar, duke na treguar edhe me gisht siç bënin dikur që s’u linin kusur shqiptarëve, duhet e do ta marrë kurdoherë përgjigjen tonë. Me punë patjetër po dhe me fjalë, sa herë që është nevoja. Me vepra dhe me krenari sa herë që ne flasim për Shqipërinë.
Ata thanë që nuk e kishin me Shqipërinë e me popullin shqiptar. Po ama dëmin ia bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në sytë e të gjithë audiencës së tyre italiane dhe nëse nuk ishin nisur me këtë mendim, këtë bënë”.
Për Ramën, investgimi i RAI-t ishte pa asnjë fakt, por thjesht me opinione apo pretendime të pafaktuara.
“U përdorën si heronj të këtyre shfaqjeve figura të errëta, një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare për tërë të zezat, një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u, një i mbyllur në arrest shtëpie nga gjykata speciale antikorrupsion, një i përjashtuar nga Vetingu në sistemin e drejtësisë. U mor edhe ndonjë opinionist, veteran i luftës me gjysmë të vërteta kundër meje e qeverisë sonë qysh se s’mbahet mend e ku di unë kush tjetër, ndërkohë që u trajtuan si personazhe negativë të shfaqjes, deri tek personalitete të politikës e të kulturës italiane apo lloj-lloj individësh të njohur e të panjohur në Shqipëri, duke hedhur baltë akuzash e dyshimesh, pa asnjë lloj fakti.
Por në fund shfaqja që dukej si një çorbë tik-toku, qep, shqep e bashko fjalë e imazhe sipas skenarit, nuk tha asgjë të re përveç jashtënxjerrjeve të ujërave të zeza të politikës Non Grata e të kanaleve mediatike këtu në Shqipëri, që i shërbejnë asaj llum politike. Asgjë të pakontestueshme logjikisht nuk kishte aty e lëre pastaj të vlefshme juridikisht, nga ky pseudoinvestigim italo-shqiptar, po vetëm u mbars mali dhe polli një mi, duke u justifikuar në fund se prova s’ka po ka akuza!”.
Në fund, Rama u drejtohet shqiptarëve:
“Unë e kam me të gjithë shqiptarët e zakonshëm dhe e kam të thjeshtë fare:
Mos i falni më! Braktisini përgjithnjë në vetminë e ujërave të zeza të politikës së tyre. Shumica që i ka braktisur prej kohësh duhet të bëhet gati për t’i shkatërruar fare me votë në ditën e afërt të gjykimit popullor. Pakica që ende nuk i ka braktisur, është në të drejtën e Zotit të mos bashkohet me shumicën nëse nuk do, po jo të vejë më pas tyre, sepse ata nuk i duhen as dreqit, jo më Shqipërisë! Ata janë mishërimi i shpirtit të së keqes që po del nga jeta e Shqipërisë, duke u çjerrë në përpëlitjet e fundit….”. /tesheshi.com/