Pak pas deklarimeve plot përbetime të presidentit Meta, ku ndër të tjera tha se nuk do e linte Presidencën – duke nënkuptuar me këtë shkarkimin që pritet t’i vijë nga mazhoranca në rrugë parlamentare – kryeministri Rama dha të kuptuar se procesit do t’i shkohet deri në fund, pra shkarkimit.
“Duhet çuar deri në fund ai proces, kjo është një hata Kushtetuese dhe institucionale”, tha Rama gjatë një takimi me banorët e Njësisë Administrative Nr.2, ku ishte e pranishme edhe anëtarja e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi.
Më tej, shefi i qeverisë dha të kuptuar se dhe 30 qershori do jetë ditë zgjedhjesh, sipas tij pa asnjë mundësi pengimi.
“Gjëja e rëndësishme për ne është që procesi të jetë sa më korrekt. Pluralizmi është të gjithë në një mendje, që secili mund të zgjidhet nëse dëshiron. Nëse nuk do të marrësh pjesë në zgjedhje nuk mund të marrësh peng të gjithë dynjanë.
Nuk ka shans të ndodhë që të merret peng procesi”, theksoi Rama. /tesheshi.com/