Kryeministri Rama i është përveshur BE-së në mënyrën e tij duke prodhuar batuta aksiomatike. Në vazhdën e kritikave të tij ku gjuan herë me gurë e herë me pambuk, kreu i qeverisë shqiptare ka thënë se sot Europa është keq e jo Ballkani.
“Unë shpresoj që shtetet anëtare do të pajtohen me BE-në dhe BE-ja të jetë ashtu siç e kemi njohur dhe siç kemi ëndërruar për të dhe jo diçka tjetër. Duket se mallkimi është Ballkani. Kur BE-ja ishte në formën e saj më të mirë, ne ishim në formën më të keqe, tani që jemi në formën më të mirë, BE-ja jo se është në formën më të keqe, por po shkon në këtë drejtim.
Ndoshta ne kemi një shans për t’u divorcuar përfundimisht me të shkuarën dhe të martohemi me një union të shkëlqyer, i cili na thotë se do të martohemi por nuk na thotë se kur”, tha Rama.
Deklarimet e tij u bënë gjatë një konference në Bruksel të quajtur “Miqtë e Europës”. /tesheshi.com/