Mosregjistrimin e partive opozitare në KQZ për zgjedhjet e pritshme parlamentare, por dhe ato të pjesshme të Kavajës, kryeministri Edi Rama e ka komentuar me sofizëm politik.
“Zgjedhjet janë të popullit nuk janë të partive. Politikanët mund të regjistrohen ose jo por nuk mund t’i thonë popullit se ti nuk mund të mos shkosh në zgjedhje”, ka thënë Rama, i cili nga ana tjetër ka shprehur gadishmërinë për dialog me opozitën, me kusht që ajo mos vendosë kushte.
“Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që kemi të dialogojmë së bashku me opozitën pa vënë kushte të diskutojmë ballë për ballë për të gjetur zgjidhje për çka opozita pretendon brenda kornizës kushtetuese të republikës dhe në funksion të aspiratës së popullit jo thjesht për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme por për të përcaktuar rrugën e tij si një vazhdim”, ka theksuar kreu i mazhorancës, që, duke e marrë të mirëqenë faktin se opozita është në çadër për shkak të Vettingut, ka shtuar: “Shqipëri europiane pa drejtësi europiane nuk ka. Shqipëria europiane me kërcënime për dhunë, destabilizim për tu kthyer prapa nuk mund të ketë”. /tesheshi.com/