Kryeministri Rama kujtoi 30 vjet të eksodit në ambasada, duke publikuar një video nga ikja e qindra shqiptarëve ato ditë korriku, pasi ndenjën me ditë në oborret e selive të huaja, në një zhvillim të paprecedent arratisjeje masive.
“30 vjet nga eksodi historik i shqiptarëve, një kohë për të kuptuar çmimin e lirisë dhe dëshirën e zjarrtë të shpirtit shqiptar që u përball me diktaturën dhe luftoi për lirinë”, shkroi Rama.
Edhe Basha gjithashtu përcolli një shënim e foto përkujtuese, duke shkruar.
“Shumë të rinj sot, të lirë për të udhëtuar kudo në Europë, e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë ndodhi ato ditë të nxehta korriku në Tiranë. Të tjerë, në moshë më të madhe i kane ende të freskëta në kujtesë ngjarjet e Rrugës së Ambasadave, pasigurinë për të ardhmen e atyre që ishin brenda dyerve, padurimin për t’u larguar drejt perëndimit të ëndërruar, apo dyzimin dhe frikën e të tjerëve që shihnin nga larg se si regjimi po shkërmoqej. Sot si 30 vjet më parë ëndrra e shqiptarëve që thyen muret e diktaturës për të mos u kthyer më pas është liria dhe Evropa. Janë vlerat e një bashkimi që na frymëzon dhe na shtyn përpara. Shqiptaret përmbushën një pjesë të kësaj ëndrre kur 10 vite më parë ne mundësuam liberalizimin e vizave”, shkruan kreu demokrat. /tesheshi.com/