Raketat e mbrojtjes kundërajrore të furnizuara nga Spanja, do të mbeten në Turqi deri sa NATO të marrë një vendim tjetër. Deklarata e ministrit spanjoll të Mbrojtjes, Pedro Morenes vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania njoftuan tërheqjen e raketave të tyre, pjesë e kontributit të tyre në NATO, nga jugu i Turqisë. Tërheqja do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.
“Spanja do ta vazhdojë misionin e saj në Turqi përsa kohë që NATO e kërkon një gjë të tillë”, tha Morenes për shtypin spanjoll.
Spanja vendosi në shtator të dërgojë raketa Patriot në Turqi si pjesë e detyrës së saj në NATO për të zëvendësuar njësi të tilla nga Holanda, që u tërhoqën. Anijet që transportonin raketat mbërritën në portin Iskenderun në jug të Turqisë në 9 janar.
Gjermania i ka të pozicionuara bateritë e raketave Patriot në provincën Kahramanmaras që prej janarit të vitit 2013, si pjesë e misionit të NATO-s për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve të mundshme nga Siria. /tesheshi.com/