Politikania serbe e Kosovës, Rada Trajkoviç deklaroi se me pranimin e draftit të Asociacionit, presidenti serb ka pranuar integritetin territorial të Kosovës.
Në një intervistë për median serbe, ajo është shprehur se Vuçiç ka njohur identitetin e shtetit të Kosovës dhe tashmë për këtë arsye i duhet që të ndryshojë dhe Kushtetutën e Serbisë.
“Vuçiç pranoi integritetin territorial të Kosovës, tani edhe veçoritë kombëtare të Kosovës. Ai pranon gjithçka që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë”, tha ajo duke iu referuar ofensivës së Bashkimit Evropian për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, Bruksel, 27 shkurt dhe Aneksit të Implementimit në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ajo u shpreh se tashmë duhet që Vuçiç të sqarojë se në çfarë mënyrë do ta pranojë Kushtetuta e Serbisë themelimin e Asocacionit.
“Ku janë ekspertët për të shpjeguar se çfarë po ndodh me Kushtetutën e Serbisë. Ku është Kushtetuta e Serbisë? Nën betimin e Vuçiç, në çfarë mënyrë do ta pranojë kushtetuta Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe?”, tha ajo. /tesheshi.com/