Nëse ankoheni nga temperaturat pak gradë nën zero që kanë goditur ditët e fundit vendin tonë, kujtoni që ka gjithmonë më keq. Mund të ishit banor i qytetit më verior të globit, Norliskut në Rusi, ku temperaturat në këtë periudhë të vitit kanë zbritur në -55 gradë celsius dhe ku dy muaj me radhë ka vetëm natë.
Me 170 mijë banorët e tij, ky qytet i vendosur në skajet veriore të Siberisë është qendra më e madhe e vendosur më pranë Polit të Veriut. Aktiviteti kryesor i banorëve të kësaj zone është miniera.
Acari zgjat më shumë se 180 ditë të vitit, 130 ditë të tjera shoqërohen me stuhi të mëdha dëbore dhe erëra dhe dy muajt e mbetur nga errësira; që do të thotë se nata zgjat 24 orë ose ajo që njihet ndryshe si “nata polare”.
Vendosja gjeografike e bën këtë qytet më të izoluarin në botë. E vetmja mënyra për të arritur atje është përmes rrugëve ajrore ose detare dhe në pak ditë të vitit përmes lundrimit në lumenj, nëse është e mundur.
Në këto kushte ekstreme, komuniteti i vendosur në këtë zonë të Rusisë përpiqet të zhvillojë një jetë normale. Vendet e argëtimit nuk mungojnë, ndërkohë që ato pak ditë me diell dhe me temperaturat 0 gradë, shfrytëzohen në maksimum për të marrë rreze./tesheshi.com/