Nga Bashkim Kastrati
Derisa raportohet për disa qytetarë që po ngrinë nga i ftohti dhe që nuk kanë kulm mbi kokë, disa jetojnë në kontejnerë, ndërsa një pjesë nuk kanë gjerat elementare për mbijetesë në këtë acar, Qeveria e Kosovës ka menduar që të rrisë pagat mëditjet e deputetëve, edhe pse këta të fundit kanë paga dhe mëditje të majme. Është po kjo qeveri që nuk ka para për të shëruar qytetarët e sëmurë, e as të blejë aparatura për t’i trajtuar ata në Kosovë.
Projektligji i përgatitur nga Qeveria e Kosovës, që e ka siguruar gazatafjala, synon që deputetët për çdo pjesëmarrje në seancat parlamentare të marrin nga 297 euro, përveç pagës bazë prej 1488 euro. Aktualisht deputetët për një seancë parlamentare marrin mëditje në vlerë prej 120 euro, derisa 80 euro tjera për një mbledhje të komisionit. Ata përveç pagës mujore prej 1488 dhe mëditjes për seancat parlamentare, marrin edhe para për shujtë dhe shpenzime të rrugës, diku mbi 300 euro. Kjo është rregulluar me vendim të Kuvendit të Kosovës, në të cilën parashihet kompensimi për shpenzimet e udhëtimit për pjesëmarrje të deputetëve në punimet e seancave plenare dhe në komisione nga 10 euro deri në 30 kilometra, kurse nga 20 euro deri në 60 kilometra dhe 30 euro më shumë se 60 kilometra. Deputetët marrin mëditje edhe për vizita zyrtare jashtë shtetit. Ka nga ta që i marrin gjithë këto para, ndërsa nuk kanë marrë mundin as që të flasin ndonjëherë në seancat plenare.
Është e çuditshme tendenca për rritjen e mëditjeve për deputetët nga ana e qeverisë, kur kemi parasysh se vitin e kaluar Kuvendi i Kosovës kishte një përformancë shumë të keqe për shkak të përplasjeve politike.
Këtë e konfirmon edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). Sipas këtij instituti, Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2016 ka pasur një performansë të dobët. Edhe pse Kuvendi do të duhej që gjatë vitit 2016 t’i miratonte 141 ligje, ka arritur që t’i miratojë vetëm 52 prej tyre, që i bie që Kuvendi ka arritur që të përmbush planifikimin në aspektin ligjvënës vetëm për 36 përqind.
Disa deputetë kundërshtojnë që t’i rriten mëditjet
Projektligjin për rritjen e mëditjeve e kanë kundërshtuar deputetët opozitarë si dhe disa deputetë të partive në pushtet që për disa raste të tjera janë deklaruar ndryshe nga partia e tyre, si p.sh Shpejtim Bulliqi, që vjen nga radhët e LDK-së. Ai ka thënë se nuk do ta përkrahë këtë propozim pasi që deputetët në Kosovë, kanë të hyra të mira edhe pa këtë rritje.
Gjithashtu edhe deputeti nga komuniteti egjiptian Veton Berisha, e ka kundërshtuar këtë propozim. “Mendoj dhe konsideroj se deputetët shpërblehen mjaftueshëm bile edhe e tejkaluar në krahasim me punën e disa prej neve që e bëjmë dhe atë duke u bazuar edhe në përkushtimin tonë të sinqertë për ndryshimin e gjendjes ekonomike për qytetarët tonë”, ka deklaruar Berisha.
Edhe deputeti i pavarur Gëzim Kelmendi e ka kundërshtuar këtë projektligj, duke thënë se një propozim i tillë nga qeveria është turp.
“Është e turpshme dhe ofenduese kjo rritje dhe ky luks për politikanët e Kosovës, përderisa qytetarët e Kosovës janë të fundosur në ujërat e varfërisë dhe mospërspektivës. Unë si deputet i Kuvendit të Kosovës, mandatin e kaluar kam kundërshtuar, por edhe këtë mandat do ta kundërshtoj fuqishëm rritjen e meditjeve. Jam për popullin, jam kundër luksit politik”, ka thënë Kelmendi.
Të zëshëm kundër rritjes së mëditjeve kanë qenë edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ata kanë thënë se kjo rritje e mëditjeve është e papranueshme, kur dihet se qytetarët e Kosovës janë duke jetuar në varfëri.
Qytetarët të befasuar me këtë propozim
Projektligji për rritjen e mëditjeve për deputetët ka irrituar qytetarët. Ata thonë se deputetët nuk i meritojnë as këto paga që i kanë, e lërë më të kenë rritje. Shumë prej tyre kanë thënë për tesheshi.com se pagat e deputetëve duhet të jenë të proporcion me gjendjen e përgjithshme ekonomike në Kosovë.
Hajriz Bajra thotë se është e turpshme kjo çka po ndodh në Kosovë. Ai merr shembuj të shumtë të familjeve që e kanë problem mbijetesën dhe e quan “vjedhje” të parave të qytetarëve nga ana e pushtetarëve.
“Kjo është më të lënë mëndet, si ka mundësi që deputetët që jetojnë në një shtet të varfër kur dihet sa familjet po vuajnë për mbijetesë. Kam fqinjë që mezi ia dalin prej muajit në muaj, ka shumë të papunë, ka shumë të sëmurë. Për të gjithë këta nuk mendon askush, ndërsa këta në pushtet mendojnë vetëm për vetën e vet që t’i marrin 3 mijë euro në muaj. As në vendet e Evropës nuk i marrin deputetet aq para edhe pse atje është standardi i lartë dhe ka ekonomi të zhvilluar. Me këta njerëz ne kurrë nuk kemi me përparu”, thotë ai.
Ndërsa Sadik Haxhiaj thotë se deputetëve duhet t’i ulet paga dhe se nuk duhet të ketë fare mëditje, pasi që ata e kanë pagën mujore që janë deputetë.
“Unë nuk po mundem me kuptu se si një deputet duhet të marrë mëditje. Ai e ka rrogën 1500 euro që është zgjedh deputet. Nëse duhet të marrin mëditje për çdo seancë, atëherë pse e kanë rrogën bazë, kjo s’ka kuptim. Pesë minuta me u nënshkrua edhe me dalë i merr 120 euro, apo tash po duan me ua bërë 290 euro. Deputetët nuk do të duhej ta kishin pagën më shumë se 700 euro, sepse kushtet ekonomike janë kështu. Po mirë na e bëjnë, ne i votojmë e jetojmë në varfëri, ata le ti marrin paret duke ndejt e duke ba hajgare”, thotë qytetari Haxhiaj. /tesheshi.com/