Nga Bashkim Kastrati
Edhe pse Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka nevojë për punëtorë shtesë si mjekë specialistë dhe staf mbështetës, një numër i konsiderueshëm i mjekëve specialistë vazhdojnë të punojnë me kontrata të përkohshme. Llogaritet se janë rreth 260 mjekë specialistë, të profileve të ndryshme të cilët nuk kanë kontrata të rregullta të punës.
Qeveria e Kosovës i ka ndarë një buxhet Ministrisë së Shëndetësisë për punësimin e 220 mjekëve me kontrata të rregullta, por, ai nuk ka mjaftuar, ngaqë llogaritet se mbesin edhe 40 mjekë specialistë të profileve të ndryshme, pa punë dhe jashtë sistemit shëndetësor publik.
Në këtë situatë, mjekët e mbetur pa papunë dhe ata që kanë kontrata të përkohshme po shohin mundësitë që të largohen jashtë vendit për të gjetur punë në vendet e tjera. Një dukuri që është e pranishme ditëve të fundit ka të bëjë me shkuarjen në numër të madh të profesionistëve shëndetësor në Gjermani, ndërsa shqetësuese është fakti se një numër i profesionistë po ndjekin kurse të gjuhës gjermane për t’u përgatitur për të shkruar në Gjermani.
Sipas njohësve të kësaj fushe, shkuarja për të punuar në këtë profesion në Gjermani apo vende të tjera të zhvilluara, do të duhej që të ishte e mirëseardhur pasi që secili mund të ndjek ëndrrën e tij, por shqetësues është që kjo është shndërruar në dukuri dhe atyre po iu imponohet që të ikin nga Kosova. Vetëm në tri vitet e fundit llogaritet se ikur mbi 400 mjekë në vendet e Bashkimit Evropian.
Mjekët e vjetër nuk po zëvendësohen me breza të rinj
Xhamajl Selmani, kryetar i sindikatës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka thënë për tesheshi.com se kjo është një çështje mjaftë shqetësuese dhe si sindikatë kanë bërë përpjekje të shumta për të përmirësuar këtë situatë, por që kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Shëndetësisë.
“Sa i përket problemit të punësimit të specialistëve të rinj, organizata jonë sindikale e ka ngritur zërin dhe shprehur shqetësimin, në vazhdimësi. Vendi ynë, fatkeqësisht, nuk i plotëson standardet botërore lidhur me nr. e mjekëve dhe infermierëve për kokë banori”, thotë Selmani.
Ai thotë se aktualisht, në disa spitale të Kosovës kanë mbetur njësi pa specialistë përkatës për shkak të pensionimit të stafit të vjetër mjekësor dhe në anën tjetër, kjo qeverisje e vendit nuk ka strategji e as planifikim lidhur me plotësimin e standardit që e përcakton numrin e punonjësve shëndetësor, gjegjësisht punësimin e punonjësve të ri.
“Mosha mesatare e personelit shëndetësor na ka shkuar nga 35-38 sa e kishim menjëherë paslufte, në 52-55. D.m.th, nuk ka përtëritje të punonjësve shëndetësor. Vëllimi i punës për koke të punëtorit shëndetësor është shumë herë më i madh në raport me numrin e punonjësve të sistemeve shëndetësore të vendeve të cilat na rrethojnë”, thotë Selmani.
Qytetarët mos të kërkojnë ndihmë mjekësore këtë të enjte
Kryesindikalisti Xhamajl Selmani thotë se sindikata që ai përfaqëson përveç sensibilizimit të opinionit, sikur edhe në protestën e fundit ku kanë kërkuar punë për koleget e rinj, nuk kanë mundësi të bëjnë diçka tjetër, sepse ketë punë e ka Qeveria e Kosovës në dorë.
“Në kemi thirrur për greve 24 orësh në ditën e enjte, 27.04.17. I bëj lutje popullatës tonë e cila nuk ka nevoja urgjente që atë ditë të mos kërkoj ndihmën mjekësore në asnjë institucion shëndetësor të Republikës së Kosovës sepse përveç njësive me rëndësi vitale në njësitë tjera nuk do të marrin shërbimet”, theksoi Selmani.
Ai thotë se këtë vendim e kanë marrë si shprehje të pakënaqësisë pasi që veprimet tjera nuk janë marrë në konsideratë nga institucionet relevante, ndërkaq kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për këtë veprim që thotë se janë të detyruar që ta ndërmarrin.
“I bëj lutje opinionit e gjerë që të na mirëkuptojë, sepse greva është e orientuar në përmirësimin e funksionimit të sistemit shëndetësor dhe ngritjen e mirëqenies së punonjësve shëndetësor në tërësi”, u shpreh Selmani.
Kosova, për t’i përmbushur standardet evropiane, thonë ekspertë të fushës, duhet që t’i punësojë në institucionet publike shëndetësore edhe dy mijë mjekë e pesë mijë infermierë, aq sa edhe nevojiten për kokë banori. /tesheshi.com/