Qytetarët rumunë mbushën rrugët për të tretën mbrëmje rresht ditën e shkuar, duke protestuar kundër dekretit që i dekriminalizon një pjesë të veprave korruptive dhe u jep mundësi të dënuarve për korrupsion të lënë burgun.
Mijëra njerëz në Bukuresht dhe në njëzet qytete të tjera të vendit kërkuan dorëheqjen e qeverisë. Protesta e një dite më parë, sipas mediave, ishte mes atyre me përmasa më të mëdha në Rumani që prej rënies së komunizmit në fundin e viteve ’80 të shekullit të shkuar.
Zemërimi i protestuesve u shtua me këmbënguljen e qeverisë për të mos e tërhequr dekretin e shumëkundërshtuar.
Kryeministri Sorin Grindeanu e bëri të qartë se qeveria nuk do ta tërheqë dekretin, duke e thelluar krizën politike në vend.
“Ne morëm një vendim në qeveri dhe do të bëjmë përpara,” deklaroi ai pas një takimi në kryeqytetin rumun me socialdemokratët, qeverisësit e vendit.
Një prej ministrave të tij, ai i Tregtisë, Florin Jianu, dha megjithatë dorëheqjen, duke e quajtur atë një vendim etik. /tesheshi.com/