Ministra e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Kosovë, përmes një vendimi ka pezulluar përkohësisht autorizimin për peshkim sportiv rekreativ, si dhe të gjitha aktivitetet në kuadër të këtij sektori.
Ky vendim i marrë nga Sekretari i Përgjithshëm i MBPZHR-së vjen pas raportimeve për keqpërdorim dhe dyshimeve për falsifikim të autorizimeve për peshkim nga Federata e Peshkatarëve Sportiv Rekreativ e Kosovës.
Në një komunikatë për media të kësaj ministrie thuhet se ky vendim ka ardhur po ashtu edhe si pasojë e mosmarrëveshjeve dhe kontestimeve mes dy kryesive, gjë që kanë sjellë probleme në terren dhe hapësirë për keq menaxhim, është arsyeja tjetër e vendimit në fjalë.
“Ministria dëshiron të sqarojë se do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të hetuar çdo keqpërdorim dhe keq menaxhim të supozuar të autorizimeve që i lëshon. Konfirmojmë po ashtu se vendimi mbetet në fuqi deri në sqarimin e të gjitha çështjeve të raportuara”, thuhet në komunikatë. /tesheshi.com/