Qeveria hollandeze e Kryeministrit Mark Rutte do të japë dorëheqjen kolektive pasi mijëra familje u akuzuan në mënyrë të gabuar për mashtrim në pagesat e fëmijëve dhe u desh të kthejnë paratë.
Familjet kanë vuajtur “padrejtësi të paparë”, tha Rutte.
Shumë prej tyre janë me origjinë migrante dhe qindra e kanë gjetur veten në telashe financiare.
Sipas mediave, Rutte më vonë do t’ia dorëzojë mbretit dorëheqjen e të gjithë qeverisë.
Ky vendim vjen në një kohë të ndjeshme në luftën kundër pandemisë COVID 19.
Vendi është i mbyllur dhe ministrat po shqyrtojnë masa edhe më të rrepta për të luftuar infeksionin. Qeveria e Rutte pritet të drejtojë vendin deri në zgjedhjet parlamentare në mars.
Kjo nuk është hera e parë që qeveria hollandeze jep dorëheqjen si një shenjë e përgjegjësisë kolektive. Në 2002, kabineti dha dorëheqjen pasi media kritikoi ministrat dhe ushtrinë për dështimin për të parandaluar masakrën e Srebrenicës në 1995 në Bosnjë. /tesheshi.com/