Nga Mensur Krasniqi
Pas presionit të madh të qytetarëve ndaj qeverisë sw Shkupit, jo-zyrtarisht mësohet se kjo e fundit përfundimisht solli vendim për mbylljen e fabrikës së Jugohromit.
Vendimi, sipas spekulimeve që po sillen nëpër mediume të ndryshme në Maqedoni, është marrë me propozim të ministrave nga rradhët e BDI-së, ndërkohë që arsyeja e vendimit është ndotja e ajrit në rajonin e Tetovës.
Qeveria kishte paralajmëruar se të martën do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar këtë çështje, mirëpo kjo mbledhje u prolongua për të mërkurën ku edhe thuhet se u soll vendimi që “Jugohromi” të pezullojë aktivitetin e saj prodhues nga 31 dhjetori deri në fund të muajit shkurt, vitin e ardhshëm.
Pritet që gjatë ditës qeveria të dalë me njoftim zyrtar mbi rrjedhjen e mbledhjes së djeshme dhe çështjeve që janë diskutuar në atë mbledhje.
Sakaq, organizata joqeveritare “Eco Guerilla”, pas protestave të organizuara të premten, i dha ultimatum qeverisë për zgjidhjen e çështjes së fabrikës së Jugohromit deri më 25 dhjetor, në të kundërtën nga ka paralajmëruar se do ta bllokojnë Tetovën, gjegjësisht rrugët dhe institucionet.
Ky lajm është një gëzim i madh për të gjithë qytetarët e Tetovës, të cilët shpresojnë se me mbylljen e Jugohromit përfundimisht do të ndalojnë së thithuri ajrin e ndotur.
Ndërsa në rrjetin social Facebook, ish-kryeredaktori i Alsat-M, Muhamed Zekiri, kritikues i ashpër i koalicionit qeverisës VMRO-BDI, ka shkruar:
“JUGOHROMI u mbyll!!!
Qeveria më në fund mori vendimin e duhur vetëm pas presionit të madh publik.
Presioni publik i të gjithve dha rezultat.
Kjo është dëshmi se nuk duhet të heshtim dhe duhet të ngrisim zërin tonë ndaj çdo të keqe!!!”, shkroi Zekiri.
/tesheshi.com/