Nga Bashkim Kastrati
Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, tash e sa muaj ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Përveç partive opozitare që e kanë kundërshtuar dhe po e kundërshtojnë në mënyra të ndryshme, edhe shumë ekspertë të fushës së gjeografisë kanë argumentuar me fakte se Malit të Zi po i falen mbi 8 mijë hektarë të Kosovës.
Pavarësisht paraqitjes së shumë hartave dhe fakteve të ndryshme, Qeveria e Kosovës është këmbëngulëse se Demarkacioni siç është përcaktuar nga komisioni shtetëror do të miratohet dhe se kjo duhet të ndodh sa më parë.
Me këtë qasje, qeveria e Kosovës ka dalë kundër të gjithëve, si ekspertëve që thonë se Demarkacioni duhet rinegociuar, banorët e asaj anë thonë se demarkacioni duhet rinegociuar sepse duan të mbesin në Kosovë ku kanë qenë, Qeveria e Malit të Zi ka dalë me një qëndrim se është e gatshme që të rinegociojë për Demarkacionin me Kosovën. Gjithashtu, ndërkombëtarët, përmes përfaqësimit diplomatik në Kosovë kanë deklaruar se asnjëherë nuk e kanë mbrojtur një vijë apo tjetrën, sepse ajo është çështje në mes dy shteteve, por kanë ritheksuar rëndësinë e përfundimit të procesit sa më shpejtë.
Ndër ta ka edhe deputetë të koalicionit qeverisës (PDK-LDK) që kanë dalë kundër Demarkacionit, por as ata nuk po merren parasysh.
Pra, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili edhe e ka nënshkruar Demarkacionin, janë të palëkundur në qëndrimet e tyre.
Në këtë debat së fundi është përfshirë edhe profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Zejnullah Gruda. Ai mbrëmë në “Rubikon” ka deklaruar se bazuar në njohuritë që ka Mali i Zi aktualisht ka hyrë 6 kilometra në territor të Kosovës.
Gruda ka thënë se vija kufitare me Malin e Zi është në Çakorr. Ka treguar se ka shkuar e ka vizituar pikën kufitare dhe ka parë se vija kufitare ka lëvizur.
Ai thotë se ne duhet ta marrim guxim e t’u themi “Jo” miqve amerikan, sepse jemi sakrifikuar shumë deri tash.
“Komisioni për Demarkacion duhet të shkarkohet dhe me palën tjetër duhet kërkuar rinegociata”, ka thënë profesor Gruda i cili vlerëson se të gjitha vendimet e marra nga ky komision duhet të anulohen.
“Pronat private tregojnë vetëm pronarin juridik të tokës”, ka thënë Gruda duke sqaruar se ajo çfarë kërkohet është ndarja e sovraniteteve dhe nuk është e njëjtë me ndarjen kadastrale.
Gjithashtu, edhe deputeti i PDK-së Nait Hasani, sot ka ripërsëritur qëndrimin e tij kundër Demarkacionit me Malin e Zi. Ai ka deklaruar se nuk do ta votojë këtë marrëveshje, pasi e vlerëson se është në dëm të shtetit.
“Për këtë çështje unë kam marrë vendim shumë kohë më parë, vendimi im është i ditur, s’do ta votoj atë”, ka thënë Hasani.
Kriteri i padrejtë i Bashkimit Evropian
Situata është komplikuar edhe më shumë pasi që përfundimi i procesit të Demarkacionit është vendosur si kusht nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, kriter ky që nuk ishte vendosur për asnjë vend që ka kaluar nëpër procesin e liberalizimit të vizave.
Në anën tjetër, opozita është e vendosur që ta kundërshtojë, por edhe ta pengojë me çdo kusht miratimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi si të tillë. Nëse arrihet kjo, Kosova do të humbte liberalizimin e vizave dhe ende nuk dihet se cili do të ishte reagimi i qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë shumë vite që presin për të lëvizur pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.
Analistët thonë se kjo situatë do të krijonte sërish tensione politike, pasi që partitë që janë në pushtet do të akuzonin partitë opozitare për privimin e qytetarëve nga e drejta për të lëvizur pa viza.
Qytetarët në konfuzion
I gjithë ky debat dhe këto kundërshtime që po bëhen tash e sa muaj në lidhje me çështjen e Demarkacionit kanë hutuar edhe qytetarët. Ata thonë se nuk e dinë kujt t’i besojnë, por të gjithë të intervistuarit nga tesheshi.com kanë deklaruar se është më rëndësi që të përfaqësohen interesat e qytetarëve.
“Ka një kohë që kjo temë është e pranishme, ne po dëgjojmë argumente të ndryshme dhe të kundërta. Tash po flitet se mund të bllokohet edhe liberalizimi i vizave, por më së miri kjo punë të shqyrtohet edhe njëherë nga të gjitha palët dhe të merren vesh. Unë jam për të mos i falur tokë asnjë vendi fqinjë pavarësisht se a na bllokohet liberalizimi”, ka thënë Avdi Bajraktari, qytetar nga Prishtina.
Ndërsa Rexhep Hasani thotë se liberalizimi dhe demarkacionit duhet të jenë dy procese të ndara dhe të mos ketë kushtëzime të tilla.
“A jam që ta marrim liberalizimin duke e miratuar këtë Demarkacionin, kisha thënë që jo. Unë nuk i kuptoj këto çështje në aspektin profesional, por të gjithë ekspertët po e argumentojnë se ky demarkacion është gabim dhe se po i falet tokë Malit të Zi. Kosova është e vogël dhe me i falë territor fqinjëve nuk kemi. Kjo gjë nuk duhet që të ndikohet nga liberalizimi, edhe nëse mbesim të izoluar s’ka rëndësi jemi mësuar, por territor nuk bën ti falet askujt”, thotë ai. /tesheshi.com/