Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një deklarate ka sqaruar arsyet pse nuk është bërë kërkesa për anëtarësim në UNESCO.
Sipas kësaj deklarate, mosdorëzimi është bërë pas koordinimeve me SHBA-në dhe BE-në.
“Shtyrja pragmatike e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Interpol dhe UNESCO është e mbështetur në koordinimin e plotë dhe të ngushtë me SHBA-të dhe vendet e tjera të Kuintit.
Ministria e Punëve të Jashtme rithekson se Qeveria e Republikës së Kosovës vepron në mënyrë koordinuar, të matur, të përgjegjshme dhe në mbrojtje të interesit nacional të Republikës së Kosovës.
Pretendimi tjetër për krijimin e narracionit negativ te publiku është i paarsyeshëm dhe joprofesional.
Ministria e Jashtme vlerëson se këto veprime i kontribuojnë forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve me shtetet partnere dhe aleate, garantimit të sigurisë si dhe promovimit të paqes në rajon”, thuhet në reagim. /tesheshi.com/