Zhvillimet aktuale të politikës në Shqipëri, bëjnë që të kthehet koka sa herë pas, atëherë kur dhe u hodhën themelet e të sotmes, sidomos në themelimin dhe strukturimin e frymës së disa partive, ku veçohet gjithnjë PD-ja, e cila së bashku me PS-në prodhojnë histori pa fund zhvillimesh të brendshme me plot paradokse.
Javë më parë në, në Top Story, lideri demokrat de facto, Sali Berisha, do shprehej me ditirambe ndaj të ndjerit Hajdari, duke iu shmangur mjeshtërisht të komentuarit të përplasjeve me të. Tropojanë që të dy, kokëshkretë në disa drejtime, me tipar përbashkues origjinën, njëri Profesor e tjetri student, ata u shfaqën që në fillim krah njëri-tjetrit, herë si aleatë e herë si rivalë brenda së njëjtës familje politike.
Dhe ishte qershori i vitit 1993, kur brenda Partisë Demokratike po finalizohej faza e parë e luftës ndaj “grupeve armiqësore” në këtë parti. Ishin larguar mocionistët por në PD nuk ishte gjetur ende qetësia. Azem Hajdari, themelues i PD-së, kreu i Lëvizjes Studentore. njëherësh kryetar i parë i PD-së, po sulmohej ashpër nga pushteti i Berishës, përmes zyrtarëve të Partisë Demokratike në parlament e institucione të tjera. Më 12 qershor 1993, Azem Hajdari publikoi në media një deklaratë përmes të cilës ai bënte të ditur se po përgjohej në mënyrë të kundraligjshme nga Shërbimi Informativ Kombëtar i drejtuar nga Bashkim Gazidede. Zyrtarët e PD-së e kundërshtuan akuzën e Hajdarit dhe debati u pasqyrua në seancën parlamentare të 13 qershorit 1993.
I bindur se ishte përgjuar nga SHIK-u i Gazidedes, Azem Hajdari kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e pretendimeve të tij. Kuvendi i drejtuar nga kryetari Pjetër Arbnori, ngarkoi Adem Zyberin, (PS), nënkryetar i komisionit të Mbrojtjes, SHIK-ut dhe Rendit, si dhe Llazar Lëngun (PD), që të shkojnë e të kontaktojnë me Gazideden. Një informacion që ata lexuan, dy ishin elementët kryesorë: e para, Gazidede deklaroi se kishte vepruar mbi bazën e ligjit, duke lënë të nënkuptohet që lejen për survejim e kishte marrë nga Kuvendi; dhe e dyta, shefi i SHIK-ut, nuk i kishte lejuar dy deputetët që të shkonin listën e dosjeve të hapura, duke iu kërkuar autorizim nga Prokuroria.
Në seancën parlamentare pati debate shumë të forta, kryesisht mes Arbnorit e Hajdarit deri në momentin kur kreu i Kuvendit vendosi ta përjashtojë nga seanca njeriun simbol të Dhjetorit `90. Në këtë situatë të tensionuar, Berisha dërgoi haberin që të mblidhej grupi parlamentar i PD-së ku do të ishte edhe vetë i pranishëm.
Ja si pasqyrohet në mediat e kohës ajo mbledhje dhe tensioni brenda PD-së me protagonist Azem Hajdarin. Interesant është fakti se Berisha i del në krah atij, edhe pse siç kupohej i kishte ndërsyer SHIK-un.
Shkrimi gazetës “Aleanca”, 13 qershor 1993
Azem Hajdari proteston kundër përgjimit të SHIK
“Grupi parlamentar i PD-së u fut në një mbledhje e cila zgjati deri rreth mesnatës. Në të mori pjesë edhe presidenti i panshëm i Republikës, zoti Berisha. I aftë si gjithmonë për të bërë kthesa të forta në hapësira të ngushta, Berisha iu kundërvu papritur krahut radikal, duke i dhënnë një mbështetjë të hapur Hajdarit dhe Nismës së RE politike, ç’ka e nxorri në një pozicion qesharak Petrika Mingën i cili kishte propozuar heqjen ish-liderit të Dhjetorit nga posti i kryetarit të komisionit të Rendit dhe SHIK-ut. Megjithatë kjo nuk ishte surpriza e fundit e presidentit Berisha. Në vijim të sensibilizimit të përgjithshëm të opinionit për problemin e dosjeve dhe akuzave ndaj eksponentëve të PD për ushtarë të shërbimit sekret komunist, deputetët thanë se hapje dosjesh nuk do të ketë. Kështu u nxorrë jashtë loje një tjetër zyrtarë i lartë shqiptar, kryeministri Meksi, i cili jo shumë kohë më parë është deklaruar në mënyrë pozitive për këtë problem në faqen e gazetës tonë. Pra as hapje, as mbyllje dhe shantazhet do të vazhdojnë.
Episodi i fundit parlamentar dhe mbledhja që pasoi, duhej të shënonin “disiplinim” e ish-studentit Hajdari. Mirëpo, si gjithnjë kur në mes futet Berisha, ngjarjet morrën një udhë të paparashikuar, duke projektuar në ekran një nga fytyrat e presidentit, atë të të moderuarit. Megjithatë nuk duhet harruar se ai posedon edhe diapozitat me fytyrat e tjera të cilat mund t’i përdorë në rastin më të parë. Dita që pasoi, pasqyroi mjaft qartë trubullirën që kishte lënë përplasja e një dite më parë. Në paraditen e së mërkurës nuk u zhvillua seanca plenare dhe në podiumin e sallës projektorët nuk u ndezën fare, shenjë kjo e sigurt që nuk do të kishte seancë. Ndërsa anonimati i zakonshëm lajmëroi shtyrjen e punimeve për pasdite në orën 17:00. Në hapje të seancës së pasdites, Arbnori lexoi deklaratën që i hoqi Hajdarit të drejtën për të shkelur në sallë për një javë rresht si dhe rrogën për seancat respektive. Kjo lëvizje e papritur qe një gjest force ndaj deputetit kryeneç i cili nuk pranoi të dilte nga salla duke kërkuar të ngrihej më parë komisioni për verifikimin e pretendimeve të tij. Të njëjtën gjë mbështeti deputeti Laço dhe si dhe Arben Imam i cili protestoi ndaj sjelljes që parlamenti po mbante ndaj Azem Hajdarit. /tesheshi.com/