Opozita jashtëparlamentare PD-LSI ka marrë një paralajmërim të fortë nga Uashingtoni, ku, nëpërmjet Mattheë Palmer, Zëvendës Ndihmës-Sekretar i Shtetit në SHBA, i është bërë e qartë se nuk mund t’i pengojë zgjedhjet e 30 qershorit, e gjithashtu nëse ushtron dhunë ne protesta, do të mbajnë përgjegjësi.
Zyrtari i lartë amerikan dhe një intervistë për TCH, ku dhe njëherë e bëri të qartë qëndrimin e SHBA karshi krizës shqiptare dhe palëve të saj…
Palmer, nga vizita juaj e fundit në Shqipëri, a ka ndryshuar ndonjë gjë në pozicionin tuaj lidhur me krizën politike shqiptare?
Pozicioni i SHBA nuk ka ndryshuar lidhur me situatën politike në Shqipëri. Djegia e mandateve parlamentare, bojkoti i zgjedhjeve, dhuna që kemi parë në protestat e organizuara politikisht janë, në themel, në kundërshtim me praktikat demokratike. Siç e thashë gjatë vizitës sime të fundit në prill, dhe po e përsëris për ju, partitë e opozitës duhet të kërkojnë një shteg drejt dialogut me qeverinë lidhur me reformën zgjedhore. Duhet të punojnë së bashku me autoritetet për të trajtuar rekomandimet që OSBE/ODIHR nxorën pas zgjedhjeve në vitin 2017 dhe 2015 në Shqipëri. Këto janë një numër çështjesh, përfshi blerjen e votes, kërcënimin e votuesve, si dhe praktika të tjera, të cilat duhet të trajtohen dhe reforma zgjedhore është e vetmja zgjidhje.
Palmer, gjatë vizitës tuaj të fundit në Shqipëri, ju bëtë të qartë se dhuna gjatë protestave të opozitës nuk është e pranueshme. Në të njëjtën kohë, ambasada e SHBA në Tiranë ka nxitur me këmbëngulje për protesta paqësore dhe pa dhunë. Megjithatë, këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga organizatorët e protestave. A jeni të zhgënjyer për të gjithë këtë?
Më lejoni të jem shumë i qartë: dhuna nuk ka vend në demokraci. Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtën Demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Megjithatë, përdorimi i përleshjeve fizike apo mjeteve shpërthyese si mjete proteste është jo vetëm jodemokratik, por është edhe i paligjshëm. Shënjestrimi me fishekzjarre dhe molotov i oficerëve të policisë dhe ndërtesave publike nuk janë akte paqësore. Ata që përfshihen në aktivitete të tilla të dhunshme kryejnë krim dhe duhet të mbajnë përgjegjësi.
Iu kemi bërë thirrje në mënyrë të përsëritur udhëheqësve të opozitës, sidomos Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi që të dënojnë publikisht aktet e mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me hetimet që synojnë të identifikojnë autorët individualë dhe vënien e tyre para përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të rregullta dhe paqësore. Dhuna e ushtruar nga protestuesit është në kundërshtim me synimet e deklaruara të partive opozitare për të pasur një demokraci të fortë europiane.
Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Ka qenë shumë e qartë në të kaluarën që kur drejtuesit duan që protestat që të jenë paqësore, ato kanë qenë paqësore. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të bëjnë hapa pas nga konfrontimi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv që synon t’i japë fund ngërçit politik.
A po përpiqet Departamenti i Shtetit i SHBA që të negociojë në ndonjë mënyrë midis qeverisë dhe opozitës për t’i ulur në tryezën e dialogut?
Jo. Kemi ofruar këshillat tona të sinqerta mbi një mënyrë për të dalë nga ngërçi. Megjithatë, ka ardhur koha që udhëheqësit shqiptarë të lënë mënjanë interesat e tyre politike dhe të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë. Nuk do ta negociojnë Shtetet e Bashkuara zgjidhjen për ta.
Për politikanët shqiptarë që mbështesin dhe promovojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi dhunën gjatë protestave, a do të kenë pasoja nga Qeveria e SHBA, si për shembull vendosja në një listë të zezë apo refuzimi i vizave amerikane?
Nxitja e dhunës nga kushdo është një fyerje për popullin shqiptar dhe duhet dënuar nga të gjithë. E kemi bërë të qartë kundërshtinë tonë ndaj dhunës si instrument politik. Pengimi i një procesi zgjedhor potencialisht përbën arsye për moskualifikim për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Cilët janë politikanët shqiptarë në “listën e zezë” të SHBA, të cilëve iu janë revokuar vizat amerikane?
Nuk mund të flas për hollësitë e ndonjë rasti specifik vize. Megjithatë, do të nënvizoj përkushtimin e SHBA për të përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të mbështetur luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për të promovuar llogaridhënie, transparencë dhe qeverisje të mirë. Kjo përfshin përdorimin e autoriteteve të caktuara për sanksione për vizat kur të jetë me vend.
Palmer, në shkurt 2019, ju bëtë dy telefonata, me Z. Lulzim Basha dhe Znj. Monika Kryemadhi, ku kërkuat të mos hiqnin dorë nga mandatet. Edhe në Tiranë, ju iu kërkuat të qëndronin larg dhunës në protesta. Sugjerimet tuaja miqësore janë injoruar. A është e drejtë të thuhet se se opozita shqiptare e ka vendosur veten në një kurs përplasjeje të fortë me SHBA, që konsiderohet aleati ynë i madh?
Do të donim të shihnim qeverinë të ndërmarrë reformat e nevojshme kushtetuese për ta bërë Shqipërinë një demokraci më të fortë. Kemi punuar me të gjithë drejtuesit shqiptarë për t’i arritur këto synime të rëndësishme, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë miq dhe aleatë të mëdhenj, por ka raste kur nuk biem dakord. Dhe biem dakord të mos biem dakord. Megjithatë, presim që kur nuk biem dakord, çdo aktor politik që e quan veten apo patriot dhe ka për zemër interesat e popullit shqiptar, të demonstrojë sjellje të përgjegjshme. Kjo do të thotë fjalë të përgjegjshme dhe veprime të përgjegjshme, për të refuzuar dhunën dhe për të gjetur zgjidhje nëpërmjet institucioneve demokratike.
A duhet të zhvillohen zgjedhjet e 30 qershorit apo duhen shtyrë, siç ka kërkuar opozita?
Data e zgjedhjeve është një vendim që e marrin shqiptarët dhe data 30 qershor u vendos nëpërmjet procedurave të përcaktuara të Shqipërisë. Ne kemi në plan të kemi vëzhgues zgjedhjesh nga SHBA edhe si pjesë e misionit të ODIHR edhe si pjesë tonën për të vëzhguar zgjedhjet e 30 qershorit. Kjo është pjesë e punës sonë normale dhe diçka që e kemi bërë në Shqipëri prej vitit 1992.
Opozita ka bojkotuar zgjedhjet vendore. A do t’i njihni këto zgjedhje pa opozitën? Kryeministri Edi Rama ka thënë se “kushdo që do të përpiqet të pengojë njerëzit të shkojnë për të votuar në qendrat e votimit do të kryejë një krim zgjedhor dhe nuk do të jetë në gjendje të udhëtojë në SHBA.” A ka ndonjë ligj amerikan që e mbështet një pretendim të tillë të Kryeministrit Edi Rama?
Kur isha në Tiranë në prill, e nxita opozitën të merrte pjesë në zgjedhje, t’ia përcillte mesazhin e saj qytetarëve, të fitonte pozicionin në qeveri, dhe pastaj ta përdorte fitoren si mjetin për të mbajtur angazhimet dhe vizionin për të ardhmen. Ishte vendimi i udhëheqësve të opozitës, dhe vetëm i tyre, që të mos regjistroheshin për zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk mund të fitosh zgjedhjet nëse qëndron jashtë tyre dhe përdorimi i bojkotit për të penguar zgjedhjet vendore të një vendi të tërë nuk ndihmon për ndërtimin e institucioneve më të forta demokratike. I kemi paralajmëruar drejtuesit e opozitës të mos pengojnë procesin zgjedhor, çka siç e vërejta, mund të përbënte shkak për të mos u kualifikuar për të hyrë në SHBA.
Ditën e zgjedhjeve, ekipet tona të ambasadës do të vendosen në qendra votimi për monitorim zgjedhor. Kemi në plan të shqyrtojmë raporitmet për monitorimin zgjedhor të ekipeve tona si dhe ato të ODIHR.
A mendoni se qeveria e KM Edi Rama ka bërë mjaftueshëm për ta zgjidhur këtë krizë politike?
Shqipëria ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave dhe legjitime. Mendojmë se është diçka e pafat që opozita vendosi të largohej nga parlamenti dhe refuzon të marrë pjesë në zgjedhjet vendore. Po ashtu, është e pafat që partitë refuzojnë të angazhohen në dialog pa parakushte, çka e bën zgjidhjen shumë të vështirë. Deri në atë masë sa është e mundur, nxisim të gjitha partitë të kërkojnë një mënyrë për të lundruar drejt një daljeje nga ky ngërç politik.
Cila është pikëpamja e Departamentit të Shtetit lidhur me mënyrën si po shkon reforma në drejtësi dhe a keni ndonjë shqetësim?
Më lejoni të ritheksoj atë që thashë kur isha në Shqipëri në prill. Reforma në drejtësi për Shtetet e Bashkuara përfaqëson një rrugë përpara për popullin shqiptar drejt një të ardhmeje më të mirë, drejt një të ardhmeje europiane në paqe dhe begati, dhe një marrëdhënie llogaridhënieje midis popullit dhe qeverisë së tij. Ajo është zemra dhe shpirti i të gjitha përpjekjeve për reforma këtu. Është diçka në të cilën Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë përpjekje dhe energji, diçka që e shohim si qendrore për aspiratat e Shqipërisë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Reforma në drejtësi është legjitime, kushtetuese dhe e pakthyeshme.
Në këtë moment janë duke u ngritur institucionet e reja të drejtësisë. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuar për të ndihmuar për forcimin e këtyre institucioneve dhe për të punuar për t’u siguruar që askush të mos jetë mbi ligjin. Ligji duhet aplikuar në mënyrë të barabartë dhe të drejtë, për të siguruar llogaridhënie gjyqësore.
Sigurisht që duam që SPAK dhe BKH të ngrihen dhe të funksionojnë sa më parë. E dimë që është një process i gjatë e sfidues por i nevojshëm që duhet të kryhet si duhet. Po ashtu, duam që Gjykata Kushtetuese të funksionojë normalisht, por vetingu ka treguar që ish-gjykatësit kishin treguar sjellje të korruptuar dhe problematike, dhe rruga përpara nuk mund të përfshijë kthimin tek gjyqtarët e emëruar politikisht. Së shpejti, Presidenti Meta do të ketë shansin të zgjedhë një gjyqtar për Gjykatën Kushtetuese nga një listë avokatësh të kualifikuar. Shqipëria është pranë finalizimit të një sistemi të pavarur drejtësie për të mirën e Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë. Dhe duhet të qëndrojë në këtë rrugë.
A e mbështesni Shqipërinë në hapjen e negociatave me BE dhe si e shikoni qëndrimin e disa vendeve të BE kundër kësaj?
Ne mbështesim plotësisht rekomandimin e Komisionit Europian për të hapur bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë, bazuar në përmbushjen prej saj të kushteve të përcaktuara nga Këshilli Europian vitin e kaluar. Po ashtu, jemi në një mendje me gjetjet e Komisionit se Shqipëria ka bërë përparim të prekshëm në zbatimin e reformës në drejtësi dhe ndërmarrjen e veprimeve kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ka ende shumë punë për të bërë, por është e rëndësishme të njihen reformat që Shqipëria i ka kryer. Vendimi përfundimtar do të jetë i Këshillit Europian, por ne mbështesim plotësisht hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë.
Pavarësisht nga vendimi këtë vit, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me partnerët tanë shqiptarë dhe të BE për të siguruar integrimin me sukses të Shqipërisë në BE, përfshi mbështetjen tonë të plotë për zbatimin në proces të reformave gjyqësore legjitime dhe kushtetuese.
Marrë nga TCH