Nga Leontxo García, El Pais
Geri Kasparov, 61 vjeç, e di se ai mund të vritet në çdo moment. Kjo sepse zë një vend të spikatur në listën e zezë të Vladimir Putinit, dhe e konsideron veten si “më radikali nga kundërshtarët e tij”.
Në vitin 2005 – pasi ishte shahisti numër një në botë për dy dekada – u tërhoq nga ky sport për t’iu kundërvënë liderit rus. Tani drejton Fondacionin për të Drejtat e Njeriut dhe Nismën për Ripërtëritjen e Demokracisë (RDI), vazhdon të botojë libra dhe mbajë konferenca.
Kasparov, që deri më sot ka vizituar 104 vende, jeton në Nju Jork që nga viti 2013, ku dhe foli për ne. Zëri i tij tingëllon i fortë dhe i fuqishëm, edhe kur flet për kërcënimet ndaj jetës së tij. Por meket paksa, kur flet për nënën e tij burrneshë, e cila vdiq në ditën e Krishtlindjeve në viti 2020. Ai nuk mundi të merrte pjesë në funeralin e saj në Moskë.
Deri në vitin 2012, tre liderët më të njohur të opozitës ndaj Putinit ishin Boris Nemcov (i vrarë në 2015-ën), Aleksei Navalni (që u helmua, u burgos dhe vdiq 4 muaj më parë në rrethana të pashpjegueshme në burg) dhe ju. Putin ju ka vendosur në listën e tij të “terroristëve dhe ekstremistëve”. A mund të jeni viktima e radhës?
Ndoshta po, por ndoshta jo. Kush e di? Më konsiderojnë armik të shtetit… dhe jam i tillë. Përfshirja në atë listë është një tjetër shenjë. Por unë s’dua të mendoj për këtë, pasi ajo nuk i ndryshon bindjet e mia. Shumë nga miqtë apo bashkëluftëtarët e mi kanë vdekur ose gjenden në burg.
Shumica prej nesh janë në mërgim. Nemcov dhe Navalni ishin më të njohurit, por lista është shumë e gjatë. Ironia është se ne nuk kemi kryer ndonjë akt terrorist. Ata që na përndjekin janë terroristët dhe hajdutët. Por kjo është situata këtë vit, ku lufta quhet paqe. Dhe s’do të ketë zgjidhje për sa kohë që Putin mbetet në pushtet.
Por si arrini të jetoni me frikën e vrasjes?
Nuk e mendoj atë, nuk më zë paniku. Nuk mund të bëj asgjë përveçse të minimizoj rreziqet, sepse nuk dua të tradhëtoj parimet e mia, miqtë e mi, veçanërisht ata që kanë vdekur. Nga ana tjetër marr masa sigurie; udhëtoj shumë më pak se më parë. Nuk shkoj në vende, ku e di se do të jem në rrezik serioz, dhe e mbroj veten shumë në të tjerët. Për shembull, nuk do të shkoja kurrë në Vjenë, Londër, Dubai, Hungari apo Turqi pa masa shumë të rrepta sigurie, sepse në ato vende ka shumë agjentë rusë. Nuk mund të ndalem së bëri atë që kam bërë për kaq shumë vite. Po ashtu nuk mund të tregoj dobësi, pasi kjo nuk është një shenjë e mirë për një udhëheqës.
Ju jeni shprehur në një rast: “Nuk mund ta duroj dot perspektivën që fëmijët e mi të jetojnë në një diktaturë të maskuar si demokraci”. Sot situata është shumë më e keqe se në atë kohë. Shpresoni ende se do të ktheheni një ditë në një Rusi demokratike?
Dy fëmijët nga martesa ime e fundit jetojnë në një vend të lirë si SHBA-ja. Dhe unë ende shpresoj që një ditë të rikthehem në një Rusi demokratike. Ky proces mund të zgjasë një vit, dy, ose më shumë… por besoj se do të ndodhë. Është thelbësore që të gjithë ta kuptojnë se lufta do të vazhdojë për sa kohë që Putini të jetë në pushtet. Sepse Putin do të thotë luftë, me një ekonomi të dëmtuar dhe mashtruese, pasi bazohet në shtypjen e parave të gatshme dhe shpenzimin e tyre për luftë. Dhe është veçanërisht e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë këtë në Evropë. Nëse Ukraina nuk e mund Rusinë në këtë luftë, do të ketë një luftë tjetër. Putini nuk mund të ndalet dhe tashmë ka lënë të kuptohet se cilat do jenë hapat e tij të radhës. Objektiv mund të jetë Moldavia ose vendet baltike, por lufta është ajo që e mban gjallë. Dhe ai është i gatshëm t’i kapërcejë të gjitha vijat e kuqe.
A është ende një perandori Rusia?
Po, dhe është perandoria e fundit e vërtetë, pasi Kina nuk po sillet si e tillë. Dhe kjo është një arsye shtesë për të synuar që Rusia ta humbasë luftën, sepse ka të ngjarë që më pas të pushojë së qeni një perandori dhe të ketë një vend midis vendeve demokratike.
A ka ndonjë të vërtetë në klishenë, sipas së cilës shumë rusë kanë nevojë për një Car, për një njeri të dorës së fortë, në krye të vendit?
Ideja se kombe të tëra mund të vetë-nënshtrohen e enkas për t’u qeverisur nga lideri i tyre i ‘dashur’, nuk i reziston analizave historike. Shihni Korenë e ndarë për 70 vite: Veriu është siç thoni ju, por Jugu është një demokraci shumë e përparuar. Apo Gjermaninë e vjetër, Lindje dhe Perëndim. Apo Kinën dhe Tajvanin.
Historia na tregon se vendet me një traditë më të madhe demokratike, si ato anglo-saksone apo skandinave, funksionojnë më mirë. Por asnjë vend nuk pengohet të ketë institucione demokratike autentike. Mbështetja për Putinin është kryesisht pasive. “Lufta është luftë, e çfarë mund të bëjmë?”- thotë. Për më tepër, nga makineria e luftës përfiton elita.
Është e vërtetë që sanksionet mund t’i pengojnë ata të shijojnë pallatet e tyre në Paris ose Marbella, por ata kanë gjetur tashmë disa mënyra për të jetuar shumë mirë. Duke qenë se po flasim për një diktaturë fashiste, nuk mund të presim që elitat të rebelohen. Sot, në Rusi, mund të burgosesh edhe vetëm për një postim në Twitter. Mënyra e vetme për ta dobësuar pozitën e Putinit, është që rusët të mendojnë se mund ta humbasin luftën.
Në një intervistë që dhatë për një televizion spanjoll në fillim të pushtimit të Ukrainës, ju thatë se s’duhet të kemi frikë nga përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore nga Putin, pasi për të shtypur atë buton, nuk mjafton gishti i tij: duhen të paktën gishtat e dy njerëzve të tjerë. Por duke e njohur Putinin, sa të sigurt mund të jemi se ai nuk do t’i detyrojë ata dy njerëz që ta shtypin butonin?
Unë mendoj ende sot, se rreziku i një lufte bërthamore është shumë i ulët, megjithëse nuk do të jetë asnjëherë zero. Besoj se frika kryesore e SHBA-së nuk është kjo: që Putin e humbet luftën dhe Rusia bie në duar edhe më të këqija… gjë që do të nënkuptonte gjithashtu ngritjen e Kinës si një fuqi e madhe. Kjo është arsyeja pse ndihma e tyre për Ukrainën është kaq e ndrojtur.
Sa i përket armëve bërthamore, ekzistojnë dy lloje. Ato strategjike (raketat e mëdha) dhe ato taktike. Për sa i përket të parave, besoj se rreziku i përdorimit të tyre nga Putin është pothuajse zero, sepse një pjesë e madhe e atyre që ka në dispozicion janë shumë të vjetra, dhe ai do të nguronte për shkak të pasojave të tmerrshme për vetë Rusinë.
Sa i përket atyre taktike, nuk është e lehtë të bindësh disa njerëz në komandën e lartë ruse për të marrë një vendim që përfshin një rrezik kaq të jashtëzakonshëm, sepse përgjigja e SHBA-së do të ishte e menjëhershme dhe shumë e ashpër. Armë të tilla mund të përdoren për të shkatërruar shumë tanke, por ndoshta jo për të fituar luftën.
Funksionimi i mafies ruse nuk bazohet tek besnikëria deri në vdekje, por tek besnikëria në këmbim të përfitimeve. Përpara se ta bëjë këtë, gjenerali që duhet të shtypë butonin, do të mendojë për familjen dhe pasuritë e tij. Është një gjë të vrasësh për vendin tënd, por krejtësisht tjetër të vdesësh për të.
Por ju thoni se kjo “lojë” nuk mund të përfundojë në barazim…
Po, unë besoj se plani për Ukrainën duhet të jetë çlirimi, dëmshpërblimi dhe drejtësia. Këto janë elementët e një strategjie që konsiston në fitoren e Ukrainës dhe humbjen e Rusisë. Për ta arritur këtë, vendet perëndimore kanë më shumë armë dhe burime. PBB-ja e kombinuar e vendeve të NATO-s është 25 me 1 krahasuar me atë të Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut së bashku, duke përjashtuar Kinën.
Por gjendja aktuale e investimeve në luftë, është shumë larg këtij raporti. Në fakt, ajo e favorizon Rusinë. Korrigjimi i saj, duke dërguar në Ukrainë një pjesë të 12.000 tankeve që SHBA-ja ka në magazinat e saj, do të sillte çlirimin e saj nga pushtuesit rusë.
Putin, Netanjahu, Trump, Biden, Xi Jinping…Kush është shahisti më i mirë?
Në përgjithësi, krahasimi i politikanëve të sotëm me shahistët më bën të ndihem jo mirë, pasi në shumicën e rasteve është fyes. Putin ka qenë gjithmonë një lojtar pokeri, me aftësinë e tij për të bërë bllofe. Ai s’ka asnjë lidhje me shahun, në lojë ku 100 për qind e informacionit është në dispozicion për secilin lojtar që duhet të marrë një vendim. Edhe Trump është i njëjti: ai nuk beson tek të njëjtat vlera si ju dhe unë.
Ndërsa SHBA-ja është një demokraci solide, mungesa e lidhjes së Trump me ligjin është e dukshme. Për mua Bajden nuk mund të llogaritet, pasi ai mezi flet apo ecën. Netanjahu është një tregtar i moralit, që nuk i intereson çmimi. Ai u zgjodh në mënyrë demokratike, por tani i duhet lufta që të mbijetojë. Më e ndërlikuar është analiza e Xi Jinping. Ai është një diktator, kjo nuk ka dyshim… por të paktën e ka një strategji. Ndërsa nuk më pëlqen fare si udhëheqës, qasja e tij e afron atë me një shahist.