Nga Vepror Hasani
Pse u devijua lumi i Moravës që kalonte përmes Korçës? Shumë versione janë dhënë deri më sot, por e vërteta është mbajtur gjithnjë e fshehtë, sepse është një e vërtetë që nuk mund të thuhet më zë të lartë. Hipotezat janë këto:
- Lumi u nxor jashtë qytetit, sepse në kohë rreshjesh sillte shumë ujë, bëhej i papërmbajtshëm, dilte nga shtrati dhe përmbytte pazarin e Korçës.
- Lumi ishte i panevojshëm, pasi në ditët e verës kur uji ishte i domosdoshëm, ai thahej, ndërsa në dimër bëhej i frikshëm.
- Qyteti mund të bëhej më i bukur nëse shtrati i tij me gjerësi prej 10-12 metrash shfrytëzohej për bulevarde, shtëpi banimi dhe njësi tregtare.
- Me zhvendosjen e lumit harrohej edhe fakti që në të majtë të tij ndodhej qyteti i Korçës ku banonin myslimanët, ndërsa më të djathtë fshati Peskëpi ku jetonin ortodoksët. Mirëpo asnjë nga këto pretendime nuk qëndron. E vërteta është krejt ndryshe. Shpjegimin e gjeni më poshtë, nëse vijoni të lexoni.
Shkrimtarja angleze, Edit Durham (1863-1944) e vizitoi Korçën në vitin 1904. Bukuria e qytetit e la të befasur. Ajo pa një qytet të bukur që shkëlqente. Nuk e harroi dot kurrë pamjen e tij. Në librin e saj “Brenga e Ballkanit” shkroi: “Korça është një qytet që të habit, është i pastër, shumë i pastër, madje qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta të shtruara mirë, pa qenër e plehra nëpër këmbë…”, por 16 vjet më pas nga vizita e saj, nga viti 1920 e në vijim, Korça nuk ishte më qyteti që kishte qenë.
Qenë të sëmurë bridhnin sokakëve. Epidemi sëmundjesh vinin njëra pas tjetrës. Për rrugë të reja me kalldrëm nuk bëhej fjalë. Ujërat e zeza rridhnin ngado. Lumi rrëshqiste mes ujërave të pista dhe plehrave që hidheshin çdo ditë aty. Qyteti mbytej nga era e rëndë dhe e padurueshme. Për të fshehur këtë të vërtetë të pakëndshme, thuhej: “Sëmundjet vijnë nga gjoli (këneta) e Maliqit!” Pretendimi ishte qesharak. Të gjithë e thoshin këtë gjë dhe askush nuk e besonte. U vinte turp për Korçën ku po katandisej. Gjatë viteve të pushtimit grek (1912-1916) andartët sollën në Korçë mijra ortodoksë, me mendjen që t’i kishin mbështetës të tyre, por njëkohësisht vunë në vështirësi edhe jetët e tyre. Strehimi i të ardhurve u bë në kushtet më të vështira, kurse sigurimi i bukës i mundimshëm. Për kanalizime nuk mund të mendohej.
Gjendja kishte dalë jashtë kontrollit. Mytevelinjtë, pasardhësit e Mirahorit, themeluesit të qytetit të Korçës, po humbisnin të drejtat e tyre mbi këtë qytet. Qeveria e Tiranës nuk i njihte më vakëfet. Stavre Karoli, kryebashkiaku i parë i Korçës, i cili qëndroi vetëm një vit në krye të Bashkisë dhe Vasil Avrami që erdhi pas tij, nuk po e vendosnin dot kontrollin mbi territorin e Korçës. Gjendja ishte katastrofale. Qeverisja nuk paskësh qenë një gjë e lehtë. Njerëzit kishin filluar të mendonin se me pronën publike (përfshi edhe lumin) mund të bënin si të donin. Përballë kësaj situate, më të shqetësuar ndiheshin intelektualët e vërtetë të Korçës
“Me qenë që Korça është një qytet i të interesuarve dhe i të diturve, intelektualëve, është diepe i kombësisë, qytet i dritës, Athina e Maqedonisë si e quanin grekët, atëherë Korça plakë pse nuk kërkon të bëhet dhe qytet modern i Shqipërisë si nga godinat, nga udhët edhe nga gjithë kollajllëket që kanë qytetet të qytetëruara, që të na thonë që jemi vërtet të qytetëruar, që të na thonë që jemi vërtet njerëz të qytetëruar dhe dimë të rrojmë dhe të trashëgojmë jetën tonë, – pse nuk kërkon të zbukurohet dhe të bëhet një i vërtetë sanatorium i Shqipërisë? Inxhinieri Ll. Th. Lapi”. (“Gazeta e Korçës”, e mërkurë, 4 gusht 1920)
Por edhe pse e dëshironin me zemër një gjë të tillë, ndiheshin të dëshpëruar. Korça binte nga një epidemi në tjetrën. Inxhinieri Ll. Th. Lapi në artikullin e tij tenton të prekë me dorë plagën që i dhëmb Korçës; lumin dhe ujërat e zeza që ishin shndërruar në rezik real për shëndetin e banorëve:
“…Po me gjithëkëtë (me dëshirën për të qenë të qytetëruar), nga mot ofsharë (rënkuar), do epidemira dhe sëmundje, dhe me këto duhet biseduar nga ç’shkak vinë këto epidemira. Për ethet e tifos duan të thonë se fajin e ka gjoli i Maliqit, i cili do tharë a do mbushur një orë e më parë… Po në është gjoli i rrezikshëm për shëndetin e korçarëve, çështja e kanaleve, të ligave (gjirizeve) dhe të lumit të Korçës janë 100 herë, (më shumë), sa gjithë sëmundjet që vinë nga të rrjedhurat e ujërave të gjirizeve nëpër puset ku pijnë njerëzia dhe nga të derdhurat e këtyre gjirizeve si në lumë ashtu edhe në bashta a nëpër udhët dhe kudo gjetkë dhe nga mos patur çdo shtëpi të liga (nevojtore) të nevojshme”. (“Gazeta e Korçës”, e mërkurë, 4 gusht 1920)
Edhe pse që nga viti 1920 kishin kaluar 6 vjet, Bashkia e Korçës nuk ia doli dot mbanë të ndalte ujërat e zeza që derdheshin në lumin e Korçës dhe plehrat që hidheshin atje. Nuk mundi as të ndërtonte kanalizime që kopështet e mbjella me bostane dhe zarzavat dhe ujërat e puseve të mos përmbyteshin nga ujërat e zeza. Më të lehtë e kishte ta hiqte fare lumin nga qyteti se sa të bindte njerëzit se me lumin askush nuk mund të sillej si të donte. E gjendur në këto rrethana paaftësie, Bashkia doli me vendimin të nxirrte lumin jashtë Korçës. Vendim më absurd në gjithë jetën e qytetit të Korçës nuk mund të ishte marrë deri atëherë:
“Filloi të bëjë planet e kthyerjes së lumit që shkon përmes qytetit tonë prej inxhinierit Vllamasi i ngarkuar për këtë punë, duke patur ndihmëtarë 5-6 veta. Si të mbarojë plani, pastaj do të mendohet Këshilla e Bashkisë për veprimet e mëpastajme”. (“Zëri i Korçës, 27 shkurt 1926)
Muaj më vonë lajmi u dha edhe nga “Gazeta e Korçës”; kjo e fundit i thurte lavde Bashkisë:
“Bashkia ka ndërmend që lumin e qytetit ta kthejë nga Drenica. Realizimi i kësaj vepre do të jetë një nder i madh për Bashkinë dhe fitim për qytetin. Si nga pikëpamja e zbukurimit ashtu edhe nga pikëpamja e shëndetësisë. Të kthyerit e lumit është i domosdoshëm, prandaj z. Kryetar i Bashkisë dëshiron që kjo vepër të vihet në veprim sa më parë edhe sikur tërë punërat të lihen më vonë. Lumi do të kthehet rreth 450 metra matanë “çezmës së Shetros” dhe tërë vendi i lumit që do të shterohet do të përdoret atje ku duhet për rrugë, atje ku është mjaft i gjerë do të shitet për shtëpi dhe në një vend në treg do të ndërtohet një market modern. Për të përgatitur planin e duhur u ngarkuan prej bashkisë inxhinieri z.Vllamas dhe inxhinieri i Prefekturës z. J. Adham”. (“Gazetën e Korçës” 12 qershor 1926)
Devijimi i lumit do të kushtonte 5 mijë napolona:
“Në Këshillën e djeshme, Bashkia bisedoi mbi planin e lumit, të cilin ia paraqiti inxhinier Vllamasi të mbaruar. Pas planit kuptohet se kjo punë madhështore do të kushtojë deri në 5 mijë napolona. Dhe po të vihet në zbatim kjo vepër, atëherë Korça do të ketë një bulevard të gjerë e të gjatë sa rrallë ka në shumë qytete të botës. Dëshirojmë të vihet sa më parë në veprim”. (“Gazeta e Korçës”, 31 gusht 1926)
Të gjithë e dinin që fajin nuk e kishte lumi, por Bashkia dhe Shëndetësia që nuk merrnin dot masat e duhura. Devijimi i lumit ishte përfolur që nga viti 1920 dhe njerëzit e shkolluar kishin ofruar zgjidhjet e tyre:
“Çdo qytet që të ndërtohet, duhet të ketë një shërbim shëndetësor, i cili t’u thotë korçarëve, si do të kuxojmë të themi që jemi të qytetëruar dhe dimë të rrojmë. Kurse në tërë botën shëtitjet më të bukura janë buzë lumit të një qyteti, të cilat janë me bulevarde të gjera dhe me shelgje. Pra, le të dalim të bëjmë një shëtitje që në kasaphanat në Pazar, anës lumit dhe të ngjitemi gjer në mulliri pranë kafenesë së P. Osmanllisë, atëherë do të merremi vesh në jemi njerëz të qytetëruar dhe në dimë të rrojmë dyke parë gjithë atë pa-paqisllëk që mbretëron… Është turp si për Korçën plakë si dhe për neve ndënjësit e saj po të mos vendosim një orë e më parë të prishim 200 000 franga që të ujdisim lumin që të mos duken ato papaqllëke që i kemi nga dita në ditë…” (“Gazeta e Korçës”, e shtunë 7 gusht 1920”)
Të paktë ishin ata që e dinin realisht çfarë po humbisnin me devijimin e lumit:
“..Puna e lumit, e cila është si shpretka (mushkria) e njeriut, shpretka e një qyteti dhe me qenë që shpretka e një njeriu respiron (heq erë) 1200 herë në orë dhe shpenzon 3000 litra erë (ajër) vështroni sa mijëra metra kub me erë të paqme duhet të shkojnë në ditët nga ky bagazh i madh që quhet lumë dhe që është i nevojshëm për të paquar erën që heqin 30.000 korçarë, (banorë) më të shumit që flenë 4 a 5 në një dhomë ku nuk duhet të flenë më shumë se një njeri, dhe po të mentohemi që këto mijëra kub erë pa hyrë në rrugë të Korçës dhe në shpretkat e korçarëve me sulmin që vinë që nga fusha dhe malet, shëtitin që sefte nëpër lumë, ku rrëmbejnë mijëra mikrobe dhe nga i rrëmbejnë?! Që të gjithë e marrim vesh dhe gjithë këto mikrobe hynë në shpretkat tona, po gjene lavdi Perëndisë që na ka kujdesur me qenë që njerëzia nuk po përkujdesen…”. (“Gazeta e Korçës”, 11 gusht 1920)
Por për Bashkinë nuk kishte mbetur rrugë tjetër. Lumi kishte degraduar, muret dhe urat po shembeshin, gërryerjet shtoheshin nga viti në vit. Duke mos ditur çfarë të bënin më lumin, e lanë në degradim të lirë:
“Na kallëzohet se ura që është përpara hyqymetit të vjetër në të cilën shkojnë automobile etj, është shkatërruar sa edhe njerëzia nuk shkojnë mbi të”. (“Gazeta e Korçës”, e martë 7 gusht 1923”)
E njëjta gjendje vijoi për vite me rradhë:
Shumë njerëz na janë qarë për qelbësirat dhe sendët që përmbajnë sëmundje dhe hidhen, të cilat shkaktojnë mërzitje në pamje, erë dhe ndyrësirë të madhe në njerëzi që rrojnë atje dhe në shëtitësit. Bashkia jonë duhet të kujdeset për këto dhe të ndalen njerëzia së hedhuri plehra dhe qelbësira në lumë se është një fole e vërtetë e kolerës dhe sëmundjeve epidemike gjithë lumi. Njerëzia kanë shpëtuar nga të këqijat vetëm se lumi hope-hope i qëron dhe i lan se përndryshe vaj halli, jo vetëm ne njerëzit që rrojnë andej po dhe për gjithë qytetin. Inspektoria e Bashkisë i ka parë ndonjëherë këto? Ka vizituar viset të shohë se në ç’gjendje janë? Apo i ka parë dhe ka bërë veshin shurdhër. Është një detyrë e saj të përkujdeset dhe të japë urdhërat e duhura të mos hedhë njeri plehra në lumë”. (“Zëri i Korçës”, e martë, 11 shtator 1828”)
Lumi në mëshirë të fatit edhe gjatë vitit 1929:
Pjesa e këtij lumi, që në ura e ngushtë, që shpie në kafene të P. Osmanllisë, gjer në vendi Çezma e Shetros, është ngrënë shumë nga uja dhe rruga që është në çip të arës së G. Filos po ngushtohet përhera. Në vitet e para kjo rrugë ka qenë mjaft e gjerë dhe shelgjet e dendura që kish në çip i zbukuronte pamjen. Atëherë gjendeshe një mur qereç që nga fundi dhe ky mpronte rrugën nga sulmet e ujës. Tashti ky mur është i çrrënjosur nga themelet dhe nga mbi të është në rrezik të humbasë krejt. Dyke u çdukur kjo rrugë, humbasin njerëzia atmosferën e mirë të kafenesë së Shetros ku vinë për shëtitje në ditët e nxehta. Por një mur qereç i mirë do siguronte në kjo pjesë rruge të gjerë dhe i priste sulmin ujit, i cili çdo vit hapet atje dhe gërryen token”. (“Zeri i Korçës”, e shtunë, 22 qershor 1929”)
Edhe më e rënduar u paraqit gjendja një vit më pas:
“Nga ura e madhe poshtë lumit që shkon përmes qytetit është zënë prej privatëve me vatha të dhenve më këtë mënyrë që një ditë po të vijë lumi mund të shkaktojë dëme të mëdha. Nuk marrim vesh ç’ngjet. Privatët shijnë sipas qejfit të tyre dhe syri i kompetentit nuk shikon fare. Ka apo nuk ka bashkia inspektor dhe nëpunës? Ç’bëjnë këta? Vetëm për rrogë janë?” (“Zëri i Korçës”, e martë, 14 tetor 1930)
Ishin të shumtë qytetarët që ndjenin keqardhje për Korçën. Dikur ajo krahasohej me Izmirin, “Parisin e Mesdheut”. Trishtimin e tyre e shprehnin në shtypin e kohës:
“Nuk e njoha Korçën! Përse kaq e ndotur! Pluhuri dhe balta gjer në gju! Këto dhe shumë “tituj” të tjerë po i ngjitin qytetit tonë sa e vizitojnë tani shpejt.
Ish një kohë që korçari mburrej me Korçën; ish një kohë që qyteti ynë merrej si shembull për pastërtinë aq sa për shqiptarët aq edhe për të huajt. Kjo lavdi për fat të keq, sa vjen po venitet…”. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 7 nëntor 1931)
Pra, Bashkia e Korçës nuk po ia dilte dot të ndryshonte situatën. Gjendja u katandis keq e më keq. Nëse Edit Durham do të ishte gjallë dhe rasti do ta sillte përsëri në Korçë, nuk ka dyshim që do të dilte në majë të Shëndëllisë për të vajtuar Korçën me oiii.
Lumi u devijua në fillim të viteve ‘80 si një ide që nuk ishte realizuar dot deri atëherë.
Sot Korça nuk e ka lumin, atë pasuri të vyer që vetëm natyra mund ta dhurojë. Madje ekzistonin të gjitha mundësitë që sasia e ujit të ishte e kontrolluar si në dimër ashtu dhe në verë duke shtuar ujin e burimeve të tjera, ose duke i paksuar ata sipas nevojave të qytetit, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Lumi u shpall i padëshirueshëm, ndaj nuk i shpëtoi dot dënimit me vdekje. /tesheshi.com/