Nga Lucy Notarantonio, Newsweek
Në një zbulim zemër-thyes, një burrë që ka humbur gruan dhe babanë e tij për shkak të vetëvrasjes, po ndan me publikun e gjerë “shenjën më të madhe” që i shpëtoi, dhe që tregonte se gruaja e tij ishte në prag të hapit fatal.
Historia e tij hedh dritë mbi shenjat paralajmëruese, shpeshherë të pavërejtura midis familjarëve, duke shpresuar të parandalojë që të tjerët të përballen me tragjedi të ngjashme.
Sipas organizatës Mental Health America, depresioni është një nga sëmundjet mendore më të zakonshme, që prek rreth 21 milionë të rritur amerikanë çdo vit.
Ajo i heq njeriut kënaqësinë e jetës së përditshme, përkeqëson gjendjet e tjera shëndetësore dhe në rrethanat më të rënda, çon drejt vetëvrasjes.
Eric Zink, 43 vjeç, thotë për Newsweek: “Më pëlqen që e ndaj me publikun historinë time, në mënyrë që njerëzit e prekur, ta dinë se nuk janë vetëm, dhe se ka një dritë në fund të atij tuneli të thellë e të errët…”.
Rrëfimi i tij është parë deri tani 1.5 milion herë në platformën TikTok.
Në të, Zink flet për javën e fundit të jetës së Brandy-t. Për herë të parë pas një kohe të gjatë, ajo dukej befas e lumtur, dhe kishte një “pikëpamje pozitive mbi jetën” edhe pse asgjë s’kishte ndryshuar.
Eric thotë se ajo nuk po shkonte më në seanca terapeutike, nuk e kishte ndalur konsumin e alkoolit dhe as e kishte ndryshuar mjekimin që merrte”.
“Dukej shumë mirë dhe unë e besova!”, rrëfen Eric, që shpjegon se në atë momente besoi se si për mrekulli depresioni i ishte larguar brenda natës. Mjerisht, kjo nuk mund të ishte më larg të vërtetës. Dhe pas reflektimit gjatë terapisë mbi traumën që përjetoi nga këto ngjarje të rënda, Zink, që jeton në Boise të shtetit të Idahos, e kuptoi se bashkëshortja e ndjerë kishte “vërtet synime vetëvrasëse”; se ajo kishte hequr dorë nga jeta dhe përpjekja për t’u shëruar. “Kur kthen kokën pas, gjëja më e frikshme është kur e kupton se si dikush hoqi dorë nga jeta”, thekson ai. Zink e kupton tani se “lumturia” e saj buronte nga vetëdija se së shpejti do të ikte nga kjo botë dhe dhimbja do të merrte fund.
“Nuk është se ata janë të shëruar nga depresioni. Janë thjesht të dorëzuar!”, tha ai.
Më 27 gusht 2015, Brandy ndërroi jetë në moshën 34-vjeçare. Zink shprehet për Newsweek: “Ajo u përball me traumat e fëmijërisë nga sulmet seksuale dhe abuzimet e tjera për pjesën më të madhe të jetës së saj. Ishte e alkoolizuar dhe u përball me këtë varësi. E provuam disa herë me terapitë, por ajo do të rikthehej menjëherë tek zakonet e vjetra”.
Anketa Kombëtare mbi Përdorimin e Ilaçeve dhe Shëndetit e vitit 2022, zbuloi se 57 për qind e njerëzve mbi moshën 18 vjeç me një çrregullim të përdorimit të barnave kishin gjithashtu një sëmundje mendore, e përcaktuar si një çrregullim mendor, i sjelljes ose emocional i diagnostikueshëm.
Depresioni klinik, i njohur gjithashtu si çrregullimi i madh depresiv, është një çrregullim i rëndësishëm i humorit që çon në simptoma të rënda, të cilat ndikojnë në aktivitetet, mendimet dhe emocionet e përditshme të një personi. Faqja e internetit e Qendrës Amerikane të Varësisë, thotë se depresioni manifestohet ndryshe tek çdo individ.
Ai mund të shkaktojë ndryshime në humor ose sjellje, dhe në disa raste, mund të sjellë rritje të përdorimit të drogës apo alkoolit.
Ndërsa jo të gjithë njerëzit me depresion i keqpërdorin substancat, shfaqja e përdorimit të substancave dhe çrregullimeve të shëndetit mendor, është relativisht e zakonshme.
Newsweek diskutoi mbi dëshmi tronditëse të Eric me dr. Sona Kaur, psikologe klinike, e cila drejton klinikën Serenity Psychology në Londër të Britanisë së Madhe.
Kaur ka përvojë të gjatë pasi është marrë me trajtimin e problemeve të ndryshme të shëndetit mendor, përfshirë depresionin, ankthin dhe çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD).
Ajo thotë: “Nuk është e pazakontë që njerëzit të duken të lumtur apo optimistë pak përpara se të vrasin veten. Kjo dukuri mund të ndodhë për disa arsye.
Së pari, individi mund të përjetojë një ndjenjë lehtësimi, pasi vendos t’i japë fund jetës së tij, duke besuar se do të t’i japë fund edhe vuajtjeve, gjë që mund t’i bëjë ata të shfaqen përkohësisht si në paqe me veten.
Së dyti, individët që mendojnë vetëvrasjen, bëhen shpesh të aftë për të fshehur ndjenjat e tyre të vërteta, duke u sjellë si të lumtur për t’i penguar të tjerët të dyshojnë mbi planet e tyre, apo për të shmangur tërheqjen e vëmendjes. Së fundi, ata mund të duan që të lënë përshtypje pozitive përfundimtare tek të dashurit e tyre, ose të thonë lamtumirë në një mënyrë delikate, pa dhënë alarmin”.
Edhe pse video nisi të shpërndahej në prill të këtij viti, Zink deklaroi për Newsweek se nuk ishte realizuar kohët e fundit. “Ideja me lindi që kur po i nënshtrohesha vetë terapisë së traumës në vitin 2021. Vetëvrasja e saj, kishte shumë ngjashmëri me atë të babait tim. Ai vrau veten në gushtin e vitit 2017”.
Tani që punon si krijues i përmbajtjeve online, mentor dhe folës publik, Zink po e përdor platformën e tij për të mbrojtur shëndetin mendor. Deri më tani, videot e tij kanë marrë mbi 48.000 pëlqime dhe shumë komente nga njerëzit që ndajnë përvojat e tyre.
Një përdorues shkruan: “Kjo ishte e vërtetë edhe kur unë tentova të kryeja vetëvrasje mbi 20 vjet më parë. Fiks në atë gjendje isha. Dukesha super i lumtur, super i gëzuar dhe super i motivuar. Kalova nga të qenit në depresion në një gjendje shumë të lumtur, dhe kjo është ajo që i dukej të tjerëve përreth”.
“Shumë nga ata që përballen me depresionin në nivele ekstreme, shfaqin para të tjerëve një fytyrë të lumtur, dhe gati të gjithë s’do ta dinë asnjëherë se me çfarë po përballeshin ata në të vërtetë. Ne përpiqemi të jemi të lumtur, por ka një zë të fortë brenda që nuk është i tillë. Ne nuk e ndajmë këtë të vërtete, sepse ne nuk duam që të dukemi të dobët apo të sëmurë…Kështu buzëqeshim”. komentoi një komentues i dytë.
Ndërsa një i tretë shtoi: “Asnjëherë nuk e dini se çfarë po kalojnë njerëzit nga brenda. Ndaj jini të sjellshëm me ta”.