Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Rusia kishte njohuri për planet e kundërofensivës ukrainase në vitin 2023 edhe para fillimit të saj, dështimi i së cilës i dha një goditje të rëndë Ukrainës.
“Planet tona për një kundërsulm ishin në tryezën e Kremlinit përpara se të fillonte kundërsulmi”, tha Zelensky në një konferencë për shtyp.
Kur u pyet nga AFP, Presidenca e Ukrainës konfirmoi se Zelensky po i referohej rrjedhjeve të informacionit.
Zelensky tha se udhëheqësit e tij ushtarakë kanë zhvilluar disa plane luftarake për vitin 2024 për të kompensuar “rrjedhjet e informacionit” në të ardhmen.
Një kundërofensivë e madhe ukrainase në verën e vitit 2023 u ndesh me linja të forta mbrojtëse ruse që shterrën burimet e ushtrisë ukrainase dhe nuk i lejuan ata të çlironin rajonet e pushtuara nga Rusia.
Ndihma ushtarake
Në të njëjtën konferencë për shtyp, presidenti ukrainas tha se fitorja e Ukrainës do të varet nga ndihma ushtarake perëndimore dhe shtoi se ishte i sigurt se Kongresi amerikan do të miratonte paketën e shumëpritur të ndihmës.
“Nëse jemi të fortë, me armë, nuk do ta humbim këtë luftë”, tha Zelensky, i cili shfaqi optimizëm te aftësia e Kongresit amerikan për të miratuar një paketë ndihme prej 60 miliardë dollarësh, aktualisht e bllokuar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve.
Presidenti i Ukrainës tha se 31,000 ushtarë ukrainas kishin vdekur në luftën me Rusinë, vlerësimi i tij i parë zyrtar i humbjeve të trupave. /tesheshi.com/