Ajo çfarë ka ndodhur së fundi në veriun e Kosovës, ku serbët kanë provokuar me anë anë të një muri dhe treni, kanë detyruar krerët e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Kroacisë, që t’i përcjellin një letër shqetësuese kreut të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Mimi Kodheli dhe Damir Krstiçeviç, dënojnë retorikën nacionaliste nga politikanë serbë dhe veprimet në kufi, të cilat sipas tyre cenojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe çojnë drejt destabilizimit të situatës e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Dy ministrat kërkojnë nga sekretari Stoltenberg që të rishikohet Plani Operacional i misionit paqeruajtës në Kosovë pas zhvillimeve të fundit atje, si dhe mbështesin shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK).
Kjo aleancë shqiptaro-kroate shfaqet e natyrshme në këto kohë delikate për situatën në rajon, ku Serbia po tenton të provokojë sërish trazira që pas përfundimit të luftrave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, që fundin e patën në Kosovë.
Tirana dhe Zagrebi kanë patur dhe kanë raporte të ngushta si dhe qëndrime gjithëherë të njëjta karshi politikave të Beogradit. /tesheshi.com/