Nga Bashkim Kastrati
Hapja e Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018” ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Kjo për faktin se aty po marrin pjesë hiç më pak se 70 kompani nga Serbia. Në anën tjetër e pranishme në këtë panair është vetëm një kompani nga Shqipëria.
Për këtë arsye ka pasur kritika të shumta në drejtim të Odës Ekonomike të Kosovës si organizatore e këtij panairi.
Por, kryetari i kësaj Ode, Safet Gërxhaliu, ka thënë se nuk i ka pritur gjithë këto reagime.
“Kam qenë i befasuar me komente dhe sulme të drejtpërdrejta për mua dhe Odën Ekonomike. Është e vërtetë që është Panair Ndërkombëtar, në këtë drejtim numri është i pakufizuar i pjesëmarrësve”.
Ai në Info Magazine të Klan Kosova ka folur edhe për bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë.
“Shumë herë kemi adresuar brengën që bashkëpunimi ekonomik me Shqipërinë nuk është në nivelin e dëshiruar”.
Gërxhaliu ka thënë disa herë se bizneset nga Shqipëria janë ftuar në këtë Panair dhe kanë qenë të njoftuara për një ngjarje të tillë.
“Në prezantimin qe kemi bërë një ditë më parë, kemi argumentuar që kanë qenë 188 mijë klikime të video spotit paralajmërues për Panairin. Po ashtu, jo vetëm njëherë kemi apeluar që përfaqësues nga Shqipëria të jenë në ceremoninë e hapjes të këtij Panairi. Nuk është problemi se këtë vit nuk kanë marrë pjesë bizneset nga Shqipëria. Pse askush nuk e analizon sa ka qenë numri i bizneseve vitin e kaluar dhe vitet tjera? Për këtë më së paku fajtor është Oda Ekonomike, sepse në Shqipëri e kanë të lehtë të bëjnë biznes me këdo, përveç me kosovarët”, ka thënë Gërxhaliu.
Gërxhaliu ka folur edhe për ambasadorët e Shqipërisë në Kosovë dhe rolin e tyre të vogël për avancimin e bashkëpunimit ekonomik mes të dyja vendeve.
“Ambasadorët e akredituar në Kosovë duhet ta kenë prioritet diplomacinë ekonomike. Është koha kur duhet ta kemi guximin për t’u ballafaquar me të vërtetë se çfarë po ndodhë me raportet Kosovë-Shqipëri”.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka pasur një këshillë jo fort të zakonshme për ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë.
“Apeloj që Ambasadori Minxhozi mbiemrin ta bëjë Bixhozi”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Gërxhaliu foli edhe për mirënjohjen që ia ka dhënë kryetarit të Odës Ekonomike të Serbisë, në lidhje me këtë ai deklaroi se këtë e ka bërë me shumë krenari!
Minxhozi: Bizneset nga Shqipëria nuk e kanë refuzuar pjesëmarrjen në panair
Ndërsa Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, i inkuadruar në këtë bisedë, ka thënë se kjo diskrepancë nuk paraqet asgjë të keqe në këtë rast, madje ai ka quajtur këtë si gjë pozitive.
Ai ka përmendur se vitin e kaluar në panairin në Prishtinë kanë qenë mbi 20 biznese, por që pjesëmarrja që sipas tij sivjet është inekzistente, ka ndodhur për shkak të mosinformimit me kohë, njofton Klan Kosova.
“Kësaj radhe nuk është ndjekur me kujdes problemi. Ky nivel i përfaqësimit të Shqipërisë, pothuajse zero nuk i përgjigjet marrëdhënieve tregtare midis Kosovës dhe Serbisë. Vitin e kaluar ka pas 200 milionë euro shkëmbim tregtar, kurse sivjet Shqipëria ka pasur eksport dy përqind, më shumë kurse Kosova 20 përqind më tepër”, ka thënë Minxhozi.
Ai ka thënë se nuk është e vërtetë që bizneset nga Shqipëria kanë refuzuar pjesëmarrjen në panairin “Prishtina 2018.
“Bizneset vazhdojnë të komunikojnë. Ka probleme dhe duhet bërë më tepër, por numri as simbolik i pjesëmarrjes së Shqipërisë në panair, tregon që nuk i përgjigjet realitetit. Kam marr një ftesë vetëm para pesë ditësh dhe kaq. Na panairin në muaj nëntor kanë qenë 70 kompani. Kjo nuk ka të bëjë me nivelin e ulët të marrëdhënieve tregtare. Është mungesë organizimi”.
Klubi i Prodhuesve të Kosovës: Të bojkotohet panairi
Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka shprehur pakënaqësinë se si paratë e taksapaguesve kosovarë po shfrytëzohen në promovimin e kompanive serbe në Kosovë, përkatësisht në panairin “Prishtina 2018”, të cilin e organizon Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).
“Duhet theksuar se 17 vjet pas përfundimit të luftës, asnjë kompani e Kosovës nuk është ftuar apo nuk ka marrë pjesë në ndonjë panair në Serbi. Ndërsa në panairin kryesor ndërkombëtarë në Kosovës nga gjithsej 174 kompani që marrin pjesë, mbi 50 për qind janë nga Serbia. Për Klubin e Prodhuesve të Kosovës kjo është e papranueshme kur merren parasysh të gjitha vështirësitë me të cilat ballafaqohen prodhuesit kosovar në raport me politikat dekurajuese të shtetit serb”, është thënë në reagimin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.
Me tej thuhet se për Klubin e Prodhuesve të Kosovës është e papranueshme se si një hapësirë kaq e konsiderueshme po u jepet promovimit të kompanive serbe në tregun e Kosovës, e ku në të njëjtin panair ka pasur shumë pak të ftuar nga radhët e prodhuesve kosovar për pjesëmarrje.
“Gjithashtu duhet cekur që misioni i Odës Ekonomike të vendit është promovimi strategjik i interesave të zhvillimit ekonomik të vendit, e jo promovimi i interesave personale të kujtdo qofshin ato. Për fund, Klubi i Prodhuesve të Kosovës i bënë ftesë të gjitha kompanive kosovare pjesëmarrëse në këtë panair që në shenjë proteste ta bojkotojnë këtë panair”, është theksuar në reagimin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.
“Ekonomia e vendit të mos lihet në dorën e matrapazëve”
Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se republika e Kosovës shumicën e produkteve që i konsumon i importon nga vende të ndryshme, ndërkaq pjesa dërmuese nga ato vijnë nga shteti i Serbisë, dhe shpeshherë kemi hasur në media të shkruara dhe elektronike për problemet me produkte të importit, sidomos nga Serbia që sipas shumë hulumtimeve, janë edhe kancerogjene dhe kompanitë serbe kanë edhe linja të veçanta prodhimi për Kosovë pa kurrfarë standardi.
Ai thotë se pjesëmarrja e vetëm një kompanie në këtë panair nga shteti ëmë për është skandal në vete, si janë të qetë ata që organizuan një panair të tillë, andaj personalisht u bëjë thirrje konsumatorëve kosovar të bojkotojnë çdo produkt serb, kjo është “mikpritja” më e mirë për ata.
“Bashkimi ekonomik i shqiptarëve është obligim për politik-bërësit e të gjitha trojeve ku banojnë dhe jetojnë shqiptarët. Nuk mjaftojnë vetëm mbledhjet e përbashkëta të qeverive tona, duhet të vihen në praktikë gjërat. Bashkimi ekonomik do të thotë ndikimi i të gjitha forcave të shoqërisë në përmirësim të situatës ekonomike, sidomos të Kosovës dhe Shqipërisë, pa harruar edhe komunat e Kosovës lindore, shqiptarët në Malin e Zi dhe shqiptarët në Maqedoni e Çamëri”, thotë Beqiri.
Ai thotë se Kosova dhe Shqipëria duhet urgjentisht të fillojnë t’i bashkojnë odat ekonomike, dhe të kenë një strategji të përbashkët të zhvillimit të shqiptarëve kudo që ata jetojnë.
“Andaj mos të lihet në dorën e matrapazëve ekonomia e vendit, ky vend meriton më mirë”, theksoi Beqiri.
Por ekonomisti tjetër Mustafë Kadriaj, mendon ndryshe. Ai thotë se ekonomia dhe bashkëpunimi tregtar duhet të jenë larg ngarkesave politike aq me shume ekonomia është rehabilituese e problemeve politike njeherit është obligim i shteteve të Ballkanit që të rrisin bashkëpunimin ekonomik. Mendoj që duhet të merret pozitive, sepse Republika e Kosovës është nikoqire e panairit dhe pjesëmarrja ka qenë e njëtë për të gjitha që kanë shfaqur interesim.
“Mendoj që interesimi i bizneseve serbe është diçka pozitive sepse në njëfarë mënyre ato po e pranojnë Kosovën si shtet dhe janë pajtuar me protokollin e nikoqirit, ndërsa mosinteresimi i bizneseve shqiptare është problem i tyre dhe ato biznese duhet të kërkojnë llogari nga qeveria shqiptare që nuk po shfaq interesim të bashkëpunimit tregtar me Kosovën përkundrazi në vazhdimësi po e zbeh bashkëpunimin përmes barrierave në kufi dhe tani edhe me taksën në Rrugën e Kombit”, thotë Kadriaj
Ai thotë se Shqipëria nga sjelljet e saj ndaj Kosovës po tregon qartë që nuk ka interesim për një bashkëpunim të mirëfilltë tregtar por Kosovën po e trajton si një klient përderisa Kosova ka qenë shumë e hapur për bizneset shqiptare. Tregtia përveç që nuk njeh ngarkesa politike njëherit nuk ka mëshire pra ky është njehrit parim i konkurrencës së lirë Kosova nuk ka kohë të humb. Pra Shqipëria duhet të reflektojë. /tesheshi.com/