Nga Blendi Gashi
Nga publikimi i skandalit “Pronto 2”, me protagonistë krerët e lartë të partisë në pushtet, PDK-së, në Prishtinë, një grup i qytetarëve të njohur si Lëvizja #protestoj kanë filluar mbajtjen e protestave në sheshet e kryeqytetit.
Deri më tani kanë mbajtur pesë të tilla, derisa kanë paralajmëruar se ato do të jenë të përditshme.
Por, deri më tani ky grup i qytetarëve nuk po gjen përkrahje të mjaftueshme për të organizuar protesta masive që do të lëkundnin themelet e qeverisë aktuale.
Edhe pse u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe organizatave të ndryshme jo qeveritare, deri më tani lëvizjes në fjalë i janë përgjigjur pozitivisht vetëm një numër tejet i vogël i qytetarëve, rreth 200, të dhëna të cilat përafërsisht i ka dhënë edhe policia e Kosovës.
Përkundër dëshmive nga videot ku bëhet e qartë se krerët e lartë të PDK-së janë ata që vendosin në pozita të rëndësishme si në PTK, gjykata, uninversitete etj, qytetarët vazhdojnë të heshtin dhe të mos kërkojnë përgjegjësi nga personat të cilëve ua besuan votën.
Edhe pse sondazhet e fundit në vazhdimësi tregojnë se ka rëndie të ndjeshme të pakënaqësisë së qytetarëve ndaj dy partive në pushtet PDK-në dhe LDK-në, është e pashpjegueshme se si rreth veç 200 qytetarë dalin dhe ngritin zërin për padrejtësitë që u bëhen duke filluar nga punësimi, pasi përgjimet kanë treguar se konkurset janë vetëm një formalitet dhe militantët e partive rehatohen në pozita të ndryshme shumë më herët.
Edhe protesta që u mbajt sot para Prokurorisë së Shtetit tregoi se kosovarët siç duke nuk janë të interesuar të kërkojnë llogari nga politikanët e papërgjegjshëm, pasi numri i protestuesve ishte sërish simbolik.
Duke parë një numër kaq të vogël të protestuesve dhe duke qenë i njohur tashmë për publikun sakndali “Pronto 2”, shtrohet pyetja nëse vërtetë qytetarët nuk po duan ndërrim të mentalitetin qeverisës ?!
Ja ç’thonë analistët
Njohësit e rrethanave politike në vend, thonë se numri i vogël i qytetarëve në protestat që po mbahen kundër përgjimeve është një pajtim i tyre me gjendjen aktuale në vend.
Analisti politik, Albinot Maloku, thotë se fenomeni i korrupsionit dhe nepotizmit politik e familjar në Kosovë ka pas dhe ka një shtrirje të fuqishme.
Ai thotë se protestat e qytetarëve kundër këtyre fenomeneve të cilat po hyjnë në ditën e katërt, fatkeqësisht as nga media nuk po marrin vëmendjen e duhur.
“Arsyet e këtij numri të vogël të qytetarëve në shesh, mund të jenë të ndryshme, porse mos prezenca e një numri më të madh nuk mund të gjykohet si pajtim i të tjerëve me gjendjen aktuale në vend. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në një reagim të tij, tha se nuk ka fakte të mjaftueshme për ndjekje, dhe kjo sikur krijoj huti të qytetarët. Ambasada amerikane reagoi në twiiter pas pritjeve të qytetarëve se çka do të thonë ata. Subjektet politike, përjashto Vetëvendosje-n, nuk është se u panë aq aktive për këtë fenomen të ditur. EULEX-si si mekanizëm i BE-së për rendin dhe ligjin në Kosovë, edhe pse thuhet se i ka dëgjuar këto biseda para se ti dëgjojnë qytetaret, nuk ka ndërmarr asgjë e nuk duket që do të ndërmarr. Sido që të jetë alternativ ngel, vetëdijesimi i individual i qytetarit dhe dënimi me votë i këtyre që e kanë, siç thuhet ‘kapur shtetin’”, thotë Maloku, për tesheshi.com.
Edhe, njohësi i rrethanave politike në vend, Faik Krasniqi, në një vend normal, pas publikimit të këtyre përgjimeve për aferat dhe skandalet e tyre të shumta, do të vetëshkarkohej komplet qeveria, si dhe qytetarët do të çoheshin i madh dhe i vogël në protesta, dhe s’do ndaleshin derisa qeveria të dorëhiqej.
“Edhe pse nuk do të vinte puna deri aty që populli të bënin protesta, por brenda pak orësh ajo qeveri do të largohej. Por tek ne kjo gjë nuk ndodh, as që kjo qeveri të jep përgjegjësi pas atij skandali kriminal, por as një popull që do të organizonin protesta gjithëpopullore deri sa pushteti të shkarkohej. Nuk besoj që ka ndonjë arsye pse ky popull është kaq indiferent ndaj këtyre ngjarjeve, por kemi të bëjmë me një popull të çuditshëm që nuk i bëhet vonë për asgjë. Një popull që presin ndonjë mrekulli nga zoti ose Amerika, që do ua largojë këta fundërrina nga skena politike. Prandaj, për faj të këtij populli kemi këtë klasë politike kriminale dhe të papërgjegjshme. Çdo popull meriton qeverisjen që ka. Dhe ne me plot meritë i meritojmë këta që i kemi. Pa asnjë dyshim!”, ka thënë Krasniqi, për tesheshi.com.