Kreu i PD-së, Lulzim Basha është shprehur i vendosur për protestën e të hënës ku pritet që opozita të bllokojë disa akse rrugore. Ai ka thënë se ajo do jetë tërësisht paqësore, ndërsa i ka kujtuar rivalit politik një të ngjashme protestë të 6 viteve më parë, kur PS, mu për shkak të Bashës, pasi fitorja e Ramës në bashkinë e Tiranës po kalonte tek kandidati demokrat në një proces të qartë manipulativ nga KQZ-ja e drejtuar prej Ristanit, doli në rrugë duke djegur madje dhe goma.
“E dinë fare mirë shqiptarët dhe dinë ta bëjnë krahasimin mes atyre që jo shumë vite më parë, tek bllokonin rrugët kombëtare digjnin gomat e makinave, digjnin makinat dhe thyenin e shkatërronin institucionet me gurë, me shishe me benzinë. E mbaj mend fare mirë se çfarë dhune ushtrohet në protestat e tyre. Dhunë në protestat e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të Republikës së re nuk ka dhe nuk ka për të patur. Dhuna është tipar i dobësisë morale, tipari i dalluar i frikacakëve. Këtu jemi njerëz të kurajës qytetare, frikacakët fshihen pas fasadës”, tha Basha.
Ai madje i kujtoi policisë se do jetë nën vëzhgim nëse do guxohet të preket ndonjë protestues.
“Dua t’i kujtoj fare mirë drejtuesve të kupolës së Policisë së Shtetit që përmes shkresave të tyre të turpshme dhe qëndrimeve të tyre publike që sot kanë thyer ligjin, se do të vëzhgohen dhe rregjistrohen nga toka dhe nga ajri dhe se për çdo shkelje dhe cenim të të drejtës hyjnore të protestës paqësore do të përballen me forcën e plotë të ligjit”, theksoi kreu demokrat. /tesheshi.com/