Në Prishtinë u promovua këto ditë Divani i Junus Emresë, një përmbledhje poetike e këtij vjershëtori popullor të para shtatë shekujve, që përbën dhe veprën simbol me të cilën identifikohet krijimtaria e tij.
Një “Robert Bërns” i periudhës osmane, Junus Emre zë një vend të veçantë në trashëgiminë turke, ku sot ekziston dhe një fondacion kulturor me emrin e tij në disa vende të Ballkanit. Ishte pikërisht dega “Junus Emre” në Prishtinë, që në bashkëpunim me Fakultetin e Orientalistikës së Universitetit të Prishtinës, organizuan tryezën promovuese me rastin e daljes nga botimi të kësaj vepre, Divanit të famshëm, sjellë në shqip nga përkthyesi më i njohur i literaturës turke në 25 vite, Mit’hat Hoxha.
“Të qëndron para Divanit të Junus Emresë sonë, një burri të zemrës, që është përcjellë pothuajse 700 vjet me radhë nga goja në gojë prej kombit turk, që është bërë tekst për këngë dhe himne fetare (ilahi), disa vargje të të cilit janë bërë proverbiale dhe janë përcjellë si të tilla gojë më gojë, si dhe vetë para personalitetit të tij i cili ka dhënë kontribut të madh për formimin e kulturës dhe qytetërimit turk, është me të vërtetë emocion i thellë”, thuhet kështu në parathënien e librit.
Divani i Junus Emresë që tashmë ndodhet në treg, është prezantimi më adekuat i këtij poeti, ndër më mjeshtërorët e periudhës osmane. tesheshi.com/