Një nga ligjet që pritet të miratohet në shtator, dhe që konsiderohet edhe prova më e madhe pas kalimit të draftit të reformës në drejtësi, është edhe ai për Prokurorinë Speciale, apo grupin që do të bëjë ndjekjen penale të zyrtarëve të korruptuar.
Deputeti socialist Ulsi Manja u bëri thirrje PD-së dhe LSI-së që t’i kalojnë edhe shtatë ligjet që duhet të miratojnë pas reformës.
Ligji për Prokurorinë Speciale është më i rëndësishmi, pasi krijon një strukturë autonome që do të akuzojë dhe do të ndjekë zyrtarët e korruptuar.
Prokuroria Speciale është një organ i ngjashëm me atë që u ngrit nga ndërkombëtarët në Kroaci dhe në Rumani, e që realizoi arrestimin e dy ish-kryeministrave të vendit, Ivo Sanader-it dhe Victor Ponta-s, por edhe të një numri shumë të madh politikanësh dhe menaxherësh publikë.
Prokuroria Speciale do të punojë ngushtë me Byronë Kombëtare të Hetimit, pasi e dyta përgatit dosjet dhe e para i kthen ato në ndjekje penale, firmos urdhërat e arrestit dhe e dërgon dosjen në gjykatë.
Sipas draftit, Prokuroria e Posaçme përbëhet nga një drejtues i prokurorisë dhe nga prokurorë të posaçëm. Hetuesit dhe oficerët e policisë gjyqësore të shërbimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit drejtohen nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe nga drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Prokurorët e posaçëm të Prokurorisë së Posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Kandidatët për prokurorë të posaçëm në Prokurorinë e Posaçme duhet të përmbushin parakushtet e sigurisë, njësoj me anëtarët e BKH-së, pra, do t’u kalohet në sitë pasuria dhe veprimtaria e tyre e mëparshme.
Prokurorët emërohen në detyrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për një mandat nëntëvjeçar. Mandati pezullohet apo ndërpritet vetëm nëse inspektori i lartë i Drejtësisë kërkon procedim disiplinor kundër prokurorit.
Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme janë të pavarur nga çdo prokuror tjetër, përfshirë drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.
Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme hetojnë dhe ndjekin penalisht prokurorë të tjerë të Prokurorisë së Posaçme apo gjyqtarë të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nëse ka prova se prokurori apo gjykatësi është i korruptuar, nëse mbështet një organizatë kriminale apo ka kryer një tjetër vepër penale brenda kompetencave të Prokurorisë së Posaçme.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme harton dhe i paraqet Ministrisë së Financave buxhetin për Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe për pagat e shërbimeve të oficerëve të policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit; gjë që e bën këtë institucion edhe në burime të pavarur.
Prokuroria e Posaçme ka në gjirin e saj një sektor të hetimit financiar, i cili do të jetë zemra e institucionit, që merret me ndjekjen e parasë së zyrtarëve.
Sipas draftit, punonjësit e këtij seksioni janë të diplomuar në drejtësi, financë, llogaritar, apo në fusha të tjera përkatëse. Punonjësit e seksioneve kanë një eksperiencë minimale pune dyvjeçare si oficerë të policisë gjyqësore.
Ajo që është në fakt shumë e rëndësishme në draftin e prokurorisë speciale është edhe lidhja direkte me prokuroritë e huaja apo me agjencitë ligjzbatuese, si me FBI-në e DEA-n në SHBA, me DIA-n në Itali, etj.
Prokuroria Speciale i dërgon vetë letër-porositë, pa ndihmën e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas draftit, Prokuroria e Posaçme ka të paktën një punonjës i cili do të jetë ndërlidhës me organet e huaja, në shërbim të ecurisë së hetimeve apo të hetimeve të përbashkëta. Ndërlidhësi duhet të ketë minimalisht arsim të lartë në drejtësi dhe një diplomë masteri, nga të cilat njëra duhet të jetë marrë jashtë Shqipërisë. Ndërlidhësi mund të jetë një prokuror i cili atashohet për këtë pozicion. Çdo prokuror që atashohet për këtë pozicion do të përmbushë kushtet e sigurisë. Ndërlidhësi duhet të ketë të paktën pesë vite përvojë në fushën e drejtësisë. Ai duhet të njohë rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe atë angleze, si edhe të njohë një gjuhë tjetër të huaj, të nevojshme për vendin e punës.
Ngritja e Prokurorisë Speciale konsiderohet edhe hapi kryesor për zbatimin e reformës, që duhet të ndërtohet paralelisht me Byronë Kombëtare të Hetimit. /tesheshi.com/