Në një deklaratë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sqarohet se arsyeja kryesore e reagimit të armatosur kundër strukturave ligjvënëse dhe ligjzbatuese në Lazarat, ka qenë rikthimi i fshatit në gjendjen e dikurshme kur kultivohej dhe trafikohej lëndë narkotike në masë.
Nga hetimet paraprake të Prokurorisë, prej kësaj të fundit thuhet se grupi i të rinjve, shumica të moshës 17-22 vjeç, përgatitej prej 6 muajsh për të sulmuar dhe luftuar forcat e rendit.
“Qëllimi i tyre ishte rikthimi i gjendjes së mëparshme në fshatin e Lazaratit. Donin t’u krijohej mundësia për të kultivuar sërish kanabis sativa”, konkludohet kështu në deklaratën e organit të akuzës.
Sipas saj, kjo skemë është zbardhur dhe nga dëshmia në Polici e Xhuljano Malos, të arrestuarit të parë të ngjarjes, i cili ka rrëfyer gjithçka. Po ashtu, nga hetimet konkludohet se drejtues të grupit “rebel” të Lazaratit dyshohet se janë vëllezërit Arbion Aliko, 20 vjeç dhe vëllai i tij Albani, 18 vjeç, tashmë në kërkim nga policia.