Dyshja kryeqeveritare Rama-Braçe, janë këshilluar së fundi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që ato çfarë dijnë për prokurorin e Durrësit Arian Ndoja, t’i denoncojnë te Krimet e Rënda.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni shtetëror i ngarkuar nga Kushtetuta me detyrën për të garantuar pavarësinë, llogaridhënien dhe statusin e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
Në ushtrim të kësaj detyre, ne ndjekim me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe të prokurorëve të veçantë.
Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me vëmendje deklarimet publike të drejtuesve të qeverisë në lidhje me procedurat ligjore të ndërmarra nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë Durrës për caktimin e masës së sigurisë ndaj drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Këshilli vëren se deklarimet e sipërpërmendura janë të tilla që mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor në vijim dhe të procedurave të tjera ligjore.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon deklaruesit, si dhe çdo subjekt tjetër publik ose privat, të denoncojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të gjitha rastet e dyshuara të kryerjes së veprave penale nga çdo prokuror i Republikës, ndërsa dyshimet për kryerjen e shkeljeve disiplinore duhet të denoncohen pranë Prokurorit të Përgjithshëm (deri sa të krijohet Inspektori i Lartë i Drejtësisë) dhe institucioneve të veting-ut”, thuhet në një deklaratë të KLP-së.
Ditët e fundi, si Rama e si Braçes, kanë sulmuar prokurorin Ndoja, i cili ka hapur proces ndaj kreut të Kadastrës së Durrësit Liridon Pula, duke e quajtur si njeri që u shërben bandave. /tesheshi.com/