Nëse Britania voton për të mos qenë më pjesë e Bashkimit Europian, largimi i saj nga blloku gjeopolitik do të ketë pasoja sizmike . Shqetësimet janë të pafundme: a do të nxisë dalja e supozuar e Britanisë nga Europa, një shkrirje ekonomike? A do të zgjedhë Skocia të braktisë Britaninë ndërkohë që bien prangat e Brukselit? A do të jetë në gjendje pjesa tjetër e Europës të qëndrojë e bashkuar?
Pyetja e fundit përbën për shumë njerëz një frikë reale. Javën e kaluar, ministri i Jashtëm gjerman paralajmëroi se një Brexit do të ta vendosje në rrezik shpërbërjeje “përpjekjen që ka zgjatur me dekada për një integrim të suksesshëm”.
Bashkimi Europian është unik në histori me përqafimin që u ka bërë vlerave demokratike liberale. Pas shekujsh luftërash e gjakderdhjeje, ja ku ishte zgjidhja për një paqe të qëndrueshme dhe të frutshme: një konfederatë shtetesh europiane, pjesa më e madhe e të cilave do të binin gjithashtu, dakord të hapnin kufijtë dhe të përdornin monedhën e përbashkët. Kjo panoramë duket më pak ideale, tani, duke pasur parasysh tërheqjen në rritje të politikave euroskeptike në shumë pjesë të kontinentit e jo më pak në Britani.
Kjo nuk është hera e parë, sigurisht, që projekti madhështor kontinental politik të jetë zbehur apo rënë. Hartat e WolrdWiews tregojnë pothuajse dy mijëvjeçarë të historisë europiane përmes disa prej perandorive dhe aleancave të saj më ambicioze.
Perandoria Romake
Në kulmin e saj, perandoria Romake shtrihej nga kenëtat erëshumë të veriut të Anglisë deri në hapësirat e pafund shkretëtinore të Sirisë. Nën rendin Pax Romana, pjesa më e madhe e asaj që është sot Europa ishte e lidhur me anë të rrugëve, burokracisë dhe politikës. Një gjuhë e përbashkët, latinishtja, ishte e gdhendur në monumente dhe tempuj në të gjithë mbretërinë. Kultet e perëndive lindore, Mithras, për shembull apo Isis, u përhapën gjerë e gjatë. Njerëzit e lindur në vende si Spanja dhe Ballkani mund të aspironin për lavdi dhe ndikim në Romë.
Perandoria ishte një fuqi kontinentale aty ku përpara nuk ekzistonte asnjë tjetër e madje, edhe pas rënies e shpërbërjes së saj nga shekulli i 5-të pas erës së re, gjurmët e saj kanë zënë rrënjë të thella në kursin e historisë europiane.
Mbretëria e Charlemagne, 814
Nën kryekomandantin luftarak frank, Charlemagne dhe pararendësve të tij merovingianë, Europa perëndimore pa integrimin e saj të parë të regjistruar që nga rënia e Romës. Frankët nënshtruan tributë gjermanike në pyjet në lindje të Rinit dhe luftuan me ushtritë muslimane që shtyheshin në veri nga Spanja. Nga kryeqyteti i tyre në
Aachen, ku sot shtrihet Gjermania, Charlemagne sundoi një territor të pamat që në kulmin e vet përfshinte 10 deri në 20 milionë njerëz. Një ndërhyrje në politikat papnore bëri që ai të kurorëzohej si “perandori i romakëve” në ditën e Krishtlindjeve në bazilikën e Shën Pjetrit, në vitin 800 të erës sonë – një rimishërim i perandorisë romake në perëndim me titull, pse jo edhe praktikisht, e që zgjati 1 mijë vjet. Pas vdekjes së Charlemagne në bitin 814, perandoria e tij do të shkrihej mes fraksioneve konkurrente, por gjeografia politike e pjesës më të madhe të Europës Perëndimore, përfshirë edhe mbretëritë e veçanta të Francës dhe Gjermanisë, ishte përcaktuar tashmë.
Perandoria Bizantine
Edhe pse pushteti i Romës ishte dobësuar në perëndim, legjitimiteti i perandorisë u ruajt në lindje me bizantinët. Ata ishin në atë kohë pushteti supreme në Mesdhe, sikundër dhe ledhi kryesor midis tokave që pretendoheshin vazhdimisht nga Islami dhe krishtërimi në perëndim. Kryeqyteti bizantin i Kontandinopojës, tani Stambolli, ishte një qendër e lulëzuar e artit dhe tregtisë e ndoshta bastioni më i rëndësishëm i ligjit të krishterë deri në rëniën e tij pas rrethimit nga osmanët në vitin 1453. Megjithatë ende, bizantinët greqishtfolës apo bizantinët grekë ortodoksë ishin shpesh, në kundërshti me mbretëritë e perëndimit. Në vitin 1204, më shumë se dy shekull përpara se osmanët të merrnin Konstandinopojën, një ushtri kryqtarësh e bastisi qytettin, duke ushtruar një valë brutale përdhunimesh, plaçkitjesh dhe shkatërrimi.
“Gjithandej, kudo ndodhnin të gjitha llojet e krimeve”, shkroi një kronikan i kohës. “Oh, Zot i pavdekshëm, sa të mëdha janë vuajtjet e njerëzve, sa madhështor ankthi!”.
Mbretëria e normanëve
Normanët ishin pasardhës të plaçkitësve vikingë që kishin trashëguar toka për t’u vendosur në veri të Francës – një rajon që tani njihet si Normandia – nga mbreti në Paris në shekullin e dhjetë të erës sonë. Jo shumë kohë më pas, normanët shfrytëzuan rastin për të ngritur mbretëritë e tyre në disa qoshe të ndryshme të Europës. Uilliam Pushtuesi bëri bujë me vendosjen e kontrollit në Angli në vitin 1066. Mbretërit normanë rrethuan qytetin antic Antioch gjatë kryqëzatës së parë, dhe qëndruan në bastioned e tyre në Tokën e Shenjtë me dekada më pas. Dhe në vitin 1130, me njohjen nga papa, një lord normad u quajt mbreti i Sicilisë e kishte nën kontroll një mbretëri shumëgjuhëshe, e më shumë besime që mbijetoi për gati dy shekuj.
Liga Hanseatike
Liga Hanseatike ishte përpjekja e parë embrionike e Europës për një zonë të përbashkët të tregtisë së lirë. Familjet esnafe dhe familjet e fuqishme tregtare në Europën veriore u lidhën së bashku për të formuar shoqëri që lidhnin një sërë qytetesh së bashku, rreth porteve gjermane me ndikim në detin Balltik. Në disa rrethana, ato vendosnin ligje të përbashkëta dhe bashkëpunonin në mbrojtjen e përbashkët.
Kulmi i fuqisë së Ligës ishte midis shekujve 13 dhe 15, por monopoli i saj në tregti dhe ndërtimin e anijeve në rajon ra në kohën e ndryshimeve të rrëmbyeshme në peizazhin europian të fundit të mesjetës, kur u zhvilluan lëvizje si reformimi protestant apo rritja e fuqive rivale në Rusi, Suedi dhe në atë që sot është Holanda.
Europa e Habsburgëve nën Karlin V
Karli V ishte perandor i një gjëje jot ë vogël. Trashëgimtar i tre dinastive të pushtetshme europiane, ai përfundoi duke pasur nën komandë pronat e Habsburgëve në qendër të Europës, në pjesë të Holandës dhe territore si në Spanjën europiane ashtu edhe në kolonitë e pafundme të sja në dy Amerikat. Ai ishte arkiduka i Austrisë, perandor i Shenjtë Roman dhe mbreti i Spanjës. Lindur në Gent, tashmë Belgjika, ai ishte gjithashtu një europian klasik. Një thënie e zgjuar i atribuohet atij: “Unë flas spanjisht me Zotin, italisht me gratë, frëngjisht me burrat dhe gjermanisht me kalin tim”.
Luftërat në disa fronte, përfshirë betejat me osmanët dhe Francën, e dobësuan mbretërimin e tij e ai abdikoi nga froni në vitin 1556 dhe u tërhoq në një manastir. Djali i tij, Filipi mori nën kontroll perandorinë spanjolle, ndërsa vëllai më i vogël Ferdinandi hodhi mantelin e Habsburgëve në qendrën e Europës.
Komonuelthi polako-lituanez
Komonuelthi polako-lituanez me gjasa është shteti më i madh europian për të cilin nuk keni dëgjuar të flitet ndonjëherë. Në kulmin e vet, republika dy shtetëshe- një shkrirje e Mbretërisë së Polonisë dhe Dukatit të madh të Lituanisë- përfshinte një rrip të gjerë të asaj që është sot Europa Qendrore dhe Lindore, nga shtetet balltike, Polonia, Bjellorusia dhe Ukraina. Qëndroi në këmbë nga fundi i shekullit të 14 deri në fundin e shekullit të 18. Shenjë dalluese ishte një tolerancë e pazakontë fetare: në një farë kohe, 80 për qind e hebrenjve të botës jetonin brenda kufijve të këtij shteti. Disa historian e konsiderojnë kushtetutën e tij, miratuar në vitin 1791, si dokumentin e parë modern, proto-demokratik të draftuar në Europë. Komonuelthi u gërrye dhe për pasojë u shpërbë nga ekspansioni i tre perandorive ribale në kufijtë e vet: Rusisë, prusisë dhe Habsburgëve të Austro-Hungarisë.
Europa Osmane
Në vitin 1683, një ushtri e madhe osmane qëndronte në dyert e Vjenës për herë të dytë. Rrethimi i dështuar ndaj kryeqytetit austriak konsiderohet një moment përcaktues në historinë europiane – beteja e paparashikueshme që mbrojti mbretëritë e krishtërimit nga avancimi osmanëve muslimanë. Me shekuj, gjithsesi, osmanët ishin po aq “europianë” sa gjithë të tjerët. Ushtritë e tyre dhe drejtuesit e lartë ishin poppulluar nga rekrutë jeniçerë dhe të krishterë të konvertuar nga të gjithë hapësirat kufitare përgjatë Mesdheut dhe detit të Zi. Sulmi mbi Vjenën për më tepër ishte planifikuar në bashkëpunim me mbretin e Francës- osmanët ishin negociues të pushtetshëm ashtu si çdo perandori tjetër e madhe. Në shekujt që pasuan, territoret europiane të Stambollit do të zvogëloheshin deri në shpërbërjen e perandorisë pas luftës së parë botërore.
Europa nën Napoleonin
Në qershor 1812, Napoleon Bonaparti, perandori i kurorëzuar francez, drejtoi ushtrinë e tij të madhe në atë që do të ishte pushtimi i Rusisë. Katastrofa e ekspeditës – që solli edhe me qindra mijëra të vdekur – do të sillte edhe zhbërjen e pushtimeve të tij në të gjithë Europën dhe azilin e shkurtër në ishullin mesdhetar të Elbës. Përpara se kjo të ndodhte, brenda më pak se një decade, gjenerali korsikan kishte fituar një numër mahnitës betejash që sollën së bashku nën kontrollin e tij ose në pajtim me interesat e tij, pjesën më të madhe të Europës. Europa nuk do të përjetonte një projekt kaq të shpejtë ekspansionist deri në luftën e dytë botërore.
Europa në prag të luftës së parë botërore
Lufta e parë botërore ishte një konflikt që pasi dekada të tëra aleancash sekrete e skemash midis fuqive më të mëdha të kontinentit. Pakti trepalësh mes Britanisë, Francës e Rusisë shkonte kundër interesave të Gjermanisë dhe Perandorisë Austru-Hungareze. Kështu, Perandoria Osmane do të hynte në luftë kundër rivalit të hershëm në Rusi dhe Itali, Rumania dhe Serbia do të bëheshin palë me treshen e fuqive të mëdha në përpjekje për të mposhtur austriakët.
Europa naziste
Në kulmin e vet, Rajhu i Tretë dhe aksi i aleatëve të tij kontrollonin një zonë të madhe të Europës nga Franca deri në tokat kufitare të lyera me gjak të Bashkimit Sovjetik. Ekspansionizmi nazist u nxit nga dëshira e Adolf Hitlerit për “lebensraum” apo hapësirën jetike për rracën gjermanike. Ai i shndërroi zona të tëra të kontinentit në një gropë varri ku u zhdukën me miliona njerëz.
Unioni Beneluks
Një bashkim politik dhe ekonomik midis tre shteteve fqinje relativisht të vogla, – Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut, grupi i Beneluksit do të bashkohej më pas edhe me Gjermaninë Perëndimore, Francën dhe Italinë për të formuar komunitetin europian të çelikut dhe qymyrit , një pararendës i organizmave që do të sillnin më pas krijimin e Bashkimit Europian. Monedha e përbashkët, franga midis Belgjikës dhe Luksemburgut gjithashtu mund të shihet si një pararendëse e monedhës së përbashkët të eurozonës.
NATO përpara rënies së Bashkimit Sovjetik
Përpara kolapsit të Bashkimit Sovjetik, organizata e Aleancës së Atlantikut të Veriut ishte aleanca ushtarake supreme e perëndimit. Ajo mbetet ende e tillë, edhe pas përfundimit të kërcënimit sovjetik. Tashmë e proklamuar si aleancë e demokracive, fillimisht NATO qepi së bashku kombet që nuk ishin të tilla në atë kohë, përfshi Greqinë dhe Turqinë. Perspektiva e përhapjes së NATO-s që vijon ende, e që duket se do të përfshijë edhe më shumë shtete sesa shihen në hartën më sipër, e shqetëson Moskën edhe sot e kësaj dite.
Bashkimi Europian, tani
Ndërkaq, Bashkimi Europian, i formuar zyrtarisht në vitin 1993, gjithashtu është rritur dhe tashmë llogarit 28 anëtarë. Por nëse Britania largohet të premten, a do të rrudhet ky numër?
Përgatiti: Juli Prifti -/tesheshi.com/