Dy partitë në opozitë, PD dhe LSI, kanë mbledhur grupet parlamentare para nisjes së seancës plenare ku kryeministri Edi Rama do të paraqesë programin e qeverisë, ndërsa pasdite do të votohet për të.
Sikundër mësohet dy partitë opozitare do të votojnë kundër qeverisë “Rama2”, e cila veç mbështetjes së 74 deputetëve të PS-së, mund të marrë edhe votat e 3 ligjvënësve të PDIU dhe Tom Doshit nga PSD. Në këtë mënyrë në total, Rama dhe kabineti i tij, mund të gëzojnë mbështetjen e 78 ligjvënësve nga 71 vota që duhen.
Votimi për qeverinë është i hapur, që do të thotë se ka pak shanse që të përsëritet situata për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ku të paktën dy deputetë të PD votuan pro tij.
Burime nga PD shprehen se qëndrimi ndaj qeverisë është i qartë, kundër me votë dhe diskutime. Të njëjtin qëndrim raportohet se do të mbahet edhe nga LSI, e cila ka 19 deputetë në Kuvend, ndërsa opozita në tërësi numëron 62 mandate. /tesheshi.com/