Kush e njeh Tom Doshin ose kush e ka ndjekur nga afër veprimtarinë e tij politike, e ka kuptuar menjëherë se deklarata e ashpër e lëshuar sot kundër Edi Ramës, nuk është gjë tjetër veçse një thirrje për marrëveshje. Por deputeti socialist nga Nënshkodra, ka përdorur mjetin efikas që e zotëron mirë-ka luajur fort dhe me presion.
Në këtë mënyrë Tom Doshi, ka arritur të bëhet vetë pa ndihmën e askujt një nga njerëzit më me peshë në Shqipëri, politikani më i pasur në vend dhe qendër pushteti e padiskutueshme në qarkun e Shkodrës. Po kush është njeriu që u përmend në raportet e ambasadës amerikane në Tiranë pas përplasjes me gazetarin Besar Likmeta dhe njeriu që është akuzuar nga kabllogramet e publikuara nga Wikileaks për trafikim narkotikësh dhe pastrim parash?
Tom Doshi, i përket moshës “së artë” asaj të shumicës së politikanëve shqiptarë. Është 49 vjeç ka lindur në Shkodër, por fëmijërinë e ka kaluar në fshatin e tij të Nënshkodrës, Trush, pinjoll i një familje të njohur me origjinë nga Këlmendi. Synimin për të çarë në Shkodër, një qytet aspak i lehtë për banorët e rrethinave e arriti në mesin e viteve 90 kur Shqipëria e gjitha e në veçanti Shkodra ishte kthyer në Far West ku mbijetonte më i forti. Në kohën e tregtisë me Malin e Zi, ku vendi fqinj u kthye në rezervuarin e tregtisë për Jugosllavinë nën embargo, një nga pasanikët e parë që lindën nga ky ambjent ishte edhe djali nga Trushi i Shkodrës.
Afërsia me Velipojën dhe kufiri me Malin e Zi ishte mundësia për Doshin për mos ta lënë të ikte. Aty nisi dhe vrulli i biznesit të Tom Doshit, i cili akuzohet se ka qenë një nga aktorët kryesorë të kontrabandës së cigareve. Gjatë kësaj kohe, si një familje e persektuar nga regjimi i vjetër Doshi, ishte dhe përkrahës dhe financues i Partisë Demokratike, por ende pa ambicjen për të hyrë në politikë. Ndërkohë që paratë shtoheshin, ambicja e djalit nga Nënshkodra nuk ndalej. Pas një transferimi të shkurtër në Australi, ku lindë dhe dy fëmijët e tij, Tom Doshi, rikthehet sërish në Shqipëri duke hyrë fuqishëm në elitën e biznesit të kryeqytetit. Me dy manovra të forta bëhet ortak e më pas kontrollues i dy nga bizneseve më të fuqishme në Tiranë, një stabiliment i përpunimit të qumështit dhe ndërmarrjen më të fuqishme farmaceutike në vend, e cila u privatizua në një process mjaft të diskutueshëm. Në këtë kohë, jemi në vitin 2001, tregu i barnave ishte bërë i frikshëm. Një operator mjaft i fuqishëm italian u largua nga vendi pasi deklaroi në media se ishte luftuar nga konkurenca.
I fuqizuar shumë, Tom Doshi, mendon si do ta ruajë dhe shtojë këtë pasuri marramendëse. Normalisht gjen rrugën më të shkurtër-të hyjë në police. Troket në derënt e partisë së tij, Partisë Demokratike, por e gjen mbyllur. Berisha nuk do ta pranojë. Shkodra ishte bastion për PD dhe mund ta fitonte thjesht me njerëz që i kontrollonte lehtë. Atëherë biznesmeni i fuqizuar përdor derën përballë, troket tek Fatos Nano i cili i hap portën e madhe të politikës. Tom Doshi, arrin që për herë të parë së bashku me Paulin Sterkajn ti japin PS-së dy deputetë në Shkodër të zgjedhur direkt jo nga lista.
Tom Doshi do të fitonte por Fatos Nano humbi dhe u largua nga PS. Duke e parë Berishën si rrezik për biznesin e tij, Doshi i ofron luajalitet kryetarit të sapozgjedhur të Partisë Socialiste, Edi Rama. Madje duke shfrytëzuar miqësinë e ngushtë me Dritan Priftin negocion dhe arrin që të bashkojë Ramën me Metën për zgjedhjet lokale të vitit 2007. Pozicioni i tij në politikë fuqizohet më shumë, duke i dhënë kontrollin e qarkut Shkodër. Kjo krijon edhe një të çarë me homologun Paulin Sterkaj, i cili do të largohet nga PS pas zgjedhjes së Presidentit në vitin 2007. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 influenca e Doshit rritet, edhe pse PS mori në qarkun Shkodër vetëm 4 deputetë. Por pas zgjedhjeve të këtij viti ai do të bëhej “Lordi” i së majtës në qarkun verior, duke larguar nga PS të gjithë ata që i cilësonte si kundërshtarët e tij. Largoi jo vetëm kryetaren e PS-së së qytetit Shkodër, Keti Bazhdari, një veprimtare e re politike që vinte nga biznesi dhe pëlqehej shumë nga Edi Rama, por edhe të gjithë mbështetësit e saj në qytet. Njerëzit luajalë të tij i emëroi kudo, duke krijuar një çarje të konsiderueshme brenda PS-së së qytetit më të madh të veriut. Një pjesë u bashkua me LSI, një pjesë tjetër priste zhvillimet e ardhshme duke mbështetur partinë e tyre. Në zgjedhjet e vitit 2013 Tom Doshi, edhe pse ishte kreu i listës së qarkut dhe udhëheqës i fushatës, ai nuk ishte aksi kryesor në qark. Tashmë si lojtarë të fortë ishin shktuar edhe Paulin Sterkaj, por edhe Agron Çela i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili arriti të marrë dhe të ruajë një numër të madh votash të majta në qytetin e Shkodrës. Por Tom Doshi, pati “carta Bianca”-n nga Rama për lidhur aleancë me një parti të vogël me synimin për të nxjerrë një deputet, i cili nuk ishte “kafshatë” e lehtë për kreun e opozitës që priste të bëhej kryeministër i vendit. Bëhet fjalë për deputetin e Pukës Mark Frrokun, kreu e njërës për partive demokristiane, vëllai i të cilit është i akuzuari kryesor për vrasjen e shefit të komisariatit 6 të kryeqytetit, Dritan Lamaj. Tom Doshi arriti të vendoste në kokë kurorën e fitores në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Për herë të parë e majta mori në Shkodër një deputet më shumë se PD-ja. E paparë ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve shqiptare. PS fitoi 4 deputetë, LSI 1 dhe Bashkimi Demokristian 1. Tom Doshi, i “dehur” nga ky triumb krijoi pas zgjedhjeve një çift të pandarë me Mark Frrokun, për të cilin flitet se kanë bashkëpunuar edhe në biznes. Kjo situatë e vuri në siklet Edi Ramën, i cili nëpërmjet Mark Frrokut i lëshoi një mesazh indirekt Tom Doshit. Në mbledhjen e grupit të PS-së Kryeministri i kërkoi Frrokut ti kërkonte ndjesë Jozefina Topallit pas një fyerje në Kuvend, ndryshe të largohet nga grupi i PS. Frroku nuk e kërkoi ndjesën dhe nuk u pa më në mbledhjet e grupit parlamentar socialist. Kjo ishte çarja e parë e Doshit me Ramën, çarje e cila do të thellohej vazhdimisht. Operacioni antikanabis në Dukagjin do të sillte irritimin e radhës, ku publikisht Doshi sulmoi në Kuvend ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, në të njëjtën mënyrë si miku i tij disa vjet më pare, Dritan Prifti kishte sulmuar Edi Ramën. Hapësira për kreun e listës së Shkodrës po zvogëlohej dita- ditës. Emërimet që ai do të propozonte do të hidheshin poshtë. Drejtori i Policisë së Shkodrës do të largohej duke u ankuar se është kërcënuar me jetë nga deputetë të qarkut. Kulmi arriti vetëm disa ditë më parë, kur Edi Rama dhe Ilir Meta vendosën që Keti Bazhdari do të jetë kandidatja e së majtës për kreun e bashkisë tashmë së madhe të Shkodrës, e cila shtrihet nga derdhja e Bunës në Velipojë e deri në malësinë e Dukagjinit. Këtu Tom Doshi, është ndjerë se po i bie pushteti nën këmbë, aq më shumë që armikja e tij Bazhdari, të cilën e kishte larguar me veto, por rikthehej triumfalisht. i gjendur në këto kushte Doshi përdori “luftën totale” dhe deklarata e parë e fortë u duk se ishte një thirrje për marrëveshje, por gjestet më pas në sallën e Kuvendit, dukeshin se ishin lëvizje dëshpëruese që tregojnë se hendeku është i pakalueshëm. Ndoshta e tha sinqerisht para Kuvendit që “nuk ka më paqe me Edi Ramën”. Se me Ilir Metën është ndarë që më 2010 kur afroi Dritan Priftin pranë PS dhe solli videon e famshme që trazoi vendin….(tesheshi.com)