Lulzim Basha duket se e ka zgjedhur ekipin e tij drejtues që pritet ta prezantojë menjëherë në nisjen e sezonit të parlamentit të ri.
Ndërsa u përfol për javë të tëra se do të ishte Grida Duma shefja e deputetëve të rinj të opozitës, burime nga selia blu i thanë tesheshi.com se më i kuotuari për postin e grupit parlamentar të PD-së është përkatësisht kreu i deputetëve të Fierit, dhe ish-ministri i Drejtësisë për një periudhë të vogël kohe në mandatin e parë qeverisës të PD-së pas 2005-s, Enkelejd Alibeaj.
Duket se Basha është menduar gjatë dhe mirë në zgedhjen e juristit mallakastriot, për të zëvëndësuar të mërzitshmin Edi Paloka, një vjetërirë politike e PD-së, i dënuar për të mosshkëlqyer në asgjë.
Në 2015-ën, Alibeajt iu besua garimi në Fier, një qytet tejet i pamundur për t’ju marrë PS-së, por ai arriti t’ja shtojë gjithsesi votat PD-së, edhe pse në ditë të vështira elektorale.
Më pas Basha e thirri në qendër për të drejtuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare, ku Alibeaj u bë akuzatori më i hidhur dhe ndoshta më i besueshmi ndaj Saimir Tahirit, atëherë Ministër i Brendshëm.
Po kush është Enkelejd Alibeaj politikisht dhe ç’përfaqëson ai si figurë në opinionin publik?
Lulzim Basha duket se ka menduar mirë dhe ka dashur që “me një gur të vrasë dy zogj”, pasi duke kandiduar ish-ministrin e Drejtësisë së Sali Berishës, ish-këshilltarin e doktorit, ish-kreun e Departamentit Antikorrupsion në qeveri dhe ish-juristin zyrtar të PD-së në KQZ në zgjedhjet e vitit 2005, kreu demokrat i hedh opinionit publik dhe kundërshtarëve të tij me në krye Patozin, një kartë vazhdimësie të vlerave dhe njerëzve të PD-së së Sali Berishës.
Enkelejd Alibeaj ka hyrë në politikë, thuajse njëkohësisht me Lulzim Bashën. I përket grupit të juristëve të njohur me Argita Berishën që u afruan në KOP edhe falë influencës së krijuar normalisht nga një rreth që studiuan së bashku dhe patën bindje të djathta.
Hyri në PD nëpërmjet KOP-it në vitin 2005, por që nuk u katapultua menëjeherë në pushtetin e lartë.
U njoh publikisht si “juristi misterioz” i PD-së në KQZ në zgjedhjet e 2005-ës, ku disa çështje i fitoi e disa i humbi në Kolegj.
Emërohet nga Kryeministri i asaj kohe, si drejtues i Zyrës Antikorrupsion në qeveri dhe përgatit së bashku me amerikanët zyrat e para shtetërore “One Stop Shop”, pra që të merren dokumentet në një zyrë nëpërmjet regjistrimit online, një nga sukseset reale të qeverisë “Berisha” siç ishin hapja e QKR, QKL etj. Të njëjtën skemë ndoqi dhe po ndjek dhe Edi Rama.
Pas largimit të Ilir Rusmalit si Ministër i Drejtësisë në vitin 2007, Sali Berisha emëron këshilltarin e tij me një mision të caktuar: të jetë një rrufepritëse e fuqishme ndaj Bamir Topit dhe Kryeprokurores Ina Rama.
Për dy vjet Enkelejd Alibeaj u bë një polemist i fortë me Kryeprokuroren, ish-shoqe kursi, por gjuha mes tyre ishte brenda etikës institucionale dhe politike.
Enkelejt Alibeaj përgatiti disa ligje që patën shumë debat, si ai për mandatin e Kryeprokurorit etj., por Berisha fliste me ndërkombëtarët duke thënë që “I ka bërë Enkelejdi me kokë të vet se është konservator në jurisprudencë”.
Mësohet se Alibeaj i ka folur prerë e qartë shefit të tij që nuk duhet ta keqpërdorte marrëdhënien me të, dhe i bëri të ditur se ai nuk do të bëhej vegël e luftës politike me Bamir Topin dhe Ina Ramën.
Realisht, të vetmen betejë që ka bërë Alibeaj, por më vonë, kur u bë deputet dhe kryetar i Komisionit të Ligjeve, ishte ajo me Kreshnik Spahiun, n/Kryetarin e fuqishëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që bënte patriotin në mitingje politike, të cilin pa ju dridhur qerpiku e quajti “sharlatan” dhe investoi në largimin dhe demaskimin e tij.
Pa ardhur këtu, Enkelejd Alibeaj, ka qenë ministër i Drejtësisë, pikërisht në kohën më të mirë për Edi Ramën dhe Sali Berishën, përkatësisht negociatat për ndryshimin e Kushtetutës, që u miratuan në prill 2008.
Alibeaj ishte një nga negociatorët së bashku me Bylykbashin, por nuk vuri asnjëherë firmën në dokument, nuk ishte deputet që ta votonte dhe nuk e ka thënë kurrë versionin e tij për negociatat.
Pas zgjedhjeve të 2009, Enkelejd Alibeaj u zgjodh deputet i qarkut Fier në një zonë të majtë siç është “Mallakastra e butë” e Fratarit ku ai përfaqësonte një familje me emër të djathtë, antikomuniste dhe me rrënjë nga partia nacionaliste e Ballit Kombëtar.
Sali Berisha nuk e afron Alibeajn në qeverinë e re që ndërtoi së bashku me Ilir Metën. Tek Drejtësia dërgoi Bujar Nishanin, i cili në atë kohë kishte edhe probleme më të mëdha shëndetësore, ndërkohë që nuk konfirmoi ish-këshilltarin e tij.
Më pas erdhën kohëra të tmerrshme ku Kryeprokurorja quhej “lavire bulevardi”, dhe siç duket Enkelejdi nuk ishte njeriu i përshtatshëm për të marrë pjesë në një “betejë me llafe të pista”.
Pra, që ta përmbedhim, Alibeaj është i vetmi ish-pushtetar i PD-së, deri edhe ministër që nuk ka rënduar mbi të ndonjë akuzë korrupsioni apo abuzimi. Të paktën publikisht.
Sulmi i vetëm nga kundërshtarët ka qenë ai i formës islamofobe, duke thënë se Alibeaj kishte kryer ritin e Haxhit dhe kështu s’mund të ishte një ministër laik.
Por Enkelejdi besimin e tij nuk e ka përdorur në publik asnjëherë.
Si deputet i PD-së, në debatet publike në Kuvend apo televizion, ai shfaqej si shumë i hidhur, por që nuk bëri asnjëherë militantin që bëhet therror për udhëheqësin.
Ndërkaq, në qarkun Fier ai u përplas me të ndjerin Sokol Olldashi, për politikën e emërimeve, kryesisht në Albetrol dhe në naftë.
Nuk dihet se kush ishte shkaku, Olldashi apo vetë Berisha, por në zgjedhjet e vitit 2013, Sali Berisha e largon fare nga politika Enkelejd Alibeajn, duke mos e kandiduar për deputet.
Në situatën aktuale, Lulzim Basha duket se ka shumë karta në favor për të kandiduar Alibeajn për kryetar grupi.
Është polemist i lindur, ka integritet profesional (është i vetmii gjyqtar që ka dhënë dorëheqjen vetë për të punuar avokat, ku pati sukses me studion e tij. Nuk ka pranuar të korruptohet në profesion, pasi natyrisht e ka bindje, që vjen natyrisht nga besimi i tij).
Ka qenë ministër, por nuk është përfolu; pra përfaqëson PD-në e vjetër, por jo krejt të vjetër, në periudhën më të suksesshme të saj.
Ndërsa rivalët e Bashës me Patozin në krye janë “olldashistë”, pra përmendin modelin e të ndjerit Sokol Olldashi në politike, Alibeaj është krejt ndryshe nga kjo rrymë.
Ai përfaqëson jo demokratin e sertë dhe luftëtar, por një intelektual krejt ndryshe, parimor dhe pa kompromis.
Pra është një model krejt tjetër a ai që përfaqëson Astrit Patozi. Dhe më e rëndësishmja është i pasulmueshëm, si nga brenda PD-së ashtu edhe nga e majta.
Duket se Lulzim Basha i ka menduar gjatë këto, ndaj po afron një intelektual që ndryshe nga shumë drejtues vjen nga e djathta reale e konservatore dhe më e rëndësishme është nga jugu, aty ku PD është dërmuar elektoralisht dhe kërkon të japë një imazh të ri qytetar dhe intelektual. /tesheshi.com/