Udhëtimi i Ilir Metës që nga viti 1991 kur u prezantua nga Musa Ulqini, si një djalë energjik dhe me vizion tek grupi themeltar i FRESSH-it, ka rezultuar si një rrugë në ngjitje, ku djaloshi i rondokop i diplomuar për ekonomi, e që kishte komentuar edhe ndeshje futbolli në Radio Tirana, në mënyrë misterioze konsiderohej si faktor dhe ka arritur të hyjë “dhunshëm” në tavën ku gatuhet torta e pushtetit.
Në vitin 1991, në një takim të mbajtur me PS-në e Peshkopisë, Namik Dokle u foli socialistëve të tronditur nga humbja e pritshme e pushtetit se ka një shpresë te ca djem eurosocialistë dhe përmendi me emër e mbiemër Ilir Metën, si djalin që i kishte bërë më shumë përshtypje.
Dhe djali me përshtypje të mirë katapultohet menjëherë si drejtues i FRESSH-it të Tiranës, degës më të madhe në vend, ku krijoi natyrshëm polin e tij të pushtetit.
Edhe pse Ilir Meta nuk figuron në gjashtëshen themeluese të eurosocialistëve, ai arrin të dominojë një nga një të gjithë: Ilir Zelën, Pandeli Majkon, Lavdrim Krashin, Arjan Kokoshin, Flamur Metallarin, Haki Morinën.
Ky i fundit e kooptoi menjëherë Liken si pjesëtar të Këshillit nismëtar të FRESSH-it.
Që ishte një nga “të zgjedhurit” Ilir Meta, kjo u vu re që në listën e deputetëve të 22 marsit 1992. Atij i lihet një zonë e rëndësishme për të majtën si Poliçani, ku së bashku me vetëm 5 kolegë të tij socialistë, ndër të cilët edhe Fatos Nano, arrin të zgjidhet deputet.
PS fiton në të dy zonat dhe Gramoz Pashko, pedagogu i Ilir Metës në Ekonomik, propozoi që Skraparin ta rrethojnë me tela me gjemba.
Në vitin 1992 zhvillohet kongresi i parë i eurosocialistve ku pati një duel të fortë për kryetar mes Ilir Zelës dhe Pandeli Majkos.
Fiton Majko i cili mbledh Komitetin e Përgjithshëm Drejtues dhe udhëheq lojën për krijimin e kryesisë së re.
Në këtë mbledhje, Ilir Meta bie menjëherë në sy si rivali real i Pandeli Majkos dhe bashkë me Monika Kryemadhin ndikojnë në “rrethimin e kryetarit” të ri me njerëzit e tyre. Luan Rama, i cili atëhere ishte një nga të famshmit e Zërit të Popullit caktohet nënkryetar nga Ilir Meta, duke e bërë aleat të lojës së tij.
E ndërkohë që la Majkon në vetminë e tij në kreun e eurosocialistëve, Meta nis e bën karrierë në Partinë Socialiste, duke përdorur asetin që kishte krijuar në FRESSH, dhe arritur që ta anëtarësonte këtë organizatë në Internacionalen e Rinisë Socialiste, ndërkohë që PS-në nuk e qasnin.
Pas një greve të punëtorëve të kombinatit të armëve në Poliçan, Ilir Meta sulmohet nga Berisha si nxitës i rebelimit. Parlamenti i heq imunitetin.
Kjo realisht rezultoi të ishte një “dhuratë” për Ilir Metën që të marrë një certifikatë të vyer politike, e cila më pas do t’i shërbejë për të ngjitur shpejt shkallët.
Me anë të një marrëveshjeje me Fatos Nanon e burgosur në Bënçë, Ilir Meta arrin t’i marrë Pandeli Majkos postin e kryetarit të FRESSH-it, në një kongres të tensionuar ku organizata u nda me thikë.
Këtu nis edhe fuqizimi i pandalshëm i djalit shpresëmadh, siç e kishte cilësuar Dokle, i cili arriti me Nanon në burg të bëhet nënkryetar i PS-së dhe njeriu më i sulmuar nga lideri i burgosur.
Në një intervistë për Mero Bazen në Zërin e Amerikës, Fatos Nano flet nga Bënça për “guralecët” që kanë zënë qypin e mjaltit, me aludimin se negocojnë me Sali Berishën, në atë kohë President i Republikës.
Me mocionin e vitit 1996, Fatos Nano arrin ta mënjanojë Metën nga kupola e PS-së dhe kryetari i FRESSH-it humb në një betejë me Rexhep Meidanin për t’u zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i PS-së.
Ardhja në pushtet në vitin 1997 e gjen Ilir Metën jo në krye të PS-së por diku anash.
Zgjidhet normalisht deputet në Skrapar dhe Nano i ofron një post: Sekretari Shteti në Ministrinë e Jashtme.
Në fillim e refuzon duke e cilësuar si nënçmim, pasi nëse do ta pranonte do të humbte mandatin e deputetit, por më pas Nano bie në marrëveshje që Ilir Meta të mund ta prishte rregullin e vendosur nga ai.
Më 14 shtator 1998, kur militantët e PD-së sulmojnë kryeministrinë dhe Fatos Nano jam mbath në Maqedoni, Ilir Meta me disa ministra drejton realisht operacionin për të marrë pushtetin dhe ishte nga të paktët ministra në detyrë.
Madje Meta bashkë me Anstas Angjelin arrijnë të futen me tank në Ministrinë e Brendshme ku i japin zemër ministrit të ndjerë Perikli Teta se qeveria nuk është larguar.
Pasi rrëzohet qeveria e Fatos Nanos, kryeministri i ri Pandeli Majko pranon që të ketë si krah të djathtë të tij, pra zvkryeministër vetëm një person: Ilir Metën, rivalin e tij në FRESSH, me vizionin se do ta bëëjë aleat në synimin për t’i marrë Nanos PS-në së bashku me njeriun që kryetari e kishte luftuar që prej dy vjetësh.
Në garën kongresuale për kreun e PS-së pas dorëheqjes taktike të Nanos, Ilir Meta nxit Majkon të luftojë se ka mbështetjen e tij.
Por në fund bën marrëveshje me Nanon, i cili sapo zgjidhet kryetar emëron Ilir Metën Kryeministër.
Këtu skraparliu i lindur në Tiranë arrin zenithin e tij politiik dhe për 4 vjet arrin të bëhet kryeministri më i fortë deri atëherë duke grumbulluar një pushtet të madh.
Bashkohet me Edi Ramën në garën për të fituar bashkinë e Tiranës dhe që të dy krijojnë një pol të “frikshëm” pushteti ku Nanos po i humbiste toka nën këmbë.
Arrin të fitojë dy zgjedhje si kryeministër: ato të vitit 2000, pra lokalet dhe parlamentaret e vitit 2001.
Pas këtyre zgjedhjeve, fiton një betejë të fortë me Fatos Nanon në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues, duke fituar ndaj kandidatit të mbështetur nga Nano, Arben Malaj për kryetar qeverie.
Meta nis mandatin e dytë të PS-së në pushtet me një fuqi jo vetëm të brendshme por edhe ndërkombëtare.
Arrin të takojë George Ë. Bush në zyrën ovale, menjëherë sapo fitoi zgjedhjet, duke marrë një “ok” të fortë nga amerikanët.
Vendi nis e stabilizohet nga kriza e 1997-98-ës dhe buxheti i shtetit fillon të marrë të ardhura.
Meta nis një vrull punësh publike që nëse i krahasojmë sot janë çikërrima, por për kohën quheshin gjjigande, pasi asnjëherë prej 1991 qeveria nuk nxirrte para për investime të tilla.
Kompanitë nisin të punojnë dhe gjenerojnë ekonomi. Privatizon AMC-në, jep licencën e dytë celulare për Vodafone, por edhe privatizon fabrikat më të mëdha shtetërore duke krijuar një rrjet të madh me biznesin e kapitalistët e fuqizuar vendas.
Ilir Meta praktikisht kthehet në njeriun më të fortë në vend dhe të gjithë deputetët e përkrahën.
Në vitin 2002, në aleancë “fluide” me Sali Berishën dhe Rexhep Meidanin atëherë President, shkarkon Arben Rakipin, kryeprokurorin e emëruar nga Fatos Nani, i cili nisi hetimet ndaj Dritan Priftit, njeriut më të afërt të tij, që nga shef i kabinetit emërohet Drejtor i KESH, korporatës më të fuqishme dhe fitimprurëse në vend.
Këtu nis dhe beteja e madhe me Fatos Nanon, i cili pikërisht pas kësaj manovre të Metës bën marrëeshje me Sali Berishën për të zgjedhur President Alfred Moisiun, një pakt që ricikloi përfundimisht doktorin i ndodhur në margjinat e politikës dhe që kishte humbur dy zgjedhje me mundësinë e paktë për t’u ringritur.
Kjo kohë ishte edhe më e zeza për Ilir Metën, i cili sulmohet nga Fatos Nano në KPD-në e famshme, duke arritur që ta përkufizojë qeverisjen e tij si një kastë e korruptuar.
Me disa lëvizje taktike dëshpëruese, Ilir Meta jep dorëheqjen më në fund dhe pranon një pakt për të qeverisur me Fatos Nanon kryeministër dhe vetë merr rolin e numrit dy dhe shefit të diplomacisë shqiptare.
Por nuk qëndroi shumë dhe largohet duke i paraprirë edhe shizmës më të madhe të së majtës shqiptare. Pasi Nano nuk e zgjodhi në asnjë post në udhëheqjen e re, Meta formon LSI-në dhe arrin ta largojë armikun më të madh që kishte deri atëherë, Fatos Nanon.
Në vitin 2005 LSI e Ilir Metës fiton 7 deputetë duke qenë realisht forca e tretë politike në vend.
Me ëndërr për t’u rikthyer për ta marrë PS-në, Ilir Meta kundërshton egërsisht zgjedhjen e Edi Ramës si lider i socialistëve, por më pas bëhet aleat në zgjedhjet lokale të vitit 2007.
Por kjo miqësi zgjat shumë pak. Kur Edi Rama bën paktin me Sali Berishën për të ndryshuar Kushtetutën e 2008-s, Meta hyn në një grevë urie të gjatë ku prishet përfundimisht aleanca e tij me Edi Ramën.
Megjithëse nuk e shpall asnjëherë publikisht, Meta voton kundër buxhetit të Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës në shkurt të 2009-s duke i paraprirë një aleance me Sali Berishën.
Në 28 qershorin e vitit 2009, Ilir Meta i jep Sali Berishës oksigjentin e domosdoshëm për të qeverisur me 4 votat e tij të “arta” siç do ta cilësonte vetë.
Këtu nis dhe përplasja e madhe me Edi Ramën që solli kulmin në janarin e vittit 2011 ku publikohet videoja e famshme me Dritan Priftin, e cila solli më pas revoltën e madhe të 21 janarit ku Garda vra 4 qyetetarë në Bulevard.
Këtu majiset dhe arrin kulmin dhe armiqësia më e madhe me Ramën, ku në një dalje publike Meta nuk le asgjë pa thënë ndaj liderit të opozitës shqiptare.
Në 2011, Ilir Meta së bashku me Lulzim Bashën formojnë dyshen që arrijnë më në fund por me një proces të parregullt që të largojnë Edi Ramën nga bashkia e Tiranës.
Por ndryshe nga ç’pritej, Edi Rama, nuk i rikthehet luftës me Metën, por pasi shkroi “Kurban”-in nis një process të fshehtë të sofistikuar për ta afruar pranë tij armikun ish-mik, si rruga e vetme që të ndalojë Sali Berishën i cili kishte grumbulluar të gjitha pushtetet në dorën e tij.
Dhe pikërisht në vitin 2012 kur Berisha, me një kolpo merr Presidentin, Kryeprokurorin, kreun e SHISH-it, Edi Rama projekton në fshehtësi të plotë akeancën me LSI-në, e cila u kurorëzua në 1 prillin e 2013-s.
Ilir Meta, me një marrvëshje paraprake, edhe pse merrr vetëm 3 ministra dhe postin e kryetarit të Kuvendit, arrin të “akaparojë” 40% të pushtetit në qendër dhe bazë.
LSI-ja e 2013-s me 20 deputetët e marrë, tre nga të cilët nga marrëveshje paszgjeshore kthehet në një grup që kërcënon mazhorancën kohë pas kohe, pasi Rama nuk kishte 71 deputetët e domosdoshëm.
Por pas zgjedhjeve lokale të 2015-ës, ku Ilir Meta dështon të zgjedhë kryetarët e bashkive të Vorës, Lezhës dhe Pogradecit, nis përplasja e madhe me Ramën, që do të kulmojë në verën e 2016-s, ku u përfol për një përpjekje të tij për të rrëzar aleatin shtatlartë me një mocion së bashku me opozitën.
Por ky operacion mbeti gjithmonë në hije dhe u tha se Edi Rama kishte arritur të siguronte shumicën mbijetuese edhe pas disa lëvizjeve me Shpëtim Idrizin dhe të ca deputetëve të LSI-së.
Vetëm dy ditë më parë këtë e deklaroi hapur Gramoz Ruçi në Parlament.
Prej një viti, Ilir Meta dhe Edi Rama kanë qenë realisht aleatë vetëm formalisht, pasi LSI ka qenë sulmuesja më e fortë ndaj qeverisë.
Ka shumë gjasa që prej atëherë është mbyllur paktin për President dhe Meta ka tentuar që të afrohet me opozitën; së cilës si kryetar Kuvendi i ofroi hapësirë të pafund në seancat e së enjtes, ku madje edhe çadra e ngitur nga Basha pati premtimin e heshtur të bashkimit me Ilir Metën.
Por zyrtarizimi i kandidaturës për kryetar shteti i dha një goditje të madhe Bashës dhe Berishës, që u ndjenë të tradhëtuar nga Meta; i cili siç tha Edi Rama, “është me të gjithë por me asnjërin”. Pra ka lujatur gjithmonë për vete. Si edhe sot, kur pritet të marrë postin më të lartë të shtetit, duke e kthyer në njeriun e vetëm që ka provuar të tre postet e larta të Republikës. Maje ia kaloi edhe Sali Berishës që ka qenë President dhe Kryeministër.
Por Ilir Meta, është një nga politikanët më të akuzuar në vend që prej kohës kur drejtonte qeverinë. Jo vetëm nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë si Fatos Nano, Dritan Prifti, apo edhe të tjerë, por dhe nga perceptimi i opinionit se lëvizjet e tij politike janë të gjitha pa skrupujt morale, por thjesht “intriga pallati” që vërtet e kanë ngritur e ulur, por pa e larguar kurrë nga sferat e pushtetit.
Duke ardhur në ditën kur bëhet gati të kthehet në kryetarin e shtetit shqiptar, një post që sipas gjasave nuk do ta ketë për të mbyllur karrierën politike, por si trampolinë për t’u hedhur sërish në xhunglën e egër të skenës poltike dhe për t’u rikthyer në postin që duke se e ka më shumë se obsesion-Kryeministrin e vendit. /tesheshi.com/