Nga Blendi Gashi
Ndërsa të gjithë e quanin legjendë dhe ishin të lumtur që Fadil Vokrri ishte kreu i futbollit kosovar dhe sigurisht më meritori që Kosova u pranua në FIFA dhe UEFA, fjalë as përafërsisht të njëjta nuk mund të thuhen për pasardhësin e tij Agim Ademi.
Ky i fundit nuk do ketë tërë kohën në dispozicion t’ia kushtojë vetëm futbollit siç bëri Vokrri, sepse një pjesë të saj do ta ndajë edhe për sistemin e drejtësisë pasi ka një rast të pazgjidhur me ligjin, i cili është i dënueshëm deri me 10 vite burg.
Ademi ka tri vite që është nën aktakuzë për zhvatje, korrupsion dhe kërcënim për çka kishte mbajtur edhe 30 ditë paraburgim.
Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në vitin 2016, në pikën e parë të aktakuzës, “të pandehurit Agim Ademi dhe Muharrem Rama gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kanë kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30 mijë euro, apo një veturë të tipit BMW X5, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje”.
Ndërkaq në pikën e dytë të aktakuzës “të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje pasi që në të njëjtën periudhë kohore të lartë cekur ata kanë kërkuar nga Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30 mijë euro apo veturën e tipit BMW X5, duke kërkuar ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga ‘zonë e gjelbëruar’ në ‘zonë ndërtimore’”.
Për këtë rast ai më 20 korrik do të dalë në bankën e të akuzuarit dhe nuk do ketë kohë t’i përkushtohet plotësisht detyrë së tij të re.
Ademi, i papranueshëm për gjitha klubet…
Një e metë tjetër e kryetarit të ri të Federatës është se jo të gjitha klubet e përkrahin, çka nuk ndodhte me Vokrrin.
Është hiç më pas se klubi i Prishtinës që e ka quajtur kohë më parë njeri të inkriminuar Ademin, kjo pas një përplasje mes tyre rreth lobimit për sportin kosovar, pra kur ende nuk ishte pranuar në FIFA e UEFA.
“T’ju kujtojmë, Agim Ademi edhe një jetë të tërë të ketë, nuk do ta meritonte të ishte as në krye të një skuadre të bankrotuar siç është Kosova e Prishtinës, e lëre më të përfaqësoj rajonin më të madh të banorëve në vend e të jetë nënkryetar i shtëpisë së futbollit, FFK. Edhe dy jetë t’i ketë, asgjë nuk do ta lajë inkriminim e tij nga drejtësia e gjyqësorit, e lëre më të merret me kryetarin e FC Prishtina, Remzi Ejupi, që ka takime me miq të futbollit ndërkombëtar, se që ka vite në shpatullat e tij Agim Ademi sëbashku me veprat e tij të mira, nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë të tillë, për të këqijat mos të flasim, fletë gjyqësori për çka edhe e ka akuzuar”, thuhet në një deklaratë të Prishtinës të dates 10 mars 2016.
Klubi futbollistik “Prishtina” ka akuzuar Ademin edhe për keqpërdorime.
“Në FFK, pa dyshim ka edhe njerëz të ndershëm, por para se të merret me dikë tjetër, qifti i Agim Ademit, duhet të përgjigjet, se ku po shkojnë të gjitha parat, donacionet, e Ministrisë së Sportit e Qeverisë? Po parat e ndeshjeve miqësore, keni dhënë llogari?? Po emrin e Kupës e Republikës që dikur e ndante presidenti, emrin ja keni ndërruar për para, të cilat shkojnë, ku?? Edhe emrin e Superligës e keni shitë, po parat ku shkojnë??” Jeni duke e ngrënë djersën e futbollistëve, e gjeneratës së re të futbollistëve që po vije dhe dilni krekoseni aty për disa topa të falur. Turp të keni dhe nuk do t’ju shkoj larg!!!”, thuhet në deklaratë.
Kujtojmë se do ta vazhdojë mandatin 2 vjeçar të lënë në gjysmë nga i ndjeri Fadil Vokrri, pasi në vitin 2020 do të mbahen zgjedhjet në të gjitha organizatat sportive për ciklin olimpik 2020-2024.