Nga Ermir Hoxha
“Ti profesor je nga ata që e di sa bëjnë 7 herë 7”, ju drejtua Edi Rama demokratit Edmond Spaho në seancën e së enjtes, duke e respektuar për të “n”-ën herë me titullin “profesor”, gjë që ndoshta nuk e ka hasur as në partinë e tij, ku vetëm Berisha gëzon të drejtën të quhet me nderimin e lartë “doktor”.
Ndërkohë, mund të ish kushedi e sata herë që Rama replikonte me profesor Edmond Spahon, qëkurse është në detyrën e kryeministrit, e ku demokrati nga Lushnja gjendet në kahjen e opozitës si deputet. Është interesante kurba e Edmond Spahos në PD. “Profesori” demokrat i Ramës ka qenë një ndër të pashumëzëshmit në selinë blu. Me pamjen e një burri të urtë, ai i tillë ka qenë gjithnjë, duke mos shënuar asnjë episod neurotik në jetën politike. I përket racës së të vjetërve në PD, së bashku me Berishën, Tritan Shehun, Edi Palokën, Genc Pollon e ndonjë tjetër. Ka qenë ministër Turizmi në qeverinë “Meksi”, ku pas rënies së këtij të fundit në vitin ’97-të, u largua për ca kohë nga angazhimi partiak, për t’u rikthyer në kuadër të KOP-it në 2005, pra me riardhjen e PD-së në pushtet.
Detyra më e lartë që arriti, qe kryetar i Komisionit të Ekonomisë në mandatin 2009-2013. Më pas, në kushte opozite, do ishte n/kryetar Kuvendi. Dhe është pikërisht pas-2013-ta që e shndërron Edmond Spahon si një ndër zërat më luftarakë në grupin parlamentar të PD-së, tipik një “skifter”. Nuk dihet nëse kjo ka qenë diçka me burim “direktive nga lart”, pra ku i është ngarkuar detyra e sulmit ndaj qeverisjes, apo është një vullnet i tij individual, për ta bërë në prag pleqërie atë që nuk ka mundur ta bëjë në të ritë e tij, moshe edhe politike. Por fakt është se ky Edmond Spaho që shohim sot nuk ka qenë i tillë.
Gjithnjë në hije – referuar dhe posteve që i janë besuar, shumë pak për një profesor – ai ka ndjellë njëfarë simpatie për aq protagonizëm politik sa ka patur, mu prej urtësisë së treguar, fizike dhe etike bashkë. Ndërsa sot, ai është në të njëjtën gjatësi vale me Flamur Nokën, një figurë emblemë e PD-së së vonë, mishërim i deintelektualizmit në këtë parti, ndonëse me diferenca të dukshme kulturore, pra dhe intelektuale. Mjaft fakti që nga Rama thirret “profesor”, edhe kur ndodh ta lëshojë fort gojën, kurrë në fyerje, gjithnjë në akuza, sado të pareformuara, siç partia e tij që nuk reformohet dot. /tesheshi.com/