Nga Ermir Hoxha
Siç është bërë tashmë me dije, Agron Duka ka vendosur të lërë pas angazhimin e tij si deputet në Partinë Republikane për t’u emëruar në krye të Partisë Agrare, e drejtuar për 25 vite rresht nga Lufter Xhuveli.
Agron Duka, pas një takimi me Xhuvelin, shpalli të premten vendimin e tij për të vazhduar karrierën politike në krye të Partisë Agrare Ambientaliste, atje ku me sa duket ndjehet më mirë edhe për shkak të biznesit të tij të lidhur me bujqësinë.
Por cila është karriera 16-vjeçare në politikë e atij që Berisha i pati mveshur lloj-lloj epitetesh pa e ditur se dikur do ta kishte nën çadrën e tij, pjesë të koalcionit të djathtë.
“Duka i krimit” e pati cilësuar kreu demokrat Agron Dukën në vitet 2000-2005, kohë kur betejat e Berishës me Nanon ishin shumë të ashpra. Agron Duka ishte në atë kohë ministër i Bujqësisë, i zgjedhur në kabinetin qeveritar të Fatos Nanos si përfaqsues i biznesit. Ai, në këtë post u emërua në vitin 2000 dhe vetëm një vit më pas, në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2001, u zgjodh deputet në Shijak, gjoja i pavarur.
Dhe mbahen mend mirë turfullimet e Sali Berishës, në atë kohë lider i opozitës, ndaj familjes Duka. I pati quajtur edhe “Klani i Zemunit”, ku për hir të së vërtetës, vëllezërit Duka, pra edhe Armando që do merrte frenat e futbollit shqiptar duke u vënë në krye të FSHF-së, së bashku me kunetërit, vëllezërit Koka, ngjanin si një klan ekonomik që sundonin në hapësirat e Durrësit e Shijakut, por që po ngjisnin dhe majat e politikës në Tiranë.
Përmes këtyre epiteteve dhe një beteje të përqëndruar akuzash, opozita i fitoi zgjedhjet e vitit 2005, edhe në Shijak, atje ku kandidat i PS-së ishte Agron Duka. Ai u mund nga Sokol Olldashi, në një betejë vërtet të vështirë.
“Fituam mbi krimin”, pati thënë Berisha atë natë kur fati i zonës së vështirë elektorale në Shijak ishte vendour: ia kishin besuar votën Sokol Olldashit duke braktisur atë që Berisha e quante rëndom pra “Duka i krimit”
Por pak vite më pas, ky “Dukë” do të ishte pjesë e rëndësishme e së djathtës, deri dhe i diskutuar për të qënë përfaqësues i saj si kandidat për bashkinë e Durrësit në zgjedhjet vendore të vitit 2015.
Ishte koha kur Agron Duka, i inatosur me Edi Ramën i cili nuk e kandidoi në zgjedhjet e vitit 2013, vendosi shpejt e shpejt të kandidojë nën siglën e PR-së, ku vërtet nuk u kandidua në Durrës, aty ku u vendos për sfidë rioshja e PD-së, Grida Duma, por që ia kishte dalë të fitojë një mandat në qarkun Durrës. Dhe kështu mbeti brenda së djathtës, pas 13 vitesh aktivizim në krahun e majtë të politikës.
E ndërkohë që po afrohet mbyllja e mandatit të parë me të djathtën, Agron Duka ka bërë një lëvizje shumë interesante: ka zëvëndësuar Lufter Xhuvelin në krye të Partisë Agrare.
Dhe nuk kanë profil të ngjashëm vetëm në pikën e të qënit dikur në të majtën, apo se që të dy vijnë nga bujqësia, porse dhe vetë Lufter Xhuveli ka histori të ngjashme të kapërcimeve në politikë.
Për herë të parë, Lufter Xhuveli u zgjodh deputet i PPSH-së në zgjedhjet e 31 marsit 1991. Pak muaj më pas themeloi Partinë Agrare, për të qëndruar në krye të kësaj partie në koalicion me të majtën deri në zgjedhjet e vitit 2005.
Me votat e Xhuvelit, Berisha ia doli të ndërtojë qeverinë pas zgjedhjeve të korrikut të atij viti. Edhe pse i kishte fituar ato, Berisha e pati të vështirë të grumbullojë votat e nevojshme për të krijuar stabilitetin qeveritar për vitet në vazhdim. Përmes negociatash të drejtuar nga nënkryetarja e atëhershme e PD-së, Jozefina Topalli, Lufter Xhuveli u bë pjesë e koalcionit qeveritar, edhe pse votat i kishte fituar në koalicion me PS-në.
Edi Rama, i sapozgjedhur në krye të PS-së, e cilësoi këtë lëvizje të Xhuvelit si “xhuvelizim i politikës”.
Dhe ka shumë gjasa që pikërisht këtij “xhuvelizimi” të politikës, t’i lutet Rama tashmë për t’iu bashkuar koalicionit të tij në rast të një krize politike të mundshme brenda mazhorancës aktuale.
Ndërsa Agron Duka, në krye të PAA-së, është tashmë i lirë të largohet nga e djathta për t’u kthyer në pozicionin e tij fillestar, në koalcion me Partinë Socialiste…si “xhuvelist”! /tesheshi.com/