Vigan Qorrolli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në një intervistë dhënë për portalin mbarëkombëtarë tesheshi.com paralajmëron se Kosova rrezikon katërcipërisht të grupohet në mesin e shteteve të dështuara.
Ai thotë se mospërmbushja e detyrimeve ndërkombëtare, si dhe vonesat e mëtejme në rrumbullakësimin e shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, në rast të një dështimi të tillë për faj të elitës politike do ta komplikojnë marrëdhënien e Kosovës me aleatët dhe Perëndimin.
Ai në këtë intervistë flet për zgjedhjen e Thaçit në krye të Preisdencës ku thotë se një formalitet i përgjithshëm kushtuetues është respektuar, derisa jep një mendim të tij edhe për Gjykatën Speciale dhe ratifikimin e bërë të kësaj gjykate nga presidentja Atifete Jahjaga.
Intervistoi: Blendi Gashi
Opozita kosovare thotë se janë bërë disa shkelje me rastin e zgjedhjes së Thaçit president. Sipas jush, ka pasur apo jo shkelje të Kushtetutës? Nëse po, a mund të na thoni konkretisht në cilat raste?
Aktualisht jemi në ditët e fundit të afatit ligjor kur mund të kontestohet në Kushtetuese vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e presidentit dhe kjo mund të bëhet nga së paku dhjetë deputetë. Megjithatë, një formalitet i përgjithshëm kushtuetues është respektuar në ditën e zgjedhjes së tij. Si rrjedhojë, dy kërkesat minimale të Kushtetutës dhe të Gjykatës Kushtetuese janë llogaritur ne seancën e 26 shkurtit: e para, që në të tri raundet e votimet të marrin pjesë dy të tretat e të gjithë deputetëve dhe, siç është vërejtur, në votim kanë marrë pjesë 81 deputetë. Kjo e ka plotësuar kërkesën e Gjykatës Kushtetuese që në të tri raundet e votimit të votojnë dy të tretat. Për shkak të zbrazëtirave të shumta në Kushtetutë, vendimi i vitit 2011, në rastin e njohur si “Pacolli”, duhet të merret për bazë si precedent legal, në mënyrë që t’i plotësojë shumë situata të paparapara në të.
Dhe e dyta, që dy kandidatë të jenë në garë. Garimi i kundërkandidatit të presidentit të zgjedhur, Rafet Rama, përveç se ishte një formalitet politik, e plotësoi edhe këtë detyrim kushtetues. Si deputet i Kuvendit, ai përveç të drejtës që të zgjedhë, kishte edhe të drejtën për t’u zgjedhur. E drejta e votës hynë në kategorinë e asaj që njihet si liri absolute kushtetuese.
Për qëllime krejtësisht të pranueshme juridike dhe politike, duhet që minimumi dhjetë deputetë brenda afatit tetë ditor nga dita e miratimit, ta kontestojnë kushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e presidentit në Gjykatën Kushtetuese, si për përmbajtjen ashtu edhe për procedurën e ndjekur.
Përmbajtja mund kontestohet për sa i përket mospjesëmarrjes së të gjithë deputetëve në votim, komisionit ad-hoc zgjedhor, etj. Ndërsa për sa i takon procedurës së ndjekur, që nga nënshkrimet për të dy kandidatët nga 30 deputetë, kandidaturave, fletëvotimeve në kuti, procesverbalit dhe çdo gjë tjetër që lidhet me normën kushtetuese të plotësimit të kritereve specifike të të dy kandidatëve për president.
Pas pranimit eventual të lëndës, Gjykata Kushtetuese e ka për obligim që ta shqyrtojë lëndën dhe të konstatojë nëse kishte shkelje përgjatë gjithë procedurës së ndjekur për presidentin.
Një çështje mjaft e debatuar është edhe bërja e kuorumit. A mund ta sqaroni për publikun a bëhet kuorumi me prezencën në sallë të deputetëve, apo duhet të jetë në kutinë e votimit, pra në rastin e zgjedhjes së të parit të shtetit?
Zgjedhja e presidentit të ri, tash e në secilin rast më tutje, duhet të ndërtohet mbi bazën e dy kërkesave themelore kushtetuese.
Së pari, kërkohet një shumicë prej dy të tretash e të gjithë deputetëve; dhe së dyti nevojitet një minimum prej dy kandidatëve për president. Neni 86 i Kushtetutës gjithmonë kërkon një shumicë të votimit me dy të tretat (80 vota) për ta zgjedhur presidentin në dy raundet e para të votimit. Raundi i tretë, ndërkaq, kërkon shumicën e thjeshtë – 61 vota për t’u zgjedhur Presidenti.
Të tri raundet e votimit për president konsiderohen të konsumuara (të shteruara juridikisht) vetëm nëse në kutinë e votimit gjenden 80 vota për secilin raund veç e veç. Ky është standardi i vendosur juridik, edhe sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese. Ky rregull i vënë e kërkon zbatimin e normës kushtetuese përshtatshmërisht për të tri raundet e votimit, ku kuorumi i prezencës fizike duhet të jetë ai i dy të tretave. Pra, 80 deputetë në sallë pavarësisht votës “për” ose “kundër”. Ky standard kushtetues është i vendosur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e njohur si “Pacolli”. Një raund i votimit në seancën për zgjedhjen e presidentit, konsiderohet i konsumuar në momentin kur plotësohen dy kushtet e sipërpërmendura. Kushti prej 80 deputetësh për zbatim të normës kushtetuese vlen për të tri raundet e votimit për zgjedhjen e presidentit, meqë rregulla mbi kuorumin zbatohet mbi seancën në tërësi, pra për secilin raund të votimit të saj.
Sipas kuptimit të kësaj norme dhe këtij standardi kushtetues, qëndrimi fizik në sallë dallon nga votimi. Sipas kësaj fryme kushtetuese, në momentin kur të numërohen votat, në kutinë e votimit duhet të jenë së paku 80 fletvotime të plotësuara. Dhe për t’u zgjedhur presidenti në dy raundet e para duhet të jenë “për” së paku 80 vota. Për shembull, nëse në kuti janë 79 vota e prezent në sallë 90 deputetë, e rëndësishme për ligjshmërinë e zgjedhjes së presidentit kualifikohet vota dhe jo prezenca fizike e një deputeti. Kështu që dallimi midis prezencës fizike dhe votimit është përcaktues. Sipas kërkesave të Kushtetutës, votimi është vendimtar dhe vetëm zbatimi i normës kushtetuese të votimit merret parasysh për t’u legjitimuar zgjedhja e Presidentit të ri.
Gjykata Speciale do të funksionojë jashtë ombrellës së EULEX-it
Një temë e nxehtëështë edhe Gjykata Speciale. Cilat pritet të jenë efektet e kësaj gjykate në skenën politike kur flitet se mund të arrestohen disa figura të rëndësishme të UÇK-së dhe a e minimizon “Specialja” rolin e EULEX-it?
Këto dy struktura do të veprojnë si të pavarura nga njëra-tjetra. Këto dy misione nuk do të intereferohen dhe nuk do ta minimizojnë rolin e njëra- tjetrës. Lëndët të cilat janë në shqyrtim nga misioni i EULEX-it për krime të luftës, respektivisht gjyqtarët dhe prokurorët e këtij misioni do të vazhdojnë ta kenë të njëjtin mandat. Përshembull, gjyqtarët që do të emërohen për Gjykatën Speciale nuk do të kenë mundësi të operojnë edhe në EULEX. Pra do të jenë organizma të ndarë, dy misione të ndara për muajt e mbetur.
Gjykata Speciale nuk do të përzihet me misionet ndërkombëtare që kanë vepruar pas luftës në Kosovë. Kjo për shkak të dështimit të këtyre misioneve në fushën e rendit dhe sundimit të ligjit. Kjo gjykatë do të funksionojë jashtë ombrellës së EULEX-it, edhe për shkak të dështimit sistematik të çdo misioni ndërkombëtar që ka pasur të bëjë me fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit. Mandati i EULEX-it do të përfundojë në qershor të këtij viti, por ky nuk do të jetë përfundimi i këtij misioni. Me gjasë, EULEX-i do të ridizajnohet apo riformatizohet dhe do të funksionojë me një emër tjetër, i cili mbetet për t’u diskutuar mes qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Mogherinit. Besoj se EULEX-i tashmë e ka kryer mandatin e vet, suksesshëm ose jo, ky është një diskutim tjetër. Sigurisht se ky mision ka pasur 7 ose 8 dështime, po i ka pasur edhe dy suksese që nuk do të mund t’i kishte sistemi i drejtësisë vendore.
Presidentja Atifete Jahjaga ratifikoi ditë më parë marrëveshjen për “Specialen”. Ratifikimi është quajtur anti-kushtetues pasi Kushtetuta kërkon që ratifikimet e marrëveshjeve ndërkombëtare të bëhen me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve. Cili është komenti juaj?
Fillimisht, duhet të rikujtojmë se më 15 prill 2014 është kryer shkëmbimi i letrave ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, i cili shkëmbim si instrument juridik është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe është nxjerrë një ligj special për këtë çështje. Ky instrument përmban zotimin e Republikës së Kosovës për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovës.
Në kuptim të së drejtës ndërkombëtare të traktateve, Kosova e përqafon sistemin monist (të njëpalshëm) të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo do të thotë se ka marrëveshje që ratifikohen ose nga Shefi i Shtetit ose nga Parlamenti, por jo që të dyja bashkarisht dhe për të njëjtën gjë. Natyra e marrëveshjes për Specialen paraqet një veprim të tillë të njëanshëm dhe i cili qeveriset nga e drejta ndërkombëtare. Meqë kjo i lihet rendit të brendshëm të secilit shtet, atëherë instrumentet e ratifikimit janë nënshkruar nga Presidentja e Republikës.
Meqenëse nevoja kushtetuese e ratifikimit të një traktati bilateral ishte e domosdoshme për Kosovën, atëherë Presidentja e ka shfrytëzuar autoritetin e saj kushtetues sipas nenit 18 paragrafi 4, dhe vecanërisht autorizimet që rrjedhin nga Ligji për Marrëveshjet Ndërkombëtare të Kosovës, i cili në paragrafin 4 të nenit 10, i lejon Presidentit të Republikës që t’i ratifikojë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare me perjashtim të atyre që kanë të bëjnë me territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake dhe mbi të gjitha të drejtat dhe liritë themelorë (të njeriut).
Është vështirë të thuhet që çdo marrëveshje ndërkombëtare i prek të drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në ndërlidhje me detyrimin kushtetues që këto marrëveshje duhet të ratifikohen në parlament me 2/3 e votave. Kosova ka nënshkruar shumë marrëveshje më shtete të ndryshme në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, konkretisht për cështjen e ekstradimit, të cilat në mënyrë të thërthortë prekin të drejtat e njeriut, por të cilat janë ratifikuar cdoherë nga Shefi i Shtetit. Në nje situatë tjetër, Kosova është dashur që më klauzolë të vecantë të parasheh së të njëjtën do ta ratifikojë në Parlament me 2/3. Përderisa kjo nuk ka ndodhur, konform me analogjinë e marrëveshjeve për ekstradim, atëherë Presidentja ka ushtruar një detyrë të saj kushtetuese për ratifikimin e marrëveshjes me Holandën.
Prandaj është e vështirë të besohet se ka arsye praktike të cilat argumentojnë se është shkelur Kushtetuta, aq më tepër kur Kushtetuta dhe Ligji i japin autorizim Shefit të Shtetit. Në të kundërtën do të ishte i nevojshëm ratifikimi parlamentar, sipas kuptimit të sistemit dualist të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Për fund, cilat janë konsekuencat e moszbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, në rastin konkret ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku lehtësues ishte BE-ja?
Mospërmbushja e detyrimeve ndërkombëtare si dhe vonesat e mëtejme në rrumbullakësimin e shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, në rast të një dështimi të tillë për faj të elitës sonë politike, do ta komplikojnë marrëdhënien e Kosovës me aleatët dhe Perëndimin.
Ekziston parimi i mirëbesimit në të drejtën ndërkombëtare, i cili presupozon së shtetet lidhin dhe hyjnë në marrëveshje ndërkombëtare sipas bindjes së lirë dhe të pacenuar nga askush. Kodifikimi i së drejtës ndërkombëtare nuk i lejon shtetet me demokraci kushtetuese të bëjnë gabime të cilat atyre ua shkelin rendin juridik të brendshëm.
Ndaj pasojat e moszbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare janë të lidhura me faktin, që në teori njihet si sanksion diplomatik. Përveç mosseriozitetit si aktor në arenën ndërkombëtare, Kosova do të mund të përballet me disa lloj sanksionesh; ta zëmë, të kufizohet ndërveprimi, përkatësisht bashkëpunimi politik dhe ekonomik me shtetet tjera dhe organizatat ndërkombëtare. Këtu mendoj në radhë të parë në marrëdhëniet tona me BE-në dhe partnerët kryesor perëndimorë, përkatësisht në atë që ne e quajm aspiratë euro-atlantike. Tjetri sanksion, më drastik, do mund të ishte kufizimi në lirinë e lëvizjes së personave.
Kjo nënkupton se moszbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare shkel një regjim të veçantë ligjor, të cilin e merr përsipër vet ta zbatojë. Ne jemi edhe ashtu të izoluar si popull në lëvizjen e lirë drejt vendeve të BE-së, por shtrëngimet Kosova mund t’i vuajë në aspektin e donacioneve nga BE-ja, ku shtetet veç e veç, mund të vendosin sanksione autonome. E njëjta gjë vlen edhe për Serbinë, me mospërkrahje financiare apo mosvazhdim negociatash për kapitujt e anëtarësimit në BE. Prandaj, BE kërkon që ky normalizim problematik i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë të kryhet sa më parë në mënyrë që mos t’i bartë problemet e tyre të brendshme, në një të ardhme kur këto shtete do të bëhen anëtare të saj.
Ky partneritet do të varet tashmë kryekëput nga përmbushja ose jo e këtyre obligimeve. E them se kjo punë nuk ka alternativë dhe është e pashmangshme, të cilën e argumentoj në një premisë kryesore, nga i cili ky partneritet do të varet.
Kosova rrezikon katërcipërisht të grupohet në mesin e shteteve të dështuara (“failed states”) që vazhdojnë në prizmin e marrëdhënieve ndërkombëtare të trajtohen si çështje të të drejtave të njeriut. Në rastin e Kosovës papritmas ky element mund të marrë një dimension madhor sigurie. Kosova për shkak të paaftësisë, kryesisht të saj, por edhe dështimit sistemik të misioneve ndërkombëtare, që prej qershorit 1999 e deri më sot, rrezikon dështimin e saj historik në aspekt të sigurisë globale dhe të raportit të saj krejtësisht jokonvencional me Perëndimin. Momentumi i performancës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare është aq i brishtë, i ligshtë, i turbullt dhe i paqëndrueshëm, mos zbatimi i detyrimeve ndërkombëtare rrezikon ta fusë Kosovën në mesin e shteteve të dobëta (edhe nga ato shtete që e kanë njohur) ku, mes të tjerash, abuzimi me të drejtat e njeriut, korrupsioni i lartë, probleme me fqinjët (Serbia, Maqedonia), fluksi i emigrantëve drejt BE-së, eksporti papritmas i luftëtarëve drejt Sirisë dhe Irakut (drejt organizatës terroriste ISIS) – do të jetë fataliteti i qëndrueshmërisë së Kosovës shtet për qëllime të sigurisë globale dhe marrëdhënieve me Perëndimin. /tesheshi.com/