Nga Ermir Gjinishi
Në shkencat humane vlerësohet se asnjë burim tjetër i botëkuptimeve kulturore nuk i ka ofruar aq shumë përgjigje njerëzimit në kontekstin identitar sa religjioni. Dhe, nëse i referohemi natyrës së kombit, si pjesë e një identiteti të vetëm të përbashkët, në një vazhdimësi historike, që krijon elementët e një kulture të përbashkët, sigurisht që feja është pjesë e këtij identiteti të përbashkët, e kësaj kulture, e kësaj vazhdimësie historike. George Moyser thotë se feja mund të jetë mjet përmes të cilit një popull shpreh identitetin dhe aspiratat e tij. Por, në disa raste, çuditërisht, ajo shfaqet si i vetmi burim referues i identitetit, madje i ekzistencës së një populli. Nëse do të listonim vendet ku legjitimiteti fetar është më ndikues, me patjetër Izraeli do të ishte një prej tyre, në mos i pari. Nuk gjendet asnjë popull tjetër i cili pas afro 2500 vitesh të riformojë shtetin e tij pasi ka ruajtur mrekullisht gjuhën, traditat, historinë dhe besimin. Bijtë e Izraelit, siç i quan Bibla, një popull etno-religjioz, e kanë lidhur ekzistencën e tyre me një sërë profecish religjioze. “Profecitë Talmudike” mbeten burimi i aspiratave por dhe i tensioneve në shoqërinë izraelite. Ekzistenca dhe fundi i shtetit izraelit, janë dy më ndikueset në botëkuptimet hebraike, interpretimi plot kontrast i të cilave, ka krijuar vazhdimisht tension, që nga krijimi i Izraelit më 1948.
Neturei Karta (aramaisht- Gardianët e Qytetit), një grup ultra-ortodoks anti-sionist, e konsiderojnë veten si autoriteti fetar hebre mbi Sionizmin dhe Izraelin. Themeluar në vitin 1938, ata mbështesin krijimin e një shteti palestinez dhe nuk e njohin Izraelin. Besojnë se populli hebre e ka të ndaluar të krijoi një shtet të tijin “jashtë vullnetit hyjnor” i cili starton me ardhjen e Mesias (shpëtimtarit). Nën moton “Judaizmi nuk është i barabartë me Sionizmin”, çdo vit në festimet e pavarësisë ata djegin flamurin e Izraelit, ngrenë flamurin e Palestinës. Nuk hezitojnë të takohen me çdo lider që Izraeli e konsideron armik, nga ata të Hamasit, Hizbullahut, Ahmedinaxhatin, Ajetullah Khamenei, e deri te grupimet ekstremiste anti-semite ndërkombëtare. Realisht, hebrejtë ultra-ortodoks, nuk i miratoinë qeveritë laike të Izraelit, as politikat liberale të tyre, por shumica dërrmuese e tyre e urrejnë ideologjinë e Neturei Karta-s. Megjithatë, rasti i tyre tregon se profecitë futuriste janë të mjaftueshme për të ushqyer simpatizantë dhe kundërshtarë duke krijuar një kolaps vizionesh plot konfuzitet.
Pavarësisht se Izraeli mbetet forcë gjeopolitike e ushtarake në rajon dhe në botë, realiteti i tij i brendshëm nuk është aq i qetë. Paralajmërime “profecish” të përsëritura nga udhëheqësit, rabinët e elitat e tij mbi “fundin” e shtetit të tyre, po rrisin tensionet e brendshme.
Po çfarë i bën izraelitët të frikësohen nga kolapsi i shtetit të tyre, pavarësisht epërsisë ushtarake?
Sipas besimit hebraik, mbretëria e tyre e parë e Davidit u krijua midis viteve 586-516 para Krishtit, ndërsa epoka Hasmoneane zgjati midis 140-37 para Krishtit. Për këtë arsye, ekzistenca e Izraelit më shumë se tetë dekada bie në kundërshtim me traditën e historisë hebraike. Profecitë paralajmëruese vijnë në një kohë kur kërcënimet e jashtme kundër Izraelit janë shtuar. Në një kohë kur ndarjet e brendshme politike e sociale kanë avancuar. Zgjedhjet e përsëritura, në vend t’i japin fund kësaj amullie, mund t’a përkeqësojnë gjendjen. Avujt e këtyre profecive kanë prekur zërat më të shquar të niveleve të politike, ushtarake dhe mediatike, secili sipas këndvështrimit të tij, mundohet të gjejë faktorë të brendshëm e të jashtëm në funksion të të njejtës profeci.
I pari politikan që i parapriu këtyre profecive ishte Benjamin Netanyahu, i cili për të rritur mbështetjen elektorale në vitin 2017 deklaroi: “Unë do të përpiqem ta bëj Izraelin të mbushë 100-vjetorin e lindjes,.. populli hebre nuk ka patur asnjëherë një shtet që të jetojë më shumë se 80 vjet”. Ndërsa ish-kreu i Mossad-it Tamir Padro, në një leksion në Kolegjin Netanya u shpreh se “kërcënimi më i madh vjen nga vetë izraelitët, me shfaqjen e mekanizmit të vetëshkatërrimit”.
Kësaj qasje i shkon dhe shkrimtari izraelit Aryeh Shavit kur vlerëson si kërcënimin më të madh për Izraelin përballjen me konfliktet dhe mosmarrëveshjet e brendshme, dhe se ribashkimi në një vizion është shansi i fundit për popullin hebre. Frikërat e ndarjeve të brendshme morën peshën e rrezikut të një “lufte civile” pas vrasjes së kryeministrit të ndjerë Yitzhak Rabin në nëntor 1995, nga një aktivist i djathtë. Që nga ajo kohë, asnjë qeveri izraelite nuk e ka plotësuar një mandat qeverisës katër vjecar. Përshkallëzimi i rreziqeve të përçarjes kulmoi me mesazhet kërcënuese drejtuar familjes se kryeministrit të dorëhequr Bennett, me një zarf dhe plumba brenda duke i kujtuar fatin e Rabinit.
Në një artikull për Reuters ish-kryeministri Ehud Barak referuar historisë talmudike, shprehte frikën për shkatërrimin e Izraelit para 80 vjetorit të themelimit të tij. Barak solli shembuj nga popujt e botës që u goditën nga “mallkimi i dekadës së tetëmbëdhjetë”. Sipas tij, lufta civile në Shtetet e Bashkuara shpërtheu në dekadën e tetë nga koha e themelimit të saj. Italia u shndërrua në shtet fashist në dekadën e tetë të saj. Gjermania u bë shtet nazist po në dekadën e tetë, dhe në dekadën e tetë të revolucionit komunist, Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe u shemb.
Në fillim të majit 2022 ministri i mbrojtjes Benny Gantz në një seancë të mbyllur me deputetët e partisë së tij “Bardhë e kaltër” paralajmëroi se “ekziston shqetësimi për të ardhmen e Izraelit” për shkak të rritjes demografike të palestinezëve, të cilët sipas institutit izraelit të statistikave përbëjnë një të pestën e popullsisë së Izraelit. Sakaq, kryeministri i dorëhequr Naftali Bennett, në fjalimin e 3 qershorit 2022, duke paralajmëruar rrezikun e kolapsit deklaroi para izraelitëve se: “Shteti qëndron përpara një prove të vërtetë dhe një udhëkryqi historik, …. të gjithë po përballemi me një moment fatal… Izraeli po arrin një nga momentet më të vështira të dekadencës që ka njohur ndonjëherë”.
Vlen të thuhet se mosmarrëveshjet e brendshme nuk kufizohen vetëm midis Laburistëve dhe Likud-it, apo midis të djathtës dhe të majtës. Ato janë zgjeruar duke përfshirë dallimet midis të djathtës dhe të djathtës ekstreme, midis njerëzve fetarë dhe laikë, midis izraelitëve lindorë dhe atyre perëndimorë, mes arabëve dhe hebrenjve, si dhe ndarjen e fesë nga shtetit. Përveç paqëndrueshmërisë politike, sondazhet tregojnë rënien e besimit të publikut në ushtri. Referuar sondazhit të Institutit Izraelit të Demokracisë të 2021 besueshmëria e izraelitëve në ushtrinë e tyre arriti shifrën më të ulët, në 78%, që nga viti 2008.
Deklaratat dhe paralajmërimet mesianike në rrethana krize politike dhe një pasigurie në rritjje, kombinojnë në një emërues të përbashkët efektin e frikës së profecive religjioze me arsyet e brendshme të pakënaqësive, që fillojnë nga mungesa e harmonisëmidis grupeve, performancës së dobët qeverisëse, deri tek faktorët e jashtëm që lidhen me rreziqet e kërcënimet ushtarake ekzistenciale që e rrethojnë vendin nga të gjitha anët. Gjithësesi, është e vështirë të konkludohet se Izraeli shkon në këtë diskurs vullnetarisht dhe flet për parashikimet nisur nga një luks intelektual apo një debat thjesht kulturor. Aq më tepër kur lëshohen nga elitat politike, fetare e intelektuale që shkojnë përtej lojës së polarizimit politik. Ajo që mbetet për t’u parë është interaksioni i këtyre profecive me realitetet ekzistuese, i cili mund të çojë në pesimizma frenues e tkurrës, ose në solidaritet për një betejë ekzistenciale mbijetese.