Autoritetet në Prishtinë tingëllojnë optimiste për mundësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët jo më larg se viti i ardhshëm.
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, tha për radion Evropa e Lirë se procesi i liberalizimit të vizave mund të përmbushet deri në vitin e ardhshëm. Ai mendon se është përgjegjësi edhe e Komisionit Evropian të vlerësojë nëse kriteret janë përmbushur mjaftueshëm për të rekomanduar liberalizimin e vizave, por kjo nuk pengon që Prishtina të presë liberalizimin shumë shpejt.
“Pritjet e institucioneve dhe qytetarëve të vendit janë se në vitin 2016 do të udhëtojmë pa viza në shtetet e zonës Shengen, dhe kjo nuk ka të bëjë me optimizëm apo pritje të pabazuar, por ka të bëjë me bindjen tonë se kemi arritur të përmbushim kushtet e kërkuara dhe se do të vlerësohet pozitivisht puna jonë serioze, nga ana e institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së”, ka thënë ministri Çollaku.
Raport-progresi më i fundit i Komisionit Europian për Kosovën nënvizon nivelin e lartë të korrupsionit, krimit të organizuar, ndikimin politik në institucione të pavarura, ndërhyrjet në gjyqësor, mungesën e reformës së administratës publike, e të tjera. Këto janë kritere që duhen plotësuar, e shoqëria civile mendon se raporti i këtij viti do të jetë më pozitiv, por nuk do të ketë rekomandim për heqje vizash. /tesheshi.com/