Nga Vepror Hasani
Drejt qytetit të Korçës po vinte princi Jorgo i Greqisë, biri i mbretit Kostandin. Lajmi përfshiu gjithë qytetin. Nuk mbeti njeri pa e marrë vesh. Komandantët dhe ushtarët grekë që kishin pushtuar Korçën u vunë në lëvizje. Prefektin grek të Korçës, Kapçambelin dhe shefin e Policisë Angjelidhin s’i mbante vendi. Kryetari i Gjykatës së Paqes ((Irinodhoqi), me sekretarin e tij Klosaqi, ndiqnin me vëmendje gjithçka bëhej. Nuk duhej të ndodhte asnjë incident. Nëpër rrugë u ngritën postablloqe. Për vizitën e princit ishin në dijeni edhe gazetarët e vendeve evropiane. Edhe ata ishin duke ardhur. Mitropolia përgatiti me urgjencë gjithçka për ardhjen e tij. U lajmëruan besimtarët ortodoksë të ishin të pranishëm. U lajmëruan edhe myslimanët dhe klerikët e tyre. Duhej të ishin medoemos në atë takim. Princi kishte një mesazh për myslimanët. Çfarë do t’u thoshte vallë? Askush nuk e dinte. Misteri ishte i madh. Gjithçka do të merrej vesh vetëm me ardhjen e tij.
Sakaq mbërriti një lajm tjetër. Princi po vinte nga qyteti i Manastirit. Ishte mesi i majit. Një muaj më parë ishte përhapur fjala se Korça do t’i mbetej Shqipërisë. Greqia duhej të tërhiqej përfundimisht nga Korça. Kështu kishin vendosur Fuqitë e Mëdha. Mos vallë kjo ishte arsyeja që e bënte princin të nxitonte i alarmuar drejt myslimanëve të Korçës? Askush nuk e kishte një përgjigje. Pak pas ardhjes së gazetarëve të huaj, mbërriti dhe princi.
Ardhja e princit përshkruhet kështu:
“… Më 16 maj 1913, nga Manastiri erdhi në Korçë princ Jorgo, biri i ish- mbretit Kostandin së bashku me prefektin e Fëllërinës (Follorinës), me kolonel Kondulin, (dhe) me nja dy oficerë grekër të tjerë. Bënë konak që të gjithë në Mitropoli ku u gostitnë nga dhespot efendiu me të ngrëna e me të pira si të Lukullit, po shpenzimet i pagoi Lasua, (arka publike e ortodoksëve të Korçës), e gjëra dhe e gjora. Një çik më parë kishin ardhur në Korçë dhe shumë korrespondentë të gazetave greke dhe evropiane, gjithë autoritetet civile dhe ushtarake greke të Korçës, mitropoliti Gjermanos, epitropët e kishave, eforët e shkollave, myftiu së bashku me parësinë myslimane dhe shumë të tjerë për të bërë sehir kishin dalë përpara princit”. (Petro Harizi, “Historia kronografike e Korçës”, f. 36)
Njerëzit e mbledhur aty ndiqnin princin me kërshëri. Pyetja e parë e tyre ishte: çfarë do t’u thotë myslimanëve të Korçës?! Biri i mbretit, pasi u takua me klerikët dhe parësinë, doli në ballkon të Mitropolisë. Foli gjatë. Ishte i kuptueshëm në gjithçka thoshte. Korça duhej t’i bashkohej Greqisë. Ortodoksë dhe myslimanë i donte të gjithë bashkë. Për Greqinë ata ishin njëlloj të dëshirueshëm. Pastaj tha edhe diçka tjetër që i la të habitur të gjithë. Premtoi se do të shkonte në xhami të Korçës bashkë me myslimanët në kohën e lutjeve. Me myslimanët do të lutej edhe princi i Greqisë! Tha gjithashtu se do të shkonte të falej edhe në Teqenë e Melçanit. Teqeja shërbente si strehëz e luftëtarëve. Ç’të kishte ndodhur vallë që po shkonte të lutej në xhami e teqe? Ç’ëndërr të ligë kishte parë princi? Mos ishte një lloj pajtimi me luftëtarët, mos po u kërkonte të ulnin armët e të mos dilnin kundër Greqisë? Ndoshta. Në Korçë do të qëndronte tri ditë.
Me të rënë mbrëmja, dhespot Gjermanos nxori në rrugët e Korçës njerëz me llambadhe të ndezura ndër duar. Dëshironte t’i tregonte princit se ardhja e tij i kishte lumturuar njerëzit, qyteti festonte. Shpresohej që princi t’i kishte gëzuar ndopak myslimanët, por ata vazhdonin të ishin mosbesues. Që nga dita kur grekët kishin hyrë në Korçë (7 dhjetor 1912) ata vetëm ishin grabitur, therrur dhe vrarë. Nuk u kursyen as fëmijët. Grave u nxirrnin foshnjat me bajonetë nga barku. Megjithatë princi e mbajti fjalën:
“…Princi ndenji skundër që thamë tri ditë në Korçë, gjezdisi shumë vise (vende) që janë për t’u parë të qytetin tonë, vizitoi edhe myslimanët në xhami, vajti edhe në teqe të Melçanit edhe pastaj iku më anë të Ersekës dhe të Leskoviqit, në Përmet dhe që andej u hodh në Gjirokastër. Në vend të prefektit Kapçambeli mbeti në Korçë si kumandar civil dhe ushtarak zoti kolonel Konduli”. (Konduli ishte një nga njerëzit e besuar të mbretit). (Petro Harizi, Historia kronografike e Korçës, f.37)
Myslimanët panë me sytë e tyre si lutej princi i Greqisë në xhami të Korçës. Panë edhe dëshpërimin e tij për të gjitha ato që kishin hequr myslimanët nga andartët dhe ushtria greke. E panë edhe kur u nis drejt Melçanit që të lutej edhe atje. Pastaj u iku, por në Korçë nuk u duk asnjë ndryshim.
Koloneli grek, Jorgji Mavraza mori përsipër krijimin e batalioneve të shenjta (ieros loqos). U rekrutuan 1000 ortodoksë. U krijua edhe “Mbrojtja Nacionale”, (Ethniqis Aminas). Gjithçka kryhej në fshehtësi. Përgatitej e ashtuquajtura “Kryengritja e Vorioepirit”. Më 2 mars 1914, grekët të detyruar nga Fuqitë e Mëdha, ia dorëzuan Korçën qeverisë shqiptare (të Korçës), të krijuar nga Mustafa Aranitasi dhe oficerët hollandezë, por grekët bënë sikur ikën. Më 2 prill 1914, ata u kthyen përsëri. Hynë në qytet pasmesnate, kur qyteti flinte. Provuan rrëmbimin e Korçës. Ndoshta myslimanët nuk do të ngriheshin kundër Greqisë. Princi ishte lutur bashkë me myslimanët në xhami e teqe. Korçën vërtet do ta merrte Greqia, por edhe myslimanët do t’i donte njëlloj si ortodoksët. (Të paktën kështu duhet të ketë menduar princi).
Çfarë ndodhi?
Korça ishte një mur i pakapërcyeshëm. Oficerët holandezë: komandant i mbrojtjes së Korçës, majori Johan E. Snellen van Vollenhoven; kapiteni Jetze Doorman; kapiten i xhandarmërisë Leopold de Gilard; kapiteni i misionit hollandez Reimers në Pogradec; konsulli amerikan, major Harold Sherwood Spencer; Themistokli Gërmenji, Abdyl Ypi, Hysen Nikolica, major Mustafa Elmazi, kapiteni Sadik Rexhepi, doktor Osman Feriti, leitant Ismail Hakiu, Ferit Frashëri, komandanti i çetës Hysen Pirgu etj u vunë në krye të forcave qeveritare dhe të njerëzve që vinin nga fshatrat në mbrojtje të Korçës. Pastaj erdhën komandantët e çetave: kapedan Kajua arriti i pari. Agush Çaushi mbërriti me çetën e tij nga Starova, çeta e Sali Butkës e kryesuar nga biri i tij, Gani Butka erdhi nga Kolonja; që andej erdhi edhe çeta e Zalo Prodanit. Kryengritësit e “Vorioepirit” nisën të dilnin një nga një me flamur të bardhë ndër duar. U vranë 112 veta, po Korça mbeti aty ku ishte.
Kolonel Konduli, (një nga njerëzit e afërt të princit dhe mbretit Kostandin), u kthye përsëri në Korçë më 31 tetor 1914. Lutjet e princit në xhami e në teqe nuk i kishte bindur myslimanët. Ata ndiheshin zot në vendin e të parëve të tyre dhe nuk tuteshin prej asgjëje. Me myslimanët kundër Korça nuk mund të merrej. U provua me kryengriten e 2 prillit. (Besonin se ortodoksët i kishin me vete!) Ashtu si princi, edhe Konduli nisi të lutej në xhami të Korçës. Shkonte çdo të premte. Për interesat e Greqisë ishte gati ta shpallte veten mysliman!
Gazeta “Koha”, 1 prill 1915 shkruante:
“Kolonel Konduli i njohur edhe më parë si qeveritar i Korçës po përdor gjithë ato dhelpëri dhe dinakëri të diplomacisë me të cilat pandeh se do të kandisë myslimanët dhe të krishterët të kërkojnë Greqinë dhe të shajnë e të mohojnë Shqipërinë. Parësisë së myslimanëve u rrëfehet si vëlla dhe si mik me gjithë zemër. Çdo të premte vete dhe Konduli në xhami dhe i lutet Allahut bashkë me myslimanët, do t’u tregonjë me këtë, që Greqia nuk është kundëra myslimanizmës dhe që nuk ua prish fenë, as dinë, as imanë, po përkundrazi, do t’ua nderonj dhe forconj.
Të njëjtën gjë bënte edhe me myslimanët e fshatrave. U premtonte shpërblim për dëmet që u ishin bërë nga andartët.
Kronika e gazetës “Koha” vijon:
“…Ka zënë e po vete fshat më fshat dhe i ngushëllon myslimanët duke u thënë se i vjen keq edhe atij, edhe Greqisë që u ngjanë kaq dëme myslimanëve… Po, Greqia dhe mbreti i saj do t’u paguajë myslimanëve dëmet që u janë bërë nga ana e andartëve.
Dhe u thotë myslimanëve që tani e tutje të mos kenë frikë se asnjeri s’guxon të trazonj dhe të vrasë, siç dërgoi qeveria (greke) gjithë katilët, të hurit e të litarit dhe prishi vendin tonë gjer më këtë gjendje…”.
Por myslimanët nuk ishin naive.
Ja si e shpjegon gazeta “Koha” në të njëjtin artikull
“…Tani dërgoi, (princi), kolonel Kondulë që të marrë njerëzinë me të mirë, t’u fërkonj krahët që u dhëmbin dhe t’u thotë që në këto ngjarje barbare Greqia, s’ka faj”.
(Sipas tij fajet ishin të Venizelos).
Por ndërsa ditën lutej në xhami me myslimanët, natën ngrinte komitete për vrasjen e tyre:
“Këtu në Korçë, siç flitet, u pikas që u fillua një komitet grek, i cili do të ketë për detyrë që të trembë e të vrasë çdo njeri që i kundërshtohet propagandës greke. Ky komitet grek në Korçë u formua prej 8 vetash dhe Kondulit i erdhi urdhëri që ta njohë e ta mpronjë me çdo therori komitetin grek, kështu që komiteti t’i ketë duart e zgjidhura për të bërë si të dojë. …Me një fjalë, siguri këtu në Korçë nuk kemi aspak dhe s’dimë se qysh do të jetë fundi ynë, po punët s’na duken fare të mbara dhe më tepër frika është për nacionalistët, të cilët për grekët dhe trdhëtarët janë halë në sy”. (Gazeta “Koha”, 1 prill 1915).
Myslimanët nuk i harronin dot bëmat e ushtrisë greke dhe të andartëve. Ata e nisën me krime që ditën e parë që vunë këmbën në qytetin e Korçës:
“Por jo, vizitorët bukuroshë si panë dritën e shkëlqimit të qytetit, ngulë këmbë e nisën të kapardisen. Një javë s’lanë gjë pa bërë: çnderuan, prenë, vodhën e prishën xhami e teqe dhe më pas vunë minaret në nishan dyfeku, këta që mos u mbiftë fara! S’guxonte të dalë hoxha në minaret nga plumbat që dërgoheshin.
Pa shikoni sa bukur dhe sa i do muhamedanët qeveria greke!
Si prushin në gji.
Ti lëmë fjalët u sullë aq mirë dhe aq të qytetëruar, sa më s’ka ku të vejë!”. (Gazeta “Koha”, 3 qershor 1915)
Hipokrizia e grekëve nuk kishte cak. I mblidhnin njerëzit te sheshi i qytetit të Korçës, pranë shtëpisë së mëmëdhetarit Ali Qyteza, dhe pasi ngrinin flamurin grek, detyronin parësinë myslimane të fliste mirë për qeverinë greke. Kështu e detyruan edhe Belul Efendinë. Ai fliste dhe njerëzit qanin. Të gjithë e dinin sa i detyruar ishte ai të thoshte ato fjalë. Vetëm shpirti i tij e dinte. Ja çfarë shkruhej për këto lloj mitingjesh:
“Pastaj e mori fjalën atdhetari i vërtetë, oratori i muhamedanëve me ndjenja të shkëlqyera. Ishte avokat Belul Efendiu si përfaqësonjës i myslimanëve. U dha falënderjet e shumta “për mirësjelljen” e ushtrisë greke, tregoi me radhë “mirësitë” që bëri e do të bëjë qeveria greke, tregoi “gëzimin e popullit” me zë të lartë, dhe u thotë: “Mos dëshpëroi aspak, paskëtaj “do të jemi të lumtur” po të kemi këtë qeveri..”. Kishte të drejtë t’i lëvdonte se ishte si cjapi te kasapi…”. (Po aty, gazeta “Koha”, 3 qershor 1915)
Grekët me të ardhur në Korçë u kërkuan myslimanëve të ndërronin emrat e të mos flisnin shqip. Për ta, ekzistonte vetëm gjuha greke dhe emrat ortodoksë. Për liri e të drejta nuk mund të flitej më:
“Nuk dimë as neve qysh t’u shkruajmë dhe t’u lajmërojmë mjerimet dhe vojtjet tona se afijet e sotme që na sundojnë kanë shkuar (kaluar) edhe kohërat e sulltanit të kuq, të cilat sot na duken që ishin mjaft përpara kohës së sotme.
Ah! Atëherë kishte liri më shumë se nuk na shtrëngonin sa të arnisnim (ndryshonim) emrin për shqiptar e të druhemi të flasim shqip. Hafijet nuk lenë gjë pa bërë e pa shpifur, kështu që jemi në rrezik të madh dhe nuk guxojmë të mblidhemi katër veta bashkë dhe të qajmë hallet”. (Gazeta “Koha”, 24 qershor 1915)
“Zija, vaji, blegërima dhe uria mbretërojnë sot për sot në ajo Korça lule, në ajo Korça gazmore ( e qeshur) dhe me famë,- shkruhej në një artikull tjetër. Buza tonë është venitur dhe vetëm psherëtima dalin nga zemra tonë. Vetëm Perëndisë i ardhtë keq për ne!” (Gazeta “Koha”, 17 korrik 1915)
Kolonel Konduli vazhdonte të shkonte çdo të premte në xhami të Korçës, lutej bashkë me myslimanët. Katilët e tij torturonin njerëzit:
Tashti ka dërguar Greqia ca oficerë katilë të cilët kanë zënë e po bastisin fshatrat myslimane. I mundojnë të gjorët fshatarë duke u vënë hekur të nxehtë nëpër gishtrinjë duke u futur spica nëpër thonjtë, duke u hedhur vaj të djegur në kraharor, duke i shtrënguar që të japin çfardo arme që kanë dhe duke u rrëmbyer sa mund para (të holla) më tepër. Të gjorat fshatra myslimane, nuk u janë mbaruar akoma taksiratat, s’është mjaft që u prishën megjithsej, po edhe sot akoma po i mundojnë dhe po i pjekin të gjallë”. (Gazeta “Koha”, 14 shtator 1915)
Ndërsa një andart i kapedanit Jorgji Çonta Vardës, tregonte bëmat e tij:
“Atje, ku hymë në një fshat prej myslimanësh, si vramë, premë dhe dogjmë ç’gjetëm përpara, gjeta më në fund dhe dy gra të fshehura më një shtëpi; njëra prej tyre ishte me barrë, thera sefte atë që s’qe me barrë; sa për të dytën, nxora sfungjinë, i çava barkun, i nxora foshnjën nga barku, ia mbajta lart në majë të sfungjisë një hop, papastaj si pashë që e ëma dha shpirt, e flakëriva foshnjën atje tej, larg”. (Petro “Harizi, Historia kronografike e Koçës”, f. 127)
Kolonel Konduli vazhdonte të vinte në xhami të Korçës, lutej bashkë me myslimanët, pa harruar premtimin e tij:
“Po, Greqia dhe mbreti i saj do t’u paguajë myslimanëve dëmet që u janë bërë nga ana e andartëve”. /tesheshi.com/