Në një intervistë në Shih Programin në TVSH kreu i shtetit, Bujar Nishani ka folur për një sërë çështjesh të aktualitetit politik si reforma në drejtësi, raporti me shumicën në pushtet, dekorimi i ish-Presidentit Berisha, protestat e opozitës dhe djegia e bunkerit një javë më parë.
Në një letër që i keni dërguar Kuvendit pak kohë më parë keni shprehur rezerva për hartimin e amendamenteve kushtetuese lidhur me reformën në drejtësi. Tani që flasim janë mbyllur këshillimet publike me grupet e interesit rreth kësaj reforme priten dhe përgjigjia nga Komisioni i Venecias. A i qëndroni ende kritikave apo pakënaqësive që kishit parashtuar në letrën tuaj?
Mund të quhet edhe pakënaqësi në kontekstin e pritshmërive dhe nevojës për reformën në drejtësi. Sistemi i drejtësisë ka nevojë shumë të madhe për t’u sjellë në funksionim normal. Përveç reformës ligjore, ky sistem ka nevojë për një reformë themelore, si në infrastrukturë, në gjykata, në komunikim dhe në shumë elementë që garantojnë, barazi para ligjit, seriozitet, efiçencë. Të gjithë aktorët e shoqërisë sonë janë të gatshëm të mbështesin këtë reformë. Meraku im ka qenë në lidhje me përfshirjen e aktorëve të ndryshëm. Unë gjatë këtyre ditëve kam dëgjuar zëra nga njerëz të paftuar në këto tryeza mendimin e tyre profesionist dhe se si e shikojnë ato këtë reformë. Unë kam sjell shqetësimin për të gjithë këta zëra profesionistë që munguan në debatet e para. Unë dëshiroj të theksoj se nga pozicioni i kreut të shtetit që reforma në sistemin e drejtësisë duhet të ketë dy objektiva: e para të nxjerrë jashtë sistemit gjyqtarët, prokurorët e korruptuar, të paaftët dhe e dyta të parandalohet kalimi i sistemit të drejtësisë në duart e zyrtarëve dhe politikanëve të korruptuar.
Ambasadori amerikan Lu në mënyrë shumë të thjeshtë deklaroi se kush ka një orë më të shtrenjtë se makina e tij është i korruptuar dhe duhet të largohet para se të përfundojë në burg. Pse është kaq e vështirë të shquhen të korruptuarit brenda sistemit të drejtësisë?
Nuk është e vështirë të identifikohen të korruptuarit. Unë i kam ndjekur deklaratat e vazhdueshme të ambasadorit amerikan, si për reformën në drejtësi, ashtu për dekriminalizimin dhe roli e ndjeshmëria e tij dhe e disa ambasadorëve të tjerë është për t’u vlerësuar maksimalisht. Thjeshtësia e adresimit të problemit prej tij është një gjetje shumë pozitive. Por, a kemi ne si shtet mekanizma për të treguar të korruptuarit? Po, natyrisht që kemi. Kemi ligje dhe institucione për të bërë matjen e të ardhurave dhe pasurisë, por që ky proces të jetë i vërtetë duhet të jetë i paanshëm, gjithpërfshirës, jo me standarde të shumëfishta.
Keni një koment për këmbanat e alarmit të diplomatëve të huaj në lidhje me reformën? Sipas tyre dështimi në këtë reformë mbyll dyert për në Bashkimin Europian.
Duhet të bindemi se çështjet e arritjeve të standardeve janë një nevojë për jetën tonë, për familjet, brezat që do të vijnë. Integrimi shtyn dhe nxit reformat, është e vërtetë se nëse nuk ndryshojmë standardin e drejtësisë nuk do të arrijmë as integrimin. E shikoj të lidhur pazgjidhshmerisht nevojën e qytetarëve për të marrë drejtësi, me nevojën për të arritur standardin e saj më të mirë.
A ka gjasa që kësaj here politika shqiptare të bëhet bashkë për të mos e humbur këtë mundësi? Apo referendum mund të jetë një tjetër zgjidhje?
Reforma në drejtësi do të desha që të ishte proces konsensual, nëse nuk do të jetë i tillë do të kthehet në çështje politike. Dhe sa herë kthehen çështje të tilla nuk rezultojnë të sukseshme. Vlen të kujtoj për të konkretizuar këtë rast procesi i ndarjes dhe njohjes së pronës. Ai që në fillim u kthye në një çështje ndasie politike dhe nuk gjeti zgjidhje për 25 vjet. Nëse nuk do të jetë proces konsensual unë kam rezerva për jëtëgjatësinë e këtij procesi dhe kësaj reforme. Nëse miratohet në Kuvend ose referemdum për mua nuk ka rëndësi, I rëndësishëm është konsensusi. Ka mundësi që procesi të jetë konsensual me kushtin e vetëm që përmes transparencës të jetë bindës, se nuk po bëhet për të goditur kundërshtarët politikë.
Drafti i kësaj reforme e largon kreun e shtetit nga kreu i Këshillit të Lartë i Drejtësisë. Keni një koment?
Në aspektin formal nuk kam asnjë shqetësim. Në përmbajtje kam një shqetësim që ia kam bërë me dije dhe komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi dhe ekspertëve të huaj. Shqetësimi është kushtetues. Nese miratohen amendamentet është parashikuar që të prishet balancimi aktual i pushteteve. Problemi që unë kam është mosdhënia e mekanizmit të ri të funksionimit. E marr të mirëqenë mosfunksionim aktual, por nuk jepet zgjidhja për balancën e re të pushteteve. Çfarë do të ndodh me këtë balancë? Ky për mua është shqetësim kushtetues.
A ka kreu i shtetit konflikt interesi në Këshillin e Lartë të Drejtësisë? Presidenti dekreton emërimet, shkarkimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve, por njëkohësisht është edhe kreu i KLD-së. Juve si e shihni këtë çështje?
Për të shmangur konfliktin e interesit Presidenti është i mënjanuar nga vendimarrja në KLD-së. Në vendimet më të rëndësishëm, si ato të emërimit, shkarkimit, promovimit të gjyqtarëvë në nivelet më të rëndësishmë të sistemit gjyqësor, Presidenti është i përjashtuar nga votimi, nuk lejohet te marrë pjesë, sepse ka dekretimin si detyrë. Ka patur raste edhe gjatë kohës që unë kam drejtuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë ku janë marrë vendime për të promovuar gjyqtarë, madje dhe anëtarë të KLD-së dhe janë refuzuar nga ana ime për t’u dekretuar. Pra, nuk ka konflik interesi, sepse këtë e ka zgjidhur ligji.
Si shpjegohet mosbesimi tek sistemi i drejtësisë?
E para, ka të bëjë me përdorimin e pushtetit të madh që ka një gjyqtar, sepse ai ka shkopin e ligjit dhe keqpërdorimi për afera korruptive ka sjellë mosbesimin. Qytetari drejtohet në gjykatë për çështje fondamentale të jetës së tij prona dhe jeta. Në rastet kur gjyqtarët dëmtojnë interesat e këtyre dy çështjeve sjellin mosbesim shumë të madh. E dyta ka të bëjë me vetë sistemin, gjykata e ndan të drejtën tek njëra palë, në një konflikt gjyqësor kemi gjithmonë një fitues dhe një humbës, por nëse gjykata do të jetë transparente dhe efiçente dhe do ta kenë tërësisht të argumentuar vendimin do të sillte edhe mirëkuptimin e palës humbëse në një proces.
Proceset në vendin tonë zgjaten shumë dhe nuk ka masa ndaj gjytarëve që zvarritin…
Zgjatja është një ndër problemet më të mëdha të sistemit tonë të drejtësisë dhe një ndër elementët që të bë të dyshosh për elementë korrupsioni. Reforma në drejtësi për mua duhet të nisë nga Gjykata e Lartë. Nëse reformojnë këtë gjykatë dhe e kthejmë në efiçente dhe shumë të përgjegjshme, sistemi i drejtësisë pëson një çtendosje të jashtëzakonshme. I kam kërkuar me ngulm kësaj gjykate që një ndër praktikat duhet të jetë unifikimi në vijimësi të çështjeve gjyqësore. Fjala vjen nëse brenda një viti Gjykata e Lartë unifikon 20 raste të çështjeve të pronave, nuk ka gjykatë në vend që mund ta zgjidhë ndryshe, se në momentin që e zgjidh ndryshe, ai gjyqtar është automatikisht i larguar nga puna, nuk e shpëton dot më askush. Nëse ndodh unifikimi i çështjeve gjyqësore mund të zgjidhen shumë raste. Unë besoj se 1 vit është kohë e mjaftueshme për të unifikuar 20 çëshje civile dhe 10 çështje penale. Pse nuk bëhet kjo punë? Pikërisht, sepse ne edhe kur bëjmë ligje të reja nuk i mbyllim të gjitha gropat, por lëmë hapësira për t’i shfrytëzuar më pas nga ana e politikës.
Çfarë mund të bëhet për dekomunistizimin e sistemit të drejtësisë?
Ky është një standad i papranueshëm. Nuk mund të na gjykojnë njerëzit që kanë punuar në atë system në atë kohë. Njerëzit, të cilët kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejtë në vendime politike, njerëz që kanë tejkaluar dhe ligjet e asaj kohe e jo më standartet universale të drejtave të njeriut, njerëz që kanë manipuluar proceset, ata nuk mund të jenë më pjesë e sisitemit të dhënies së të drejtës në Shqipëri. Kjo është çështje e vullnetit politik, sepse ne nuk mund të largojmë një njeri nga puna me legjislacionin e sotëm, por nëse ekziston ligji dhe mekanizmi atëherë ai mund të largohet. Vullnetin politik e lidh me dëshirën për të ndërtuar këtë mekanizëm. Kam ndjekur me kujdes debatin për ndryshimet në Kodin Penal, veçanërisht për shkeljet në fushën e biznesve. Është ndërhyrë shpesh në Kodin së fundi, në një vit është ndërhyrë 2-3 herë dhe kjo nuk është normale dhe serioze. Vendosin penalitete për qytetarët që nuk marrin kuponin dhe nuk ka inisiativë për të dënuar atë që shet apo blen votën. Pse nuk është futur një dispozitë e veçantë për atë që shet apo blen votën? Ky është një problem i madh. Pse nuk është futur një dispozitë të veçantë për këto raste? Unë po flas për masa të rrepta dhe politika penale për blerjen e shitjen e votës para se të flasim për kuponin e qeses me kikirikë që blejmë tek dyqani i lagjes.
Cila do të ishte formula e Presidentit për të dalë nga kriza në sistemin e drejtësisë?
Unë besoj se ekspertë tërësisht jashtë konfliktit personal, që janë të ftohtë nga përfshirja politike, akademikë dhe jo vetëm, por dhe ekspertë në avokaturë, administratë, profesionistë shumë të mirë e që mund të japin opinionet së bashku me ekspertë të huaj që do të sjellin praktikat më të mira. Unë mendoj se ne nuk kemi nevojë për një model shqiptar të sisitemit të drejtësisë. Çdo të thotë model shqiptar i sistemit të drejtësisë? Modeli që kemi sot është shumë i ngjashëm me modelin italian dhe spanjoll, por ne duhet të shikojmë se cila është praktika më e mirë europiane dhe asaj duhet t’i refereohemi duke e përshtatur padyshim me kushtet e Shqipërisë. Modeli që kemi sot duhet ndryshuar dhe duhet marrë modeli më i mirë i sotëm për t’u përshtatur me realitetin tonë. Duhet të largohen të korruptuarit dhe të paaftët. Reforma duhet bërë për fenomenin, jo për emra të cakuar. Kur ne e adresojmë tek një individ fenomenin, atëherë mund të marrë interpretime dhe keqkuptime te ndryshme. Por, çfarë po ndodh? Sot që ne po flasim kaq shumë për reformën në sistemin e drejtësisë dhe ende nuk e dimë se cilin model do të zgjedhim për të ndjekur në lidhje me sistemin e drejtësisë. Duhet të kishte pasur shumë më tepër përfshirje të ekspertëve. Duhet të ishin zgjedhur njerëz jashtë konfliktit të interesit. Unë kam bërë një vërejtje publike që nuk ka marrë përgjigje. Nëse do të kishte një proces të paprapagjykuar, neni i parë i këtyre amandamenteve duhet të ishte që të gjithë këto ekspertë që kanë punuar nuk duhet të përfitojnë poste publike të paktën për 5 vjet. E keni parë këtë amandament gjëkundi? Askund. Dhe ky është një shqëtësim, jo vetëm i imi, por edhe në komunitetin e gjyqtarëve dhe prokurorit. I është kërkuar Komisionit të Venencias opinion për çështje për të cilat ai ka dhënë njëherë më parë opinion, ne po ia kërkojmë sërish. Unë nuk besoj se Komisioni do të japë një opinion të ndryshëm për të njëjtën çështje. Komisionit të Venecias ka dhënë për shembull një opinion në lidhje me ndërprerjen e mandateve, unë nuk besoj se do të sjellë një opinion të ndryshëm nga i pari, por ne ia kërkojmë përsëri. Ky komision ka një opinion në lidhje me KLD-në, me Gjykatën Kushtetuese, pra ata kanë dhënë një standard dhe opinion. Ky institucion ka qenë bashkëpunues gjithmonë. Unë po kthej edhe njëherë në vëmendje inisiativën time të parë që në shtatorin e 2014, kur thirra tryezën për drejtësi, sepse deri në atë kohë askush nuk po e niste punën për reformën. Dhe menjëherë pas tryezës së Presidentit nisi një garë se kush do të merrte lidershipin në këtë reformë. Por, këtë reformë nuk mund ta bëjë Presidenti, ajo duhet bërë në mënyrë konsensuale nga pjestarët e Parlamentit në rradhë të parë, por dhe aktorët e tjerë të shoqërisë. Në shpesh injorojmë raportet që duhet të kënë institucionet vendimarrëse politikëbërëse me opinionin dhe ekspertizën e profesionistëve që janë të çliruar nga interesat profesionale dhe politike.
Sa përgjegjës është institucioni i Presidentit të Republikës në lidhje me këtë situatë të sistemit të drejtësisë?
Për të sqaruar këtë pikë, po ju jap dy shembuj. Presidenti është vërtetë kryetar i KLD-së, por nuk ka forcë të veçantë për të marrë vendime. Po të shikohen mbledhjet e protokollit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë mund të gjendet në mënyrë frekuente që Presidenti i Republikës ka qenë në minorancë në vendmarrjen e KLD-së. E dyta është që Presidenti ka atribut të rëndësishëm në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, por fatkeqësisht gjatë kohës që unë kam qenë në këtë detyrë gjithçka është bërë nul, pasi propozimet e mia janë rrëzuar nga Parlamenti.
Keni qenë ministër i Brendshëm dhe i Drejtësisë. I dini mëkatet që kanë tek drejtësia këto dikastere?
Ministria e Brendshme është më operacionale, njëra nga detyrat e saj kryesore është mbledhja e provave në vendin e ngjarjes pasi është shumë e rëndësishme, sepse ka shumë procese që dështojnë vetëm për shkak të mbledhjes së provave. Kjo duhet përmirësuar patjetër dhe mbetet një sfidë për policinë prej kohësh. Ndërsa Ministria e Drejtësisë nuk ka pushtet mbi sistemin e drejtësisë, por ka mekanizma për mund ta kontrollojë ose mund ta bëjnë më transparente nepërmjet operatorëve që janë në këtë sistem. Duhet përmirësuar sistemi i avokaturës, sistemi i burgjeve, sistemi i provës, i noterëve, ai i ndihmës ligjore, pra të gjithë këta operatorë duhen përmirësuar, pasi ndikojnë negativisht në sistemin e drejtësisë.
Pas akuzave në Parlament për drogë, vrasje, trafik nuk ka kurrë hetime. Si e gjykoni Prokurorinë në këtë raport?
Presidenti mund të kërkojë informacion, por prokuroria nuk varet nga Presidenti, pavarësisht se kreu i shtetit propozon emrin e Prokurorit të Pergjithshëm. Madje, Ministria e Drejtësisë mund të ketë më shumë kontroll në prokurori sesa institucioni i Presidentit. Në tërë këtë situate, e cila duket që ofron dhe fakte e dokumenta Prokuroria ka një punë jashtëzakonisht të madhe për të bërë dhe pritshmëria ndaj saj është shumë e madhe. Por edhe më shumë sesa Ministria e Drejtësisë ka mundësi për të kontrolluar vetë Parlamenti.
Dua t’ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë edhe si qytetar, si prind. A është Shqipëria një vend i jetueshëm, një vend që ka të ardhme të qartë?
Shqipëria është vend i mrekullueshëm, por nuk është se mrekullia po ndodh. Është vend i mrekullueshëm nga potencialet që mbart. A i keqpërdorim a nuk i përdorim fare, a i injorojmë kjo është pjesa e dytë e analizës. Por nuk besoj se Shqipëria ka më pak potenciale se Maqedonia, Kroacia a Mali i Zi që kanë një ekonomi dhe realitet më të zhvilluar se vendi ynë. A e bëjmë ne reale mrekullinë për qytetarët? Për fat të keq, jo! E kjo ka të bëjë me përgjegjshmërinë, me seriozitetin, me kulturën, si politike ashtu dhe qytetare. Kur nuk kuptohen përgjegjësitë e atyre që janë zgjedhur për të qenë vendimarrës ndodh degradimi dhe duke përdorur një term të rëndë ndodh degjenerimi i pushtetit, i mundësive dhe i situatave nga më të ndryshme. Askush nuk mund të bëjë dot gjithçka, të gjithë duhet të bëjmë bashkë që nga gjërat e vogla për të mbërritur tek të mëdhatë. Është koha që ne të mendojmë në mënyrë shumë serioze, që të mendojmë se ku do të shkojë Shqipëria pas 5 vitesh. Nuk është luks që të kemi një projekt së ku do të shkojë vendi në 5-10 vitet e ardhshme natyrisht në sektorë të veçantë që mund të japin zhvillim. Ka njerëz të mençur ky vend që mund të japin një orientim sesi mund të zhvillohet ai në vitet e ardhshme.
Si shpjegohet që mijëra shqiptarë ikën? Një pjesë e tyre nuk ishin në ekstremin jetësor, por shkuan se nuk kishin shpresë…
Humbja e shpresës është gjëja më e dhimbshme dhe natyrisht përgjegjësia më e rëndë për të gjithë vendimarrësit e këtij vendi dhe që ndikojnë në këtë sjellje dhe këtë përceptim të shoqërisë. Kur vritet shpresa për të nesërmën është shumë e vështirë për t’u rikuperuar. Kjo është shumë serioze dhe kjo çështje nuk mund të kalojë me diskutime retorike. Kjo duhet marrë seriozisht si çeshtje nga të gjithë aktorët që janë të larguar nga interesat e politikës së ditës, siç janë media, shoqëria civile, intelektualët që nuk mund të qëndrojnë të paangazhuar në këtë problematikë, pasi është një problematikë që mund të na sjellë pasoja ndoshta edhe për një çerek shekulli.
Si është çështja e përgjimit të jetës suaj private dhe familjare?
Në 2008 ishte një debat në Parlament për ligjin e përgjimeve që i jepte hapësirë dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për përgjime. Një ambasador i një vendi mik po bisedonte me mua dhe pasi ia sqarova po më thoshte: “dakord le të më përgjojnë, nuk kam frikë se nuk kam asgjë për të fshehur”. Kështu që edhe unë nuk kam pasur asnjë lloj problemi. E kam patur këtë informacion prej disa kohësh, rastësisht e kam identifikuar nga disa prova të lëna rrugës nga ata që janë përfshirë në këtë çështje. U tentua që të hyhet tek pjesa private e jetës ku u tentua që të shikohet se me kë rrija me kë shoqërohesha, çfarë flisja me bashkëshorten, vëllain, prindërit. Por unë jam rritur në një familje që nuk kemi patur frikë nga realiteti dhe këtë sens jam munduar që t’ia kultivoj dhe fëmijëve të mi, kështu që duke qenë krejt i hapur nuk kam pasur asnjë merak. Por, natyrisht kur përballesh me një fenomen dhe tentativë të tillë, kur sheh që janë të përfshirë dhe elementë të administratës shtetërore natyrisht që çështja bëhet më e mprehtë, sepse është Presidenti i Republikës dhe nuk është çështja e Bujar Nishanit. Kjo është një çështje që unë do të kërkoj të trajtohet me seriozitet, por ajo do një trajtim atëherë kur drejtësia për të cilën folëm në fillim të garantojë një qëndrim krejt të ftohtë, tërësisht të paanshëm dhe ligjor.
Kjo do të thotë se ju nuk keni besim tek prokuroria?
Padyshim që ka problem. Ne të gjithë e pranojmë këtë. Ka probleme prokuroria, gjykata me ndikimin politik me pjesën e kurajos. Këto gjëra unë nuk mund t’i mohoj që ekzistojnë.
Unë nuk dëshiroj t’iu shtyj më tej, por kur ka mosbesim kryetari i shtetit, nuk mund të imagjinoj se çfarë ndodh me një qytetar të thjeshtë…
Pikërisht kjo është arsyeja që unë i qëndroj fort jo për shkakun se çfarë kanë dëgjuar apo kontrolluar, apo monitoruar tek jeta private e presidentit. Ne duhet të krijojmë modelin e një shteti që mbron dhe garanton gjithëkënd dhe nuk abuzon me askënd.
A është shumë arrogante klasa politike?
Kjo është pjesa që unë nuk e kuptoj fare se përse është e nevojshmë kjo lloj arrogance dhe intolerance në mendim dhe veprim. Unë flas si qytetar që nuk ka arsye asnjë mazhorancë cilado qoftë ajo që ka në dorë të gjitha mekanizmat për të implementuar politikat që dëshiron dhe objektivat që ka, për asnjë lloj arrogance. Çdo mazhorancë e ka dhe përgjgjësinë më të madhe duke pasur në dorë instrumentat për t’u vënë në zbatim idenë dhe të gjithë shoqërinë.
Përgjegjësinë për arrogancën e gjeni tek shumica?
Ajo është kryesorja. Ajo ka pushtetin.
Pse institucioni i Presidentit është tradicionalisht në luftë me qeveritë?
Nuk mund të flas për më herët, sepse nuk kam qenë pjesë e vendimarrjes, por padyshim që kjo është një çështje e kulturës politike dhe civile bashkë, e cila e koncepton pushtetin si domen. Para disa ditësh, në 8 dhjetor pati një protestë në Tiranë ku u kryen dhe akte që nuk duhet të kishin ndodhur si thyerja e xhamave të dy ministrive apo vënia e zjarrit tek bunkeri në qëndër të Tiranës. Këto gjëra nuk duhej të ndodhnin dhe nuk kanë pse të ndodhin. U artikuluan me të drejtë si akte dhune, por vendosja e bunkerit a është një akt dhune në vetvete? Unë them se po. Prej disa kohësh unë i jam drejtuar në cilësinë e Presidentit të Republikës, autoriteteve për të më vënë në dispozicion se cili është dokumentacioni ligjor për prodhimin e vendosjen e atij bunkeri në qendër të Tiranës. Deri më tani kanë kaluar të gjitha afatet ligjore dhe nuk më është vënë në dispozicion asnjë dokument, pra çka më jep të drejtën të mendoj se nuk ka dokumentacion. Pra, kemi një dhunim të ligjeve.
Ndërtim pa leje?
Përderisa nuk më është vënë në dispozicion asnjë dokumentacion unë kam gjithë të drejtën të dyshoj se është ndërtim pa leje. Por edhe si i tillë kjo nuk i jep të drejtën opozitës që dhunës t’i përgjigjet me dhunë. Ka forma të tjera që të denoncohet dhuna shtetërore. Por, a ka dhunë më të madhe se po atë ditë celebrohej 25 vjetori i rënies së komunizmit dhe Presidentit i mohohet e drejta të bëjë një aktivitet në Teatrin e Operas dhe Baletit. Unë besoj se nuk ka! Nuk e kuptoj se cili është burimi dhe arsyeja e këtyre qëndrimeve, përveç konsiderimit të pushtetit si domen personal.
Ju u akuzuat se nuk e dënuat dhunën…
Presidenti i Republikës nuk është agjensi informacioni. Unë po e mbaj sonte qëndrimin tim. Unë kam qenë dhe do të jem kundër dhunës në të gjitha format e saj.
Pikërisht në mesin e këtij debati ju dekoruat dhe ish-Presidentin Berisha. Pse e dekoruat Berishën?
Pse jo?! Ishte 25-vjetori i rënies së komunizmit, ishte dita kur ishin ftuar të gjithë shqiptarë dhe miq të shqiptarëve të respektonin martirët që u ekzekutuan, humbën jetën, rininë, u pushkatuan dhe u varrosën në varre të përbashkëta, ishte dita që të nderonim kurajon e studentëve të ’90, ishte dita që nderonim qytetarët e gjithë Shqipërisë që u ngritën kundër diktaturës. Figura e zotit Berisha është nderuar së bashku me figura të tjera, si ajo e Musine Kokalarit për shembull, një grua e mençur dhe bindje të qarta për pluralizmin, u nderua i gjithë grupimi i që ishin në Lëvizjen Studentore të Dhjetorit dhe padyshim përfaqësuesi më tipik dhe më i spikatur që orientoi këtë lëvizje për të qenë efikase ishte Berisha. Atij iu dha roli i liderit nga vetë studentët dhe më pas në 25 vitet që pasuan ka qenë person me rol kyç në historinë e këtij vendi në momente shumë të rëndësishme.
Atëherë logjika ishte: nuk dënoj dhunën e protestës paradite dhe pasdite nderoj Berishën, sepse kështu u komentua apo jo?
Për fatin e keq të ish-stalinistëve shqiptarë mua nuk më komplekson dot propaganda e tyre. Unë jam shumë i qartë në qëndrimin tim politik shtetëror institucional. Atë ditë ka patur një ftesë për të gjithë përfshirë dhe Ramën, Metën, Majkon dhe mjaft të tjerë që kanë qenë pjesë e dhjetorit. 25-vjetori i rrëzimit të komunizmit meritonte një përkujtim shtetëror. Në shumë vende të lindjes pati të tilla. Unë kam qenë në Poloni, por e përkujtoi dhe Gjermania, Rumania etj. I kam bërë një ftesë qeverisë për të organizuar disa aktivitete me profil shtetëror, por nuk mora përgjigje, ndaj mbeti detyra e Presidenti të Republikës që t’i jepte profilin shtetëror disa prej aktiviteteve. Gjej rastin të falenderoj për mesazhet që erdhen nga Papa Françesku, kancelarja Merkel apo Sekretari amerikan Xhon Kerri.
Ju flisni sot për stalinistë që tentuan t’ju intimidonin, por ju gjatë kohës që ishit në pushtet nuk hapët kurrë dosjet dhe nuk u bë kurrë dekomunistizimi…
Ka patur inisitiva, por u lobua fort për të rrëzuar këto inisiativa si qeveritare dhe parlamentare. Unë nuk do të rresht jo vetëm si President derisa të arijmë që në Shqipëri të ketë një rrjet të konsoliduar ligjor që do të hetojë dhe gjykojë krimet e Sigurimit të Shtetit. Unë nuk flas për hakmarrje, por ata që kanë bërë krime duhet të hetohen dhe gjykohen. Dekomunistizimi nuk mund të ndodh pa një hetim të krimeve të kryera. Shqipëria ka nevojë për hapjen e dosjeve dhe ky proces duhet bërë bashkë me lustracionin për të sjellë një paqe sociale.
Të enjten është njoftuar një tjetër protestë e opozitës a keni një koment për këtë?
Protesta është e drejtë legjitime, e patjetërsueshme, por aktet e dhunës nuk janë të mirëpritura. Unë i kërkoj të gjithë qytetarëve që të distancohen nga dhuna. Kjo nuk ndihmon as qytetarët as politikën.
Opozita kërkon qeveri teknike a keni një koment për këtë kërkesë?
Kjo është çëshje e aktualitetit politik. Qeveria ka ardhur nga zgjedhjet me votë të popullit, ndaj i takon Parlamentit për të vendosur për të, jo presidentit. Debati për realizimin e objektivave politikë të partive të ndryshme është tërësisht jashtë zyrës së Presidentit.
A ka luftë Presidencë-Qeveri-Parlament për dekretet e kthyera?
Jo nuk ka patur asnjë luftë. Çfarë është kthyer pas nga ne, ka patur lidhje vetëm me cënimin e të drejtave kushtetuese të Presidentit. Nëse nuk mbron veten as vendit nuk i duhet një President I tillë! Unë kam mbajtur këtë qëndrim edhe për të ruajtur balancat mes pushteteve.
A keni një koment për situatën në Kosovë?
Është një situatë shqetësuese. Qytetarët vetë tani duhet të reagojnë. Kosova është në kohën që do të krijojë imazhin e tij si shtet, por edhe raportin me partnerët. Është koha që vetëm qytetarët e Kosovës, as politikanët e Shqipërisë dhe askush tjetër nuk mund të tregojnë se si duhet të rrjedhin gjërat. Qytetarët duhet të vendosin nëse do të zgjedhin anarkinë apo do të zgjedhin shtetin ligjor. Unë besoj se në këtë moment të rëndësishëm zgjedhja e qytetarëve do të vendosë raportet dhe me partnerët. Në Kosovë fitore e madhe deri më tani ka qenë miqësia me aleatë të rëndësishëm si SHBA dhe Europa. Ruajtja e kësaj miqësie i shërben Kosovës së pas 100 viteve, 200 viteve e kështu me rradhë.
Cili është komenti juaj për Zajednicën?
Unë i besoj shumë atyre njerëzve që bënë edhe luftën, edhe paqen në Kosovë. I besoj miqve më të mirë të Kosovës. Për këtë fakt jam i bindur se marrëveshja nuk cënon Kushtetutën e Kosovës dhe nuk rrezikon të sjellë një model të bosnjëzimit të Kosovës që do të ishte fatal për Ballkanin dhe Europën. Por, unë besoj gjithashtu se një zgjidhje shumë e mirë do të ishte dhe zgjidhje e demarkacionit nëpërmjet Gjykatës Ndërkombëtare. /tesheshi.com/