Irani është në mësymje diplomatike që prej heqjes së sanksioneve ndërkombëtare, dhe, në këtë kuadër, presidenti i vendit, Hasan Ruhani, po kryen një sërë vizitash në Europë.
Një vizitë e posaçme e Ruhanit gjatë qëndrimit në Itali ka qenë ajo në Vatikan, ku ai është takuar me Papa Françeskun, me të cilin kanë shkëmbyer mendime e lëvdata të ndërsjellta mes një atmosfere shumë miqësore. Dhuratat reciproke të shkëmbyera kanë qenë gjithashtu pjesë e vizitës.
Biseda mes tyre ka zgjatur për rreth 40 minuta, e më pas presidenti iranian është takuar dhe me diplomatë të Vatikanit.
Theksi në bisedimet, siç bën me dije Vatikani, është vënë në rolin e rëndësishëm që duhet të luajë Irani për të nxitur zgjidhjet politike për konfliktet rajonale, duke luftuar terrorizmin dhe trafikimin e armëve.
Duhet kujtuar se Irani është, krahas Rusisë, aleati më i ngushtë i Beshar Esadit, dhe një prej mbështetësve më të fuqishëm të regjimit të tij sirian. /tesheshi.com/